Asociacioni i komunave me shumicë serbe i nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa vite më parë, po ndikon tani në ngecjen e dialogut.
Kosova nuk dëshiron që ta formojë këtë asociacion, pasi ai është shpallur jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërsa që Serbia e cila ka dhe përkrahjen e BE-së, kërkon që asociacioni të formohet.
Ndërsa që SHBA janë pro asociacionit por që sipas tyre formimi i tij është në dorë të Kosovës.
Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, thotë për gazetën “Bota sot” se SHBA-ja jep mendimin e saj duke u bazuar në marrëveshjen e nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa, por që kjo marrëveshje nuk ka kaluar në Kushtetuese.
“Tani Kosova duhet të veprojë siç ka vepruar me rastin referendumit të Serbisë që nga Qeveria Kurti nuk është lejuar të mbahet në territorin e Kosovës edhe pse kërkesa e Serbisë mbështetej nga SHBA-ja dhe shtetet e Kuintit. SHBA jep mendimin e saj duke marrë parasysh atë që fatkeqësisht nënshkruan Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në vitet 2013 dhe 2015. Por, duhet ta dimë se propozimi për Zajednicën nuk ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur ai.
Sipas Gashit, kjo marrëveshje nuk është votuar as në Parlamentin e Kosovës, e as në atë të Serbisë dhe si e tillë është nul.
“Dhe duhet ta dimë që edhe pse e ka votuar Parlamenti i Kosovës formimin e Zajednicës, ky propozim as nuk është vendosur në rend të ditës në Kuvendin e Serbisë. Pra, Kuvendi i Serbisë nuk e ka votuar projektin e Zajednicës, se po ta votonte apo aprovonte, në mënyrë automatike do të konsiderohej se po e pranon Pavarësinë e Kosovës. Dhe për këtë arsye Zajednica nuk duhet të jetë më asnjëherë temë e Parlamentit të Kosovës dhe ajo që është votuar më herët, nuk ka kurrfarë vlere juridike sepse nuk është votuar nga Parlamenti i Serbisë, pra është nul”, vlerëson avokati.
Pavarësisht të gjithave, Gashi thotë se Qeveria Kurti nuk do ta nënshkruajë formimin e Asociacionit dhe se formimi i tij është faza e parë e shkëputjes së territorit të Kosovës dhe bosnjëzim i Kosovës.
“Dhe sado që të ketë sugjerime, qoftë nga SHBA-të, qoftë nga BE-ja, qeveria e Albin Kurtit kurrë nuk do të nënshkruajë një projekt të tillë sepse atëherë do të ishte faza e parë e shkëputjes së territorit të Kosovës në favor të Serbisë. Do të ishte katastrofë për Kosovën dhe do të kishim një bosnjëzim të Kosovës deri në atë masë sa që ky territor do të ndahej nga Kosova, e këtë nuk e do as Amerika sepse Kosova shtet, është projekt edhe amerikan, dhe SHBA-ja e ka pranuar Kosovën shtet të pavarur në këta kufij, me intencën që shteti të mbetet unik dhe jo të ndahet në baza nacionale”, deklaron Tomë Gashi për “Bota sot”.