Deputeti dhe kryedemokrati i Durrësit, Ferdinand Xhaferaj ka reaguar në lidhje me nismën e “Ballkani i Hapur”, i cili sipas tij nuk i shërben interesave të shqiptarëve.
Xhaferaj shkruan se gjatë një vizite që bëri në Kosovë me anëtarët e tjerë të Komisionit të Sigurisë së Kuvendit të Shqipërisë konstatoi se Serbia perceptohej si rreziku kryesor për shqiptarët atje
Rrjedhimisht sipas tij, nuk mundet që Shqipëria të bëhet pjesë e marrëveshjeve të tilla rajonale pa marrë në konsideratë edhe interesat e shqiptarëve në rajon.
Analisti Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se në Shqipëri nuk është mundësia e refuzimit të “Ballkanit të Hapur”, duke e pasur parasysh lidhjen e Ramës me Vuçiqin.
Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të jetë pjesë e kësaj nisme, madje thotë se Rama duhet të tërhiqet nga kjo nismë.
“Fatkeqësisht në Shqipëri nuk ekziston uniteti si në Kosovë për të kundërshtuar "Ballkanin e hapur", me Edi Ramën si peng të Vuçiqit. Është pikërisht Edi Rama, i cili është në shërbim të Vuçiqit, dhe rrjedhimsht edhe vprimet e tij janë të atilla që ndihmojnë Serbinë. Kjo e fundit ka qenë, është dhe do të mbetet gjithnjë rrezik për shqiptarët, kështu që pajtohem plotësisht me z.Xhaferaj se Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të jetë pse e një nisme që përbën rrezik për shqiptarët. Demokratë, si dhe një pjesë e socialistëve, por të cilët nuk guxojnë të dalin hapur, janë kundër projektit serbo-rus nën ambalazhin e "Ballkanit të hapur". Shqiptarët duke qenë bashkë do të ishin më të fortë, por kështu të ndarë i leverdis vetëm Serbisë. Edi Rama dhe të gjithë ata që mbështesin këtë nismë të tërhiqen sa më parë, nëse kanë sado pak ndjenja shqiptare”, ka theksuar Mehmeti.