Edhe pse presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po e mohon se shteti të cilën e udhëheq mund ta pushtojë Ukrainën, veprimet e dëshmojnë të kundërtën.
Përveç përshkallëzimit të krizës së Ukrainës, me tendencë një luftë të armatosur totale nga Rusia, ndaj këtij shteti properëndimor, është paralajmëruar se Putini mund të urdhërojë sulme kibernetike jo vetëm në Ukrainë, por edhe ndaj disa shteteve europiane edhe mbase ndaj SHBA-ve, shtet ndaj të cilit sulmet e lokalizuara nuk i ka ndalur kurrë.
Një paralajmërim të tillë e ka bërë Qendra Kombëtare për Siguri Kibernetike e Britanisë së Madhe, e cila është pjesë e agjencisë së inteligjencës GCHQ.
Çështja për ne është se nëse një paralajmërim i tillë, mund të vlejë edhe për Kosovën?
Por, çfarë mendojnë ekspertët për këtë.
Shpeshherë është dëshmuar që në Kosovë gjendja e sigurisë kibernetike është shumë e dobët.
Një gjë të tillë e kanë paralajmëruare edhe njohësit e çështjeve të sigurisë, të cilët kërkojnë të që të merren masa në këtë aspekt.
Miftari: Kosova e pambrojtur nga sulmet kibernetike
Ish-luftëtari i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se Kosova është shumë pak e mbrojtur nga sulmet kibernetike.
Naim Miftari
“Kosova është e mbrojtur shumë pak nga sulmet kibernetike dhe vjedhja e fundit e dy milionëve, pasi ka patur edhe vjedhje të tjera të ngjashme edhe më herët tregon se sa e brishtë është sistemi i sigurisë në vendin tonë, pra sistemi financiar është i cenueshëm nëse ndodh një sulmi organizuar kibernetikë nga ndonjë shtet armiqësor”, thotë ai.
Sipas tij, as shtetet më të fuqishme nuk janë të sigurta në këtë kohë krize.
“Por, mos të harrojmë se as shtetet shumë të fuqishme siç janë Amerika, Gjermania, Polonia ...e shumë shtete të tjera nuk janë të sigurta tani në këtë kohë krize. Rreziku vjen sidomos nga lajmet e rreme dhe tentimi për të bërë protesta të dhunshme që në fakt nuk kanë fare lidhje me mirëqenien sociale, me çmime, me rrymë, me bukë, me derivate, me pandemi”, thekson ai.
Më tej, ai ka treguar se si shërbimet sekrete armiqësore mund të mbjellin trazira të paparashikueshme në Kosovë.
“Pasi prapa disa kërkesave të çuditshme dhe pavend që i dhanë disa “krysindikalistë”, qe 20 vite që janë kryetar që më shumë kanë luajtur rolin e avokatit të pushtetit sesa si mbrojtës të të drejtave të punëtorëve. Tek tani pas 20 vitesh kur po ju luhaten postet dhe rrogat, me mijëra euro në muaj, tani kinse ju ka ra ndërmend se çka është detyra e tyre, dhe në kësolloj mjedisi shërbimet sekrete armiqësore mund të mbjellin trazira të paparashikueshme, ku do të dëmtohej në fund shteti i Kosovës, territori i Kosovës dhe reputacioni i shtetit të Kosovës”, shpjegon ai.
Po ashtu, ai përmend se kush mund të paraqet rrezik më shumë se sa një sulm i mundshëm kibernetik ndaj Kosovës.
“Pra, lajmet e rreme me analistë, mercenarë të ish-pushtetarëve dhe oligarkëve mediatik të politikanëve të korruptuar që për një mëditje “rrogë”, këta gazetar i dinë të gjitha, jo vetëm për Kosovën, por edhe për strategjitë e politikat për krejt botën dhe çdo ditë, çdo javë, çdo muaj përhapin lajme të rreme dhe të jo verifikueshme, pasi paguhen për këso propagande, e etiketime paraqesin rrezik më shumë sesa një sulm i mundshëm, sulm kibernetik ndaj Kosovës e shtetit tonë, pra sulmuesit kibernetikë, sidomos me lajme të Sputnikut e ish bashkëpunëtorëve të UDB kemi me bollëk brenda vendit tonë, kem edhe për eksport”, përfundon Tërnava për “Bota sot”.
Mulliqi: Serbia dhe Rusia do të përdorin çdo mjet
Analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Kosova është e rrezikuar nga sulmet kibernetike.
Skënder Mulliqi
“Kur po rrezikohen shtetet më të fuqishme në botë nga krimet kibernetike, Kosova mund të rrezikohet nga këto sulme shumëherë më shumë. Ky fenomen prek edhe aktivitetet shtetërore, banesore, private etj”, thotë ai.
Sipas tij, po rritet rreziku nga keqpërdoruesit për interesa të caktuara edhe politike e ushtarake.
“Si teknologji e re është vënë në dispozicion të një numri të madh përdoruesish, prandaj edhe rreziku nga një teknologji e tillë bashkëkohore po rritët, siç po rriten edhe përfitimet e përdorueseve, apo më mirë me thënë të keqpërdoruesve për interesa të caktuara edhe politike e ushtarake”, shton Mulliqi.
Gjithashtu, ai tregon se kur siguria nga sulmet kibernetike bëhet më e zorshme. “Keqpërdorimi i saj nga elementet kriminale edhe shtetërore është krim kibernetikë. Kjo merr dimension dhe rrezikshmëri më të madhe kur ka të bëjë me teknologjitë dhe me sigurinë informatike. Dihet se rrjetet e informacionit kalojnë edhe kufijt shtetëror, atëherë edhe siguria nga sulmet kibernetike bëhet më e zorshme dhe më komplekse”, shpjegon Mulliqi.
Sipas tij, Kosova është e dobët për tu mbrojtur nga sulmet kibernetike ruse.
“Kosova është ende e dobët për t’u mbrojtur nga këto sulme kriminale kibernetike siç ndodhi sulmi kibernetik i Rusisë në Ukrainë. Se mund të ketë ndonjë lidhshmëri Kosova me sulmet kibernetike ruse në Ukrainë, nuk mund të parashikohet ekzakt, por se një mundësi e tillë megjithatë ekziston”, thekson ai.
Po ashtu, Mulliqi thekson se po bëhet luftë me strategji kibernetike, duke u vënë në shënjestër edhe institucionet vitale të një shteti.
“Kosova është e rrezikuar pasi që përdorimi i internetit dhe teknologjisë informative është bërë shumë masovik. Kriza nga një luftë në Ukrainë nga agresioni rusë gjithnjë e më shumë po rritet. Por, pa krizë politike dhe ushtarake nuk ka mbetur as rajoni i Ballkanit, nga Rusia dhe Serbia. Krahas kësaj sigurisht se bëhet luftë me strategji edhe kibernetike, duke u vu në shënjestër edhe institucionet vitale të një shteti”, thotë ai.
Mulliqi shprehet se nuk duhet të nënvlerësohet situata e krijuar në Ukrainë dhe duhet të merren veprime për këtë çështje.
“Një reagim lidhur me këtë temë duhet të jete më i madh, kur dihet se Serbia dhe Rusia do të përdorin çdo mundësi dhe mjet, të luftës kriminale kibernetike ndaj Kosovës, siç edhe po na kërcojnë haptazi me luftë. Ne, duhet urgjentisht të reagojmë me strategji mbrojtëse ndaj zhvillimeve te tilla më të reja, duke mbrojtur çdo institucion vital të shtetit. Mendoj se nuk duhet të nënvlerësohet situata e krijuar në Ukrainë. Të jemi shumë vigjilent se të gjitha të zezat na kanë ardhur dhe na vijnë nga Serbia. Të përmirësohet infrastruktura ligjore, dhe të rriten kapacitetet mbrojtëse nga ndonjë sulm eventual kibernetik”, deklaron ai.
“Krimi kibernetik bëhet paralel me propagandimet, të cilat kanë për qëllim të fusin frikë. Dihet se Rusia ka organizuar sulme masive kibernetike ndaj institucioneve vitale shtetërore në Ukrainë. Mendoj, se sulmet kibernetike ruse kanë marr tashmë karakter ndërkombëtar, duke ngjallur shqetësime të arsyeshme te shtetet e botës demokratike”, vlerëson Mulliqi për “Bota sot”.
Tërnava: Institucionet janë të siguruara mirë
Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se garantuese për Kosovën janë SHBA-ja me NATO-n.
Hajrullah Tërnava
“Sikur të ishte Kosova çështje globale që duhet të veprohet ndaj saj ashtu, edhe mund të ndodhte një gjë e tillë që të rrezikohet Kosova, e cila është nën mbikëqyrjen e shteteve të forta të botës, sikur që është SHBA-ja me NATO-n. Ende për Kosovën janë garantuesit e sigurisë së saj në fuqi, sikur që është rezoluta 1244 e OKB-së, dhe kjo rezolut iu jep të drejtë shteteve, të cilat na kanë çliruar me intervenu, po të vinte deri te konfliktet nga shtete tjera”, thotë ai për “Bota sot”.
Sa i përket sulmeve kibernetike ruse në Kosovë, Tërnava thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë.
“Kur është në pyetje rrezikimi kibernetik rus ndaj Kosovës, ajo edhe mund të ndodhë, por pak rëndësi ka me këtë çështja e Kosovës me Ukrainën, sepse Ukraina i ka shkaqet e saja më të forta të luftojë me Rusinë. Sepse Krimea si pjesë e Ukrainës që ishte, e tani e okupuar që nga viti 2014 e deri më tani, është nën juridiksionin e Rusisë. Nëse vjen deri te lufta me Rusinë, e me ndihmat që po i ofrojnë shtetet më të forta të botës Kosovës, një konflikt i tillë s`mund të ndodhë”, thotë ai.
Gjithashtu, ai shton se bankat dhe institucionet tjera gjithnjë janë të siguruara mirë.
“Meqenëse tani Kosova e ka ushtrinë e saj (FSK) të stërvitur shumë mirë, dhe policinë sikurse edhe institucionet tjera, e kur dihet sikur e shpjegova më lart që garanca për territorin e Kosovës e që përkujdesen për kufijtë e saj janë KFOR-i dhe NATO-ja, dhe bankat dhe institucionet tjera gjithnjë janë të siguruara mirë, prandaj këto garanca janë të forta dhe nga shtetet mike që na kanë ndihmuar për t`u çliruar nga okupatori gjeneocidial. Por, situata e krijuar mes Rusisë dhe Ukrainës nuk është e mirë, por vështirë që mund të vjen deri te një luftë e tillë që mund të acaroj dhe të përhapte konfliktet në përmasa botërore”, shpjegon Tërnava.