Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak thotë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë shprehur gatishmërinë për t’u takuar sërish në Bruksel.
Lajçak tha se po punojnë për temat që mund të diskutohen dhe disa që mund të finalizohen. Ai nuk e përjashton mundësinë që të nënshkruhet edhe ndonjë marrëveshje.
“Ata të dy e kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur, kurdo që ftohen. Ne kemi thënë që ata do t’i ftojmë kur të kemi substancë dhe po punojmë për këtë. Po punojmë në dokumente të ndryshme, që mund të diskutohen apo finalizohen përgjatë atij takimi. Kjo vizitë do të jetë shumë e rëndësishme për mua, që të dëgjoj nga z. Kurti, z. Bislimi dhe z. Vuçiq se çfarë progresi është bërë dhe se cilat çështje duhet të diskutohen. Mendoj se pas një jave do të jemi më të qartë se kur mund ta kemi takimin e radhës, sepse një takim sa për t’u takuar është nivel shumë i ulët i ambicies. Kjo është ajo për të cilën jemi pajtuar dhe duam që takimi i radhës të prodhojë një substancë konkrete dhe jemi duke punuar për këtë”, ka thënë Lajçak.
Se a do të nënshkruhet ndonjë marrëveshje në takimin e radhës Kurti-Vuçiq, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
“Kërkesa e Escobar”
Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se në këtë vizitë temë kryesore do të jetë dialogu, pra përgatitja e takimit në mes Kurtit dhe Vuçiqit, që do të mbahet së shpejti.
Skënder Mulliqi
“Vizita e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë –Serbi, Mirosllav Lajçak dhe vizita e diplomatit amerikan, Eskobar, më shumë do të sqarojnë në Prishtinë për qasjen dhe rrjedhën e dialogut. Lajçak ka bërë me dije se arsye kryesore e vizitës në Kosovë është përgatitja e takimit në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, i cili planifikohet të mbahet pas pak ditësh në Bruksel. Ka filluar të flitet në opinion se do të kemi një pako plani lidhur me temën e asociacionit, temë kjo që është vu në plan të parë të politikës së jashtme të Kosovës. Rreth kësaj teme shumë të ndjeshme, e cila ka marrë karakter krejt politikë, e jo teknik, nuk kemi unitet të duhur të spektrit politik në Kuvendin e Kosovës, që është për çdo kritikë”, tha ai.
Tutje ka shtuar se duke e pasur parasysh rëndësinë e temës, opozita nuk po bashkëpunon me pozitën, madje kur kemi të bëjmë me diçka të tillë që u nënshkrua nga prijësit e tyre, gjë që e ka deklaruar edhe Osmani.
“Opozita nuk po tregohet e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me pozitën kur dihet për rëndësinë shumë të madhe të kësaj teme, dhe kur dihet se dy ish prijësit kryesor të opozitës na lanë patatën e nxehtë në duar, duke e shëndrruar Asociacionin në marrëveshje ndërkombëtare, me nënshkrimet që i bënë më 2013 dhe në vitin 2015 në Bruksel. Këtë e potencoj para vizitës në Kosovë të dy emisarëve special për bisedime, edhe zonja e parë e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ndër të tjera deklaroi se: “Ajo që është problemi i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive””, shton Mulliqi.
Modalitete që nuk prekin statusin politik
Më tej theksoi se shpreson që në këtë takim do të kërkohen modalitete që nuk prekin statusin politik, siç është ajo me asociacionin.
Mulliqi shtoi se duke e pasur parasysh që BE-ja po insiston për impementimin e asociacionit, atëherë ky takim nuk do të jetë aspak i lehtë, madje nëse ndodh një gjë e tillë do të jetë shumë e padrejtë.
“Kjo mos përgjegjësi mund të na kushtojë shumë në vazhdimin e dialogut me palën serbe, edhe pse si zonja Osmani ashtu edhe kryeministri Kurti, kanë deklaruar se nuk do të pranojnë një Asociacion, i cili veç në start është autonomi territoriale për minoritetin serb në veri, me pretendim të hapur që edhe në Kosovë të formohet një tjetër “Republikë Serbe”, që e defunksionalizon shtetësinë e Kosovës. Të shpresojmë se në takimin që do të kenë sot Eskobar dhe Lajçak me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, do të kërkojnë modalitete shumë më të ulëta që nuk prekin statusin politik të Kosovës. Takimi i sotëm në Prishtinë, nuk do të jetë i lehtë kur dihet se BE-ja shumë është duke insistuar që të implementohet asociacioni me komptenca ekzekutive, që do të ishte një fitore e madhe në tavolinë për Serbinë e Vuçiqit. Do të ishte shumë e padrejtë që Serbisë në kushte të paqes t’i jepet mundësia që të fitojë ato që i humbi me luftë”, potencoi ai.
Mulliqi ka shtuar se në takimin e radhës mund të nënshkruhet vetëm ndonjë marrëveshje formale të zhvillimeve të dialogut.
Andaj, sipas Mulliqit, Amerika përmes Eskobarit do të ofrojë një qasje ndryshe, kështë duke i bërë më shumë trysni Serbisë.
“Ndarja e Kosovës mbi bazat etnike bie ndesh mbi parimet bazë të shtetit dhe të Kushtetutës të Kosovës, dhe bie ndesh edhe me GJND-në dhe tjera dokumente valide. Përgatitja për takimin e Brukselit, duhet të jetë e mirë nga pala jonë, në bashkëpunim me Amerikën, e cila është edhe sponzori kryesor i projektit të pavarësisë të Kosovës. Unë mendoj se nuk do të ndodhë nënshkrimi i marrëveshjës në takimin e radhës, pos ndonjë marrëveshje formale mbi përcaktimin e modaliteteve për zhvillim të dialogut, kur dihet se kësaj pranvere do të mbahen zgjedhjet në Serbi. Amerika përmes Gabriel Eskobarit mendoj se do të ofrojë një qasje më ndryshe shumë më koherente të bisedimeve, duke bërë trysni më shumë dhe më të fuqishme ndaj Serbisë, që të pranojë pavarësinë e Kosovës. Kërkesa e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është që të mos implementohen modele që do ta shndërronin veriun e Kosovës në një “Republikë Serbe””, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.
“Mund të lindin edhe shumë marrëveshje të tjera”
Analisti politik Islam Krasniqi, thekson se deri te marrëveshja finale mund të dalin edhe shumë marrëveshje të parëndësishme, andaj nuk përjashtohet mundësia për realizimin e ndonjë marrëveshjeje.
Islam Krasniqi
Madje, ai theksoi se ka shumë marrëveshje të nëshkruara deri tani, por që askush nuk e di se për çfarë janë nënshkruar.
“Nuk përjashtohet mundësia e nënshkrimit apo realizimit të ndonjë marrëveshje në Bruksel lidhur me takimin i cili pritet të mbahet në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksander Vuçiqit, sepse deri te marrëveshja finale mund të na lindin shumë marrëveshje me një rëndësi të vogël apo të parëndësishme, e që bëhen për të arsyetuar BE-në apo përfaqësuesit e tyre Borell e Lajçak. Po bëhen nëntë vite nga marrëveshja e parë dhe shumë minimarrëveshje që askush nuk e dinë se çka kanë nënshkruar, sa janë respektuar, pos atyre që janë sjellur në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shkak të presionit të qytetarëve, e që edhe në Bruksel mund të nënshkruhet ndonjë marrëveshje e parëndësishme për të dyja palët”, thotë ai.
Më tej ka potencuar se BE-ja me presionin e saj ndaj shtetit të Kosovës, po mundohet të dëmtojë sovranitetin e Kosovës, por që sipas Krasniqit, po iu dështon sepse, Kurti nuk bie pre e tyre.
“Po ashtu mos të harrojmë se BE-ja presionin e saj po e ushtron ndaj palës kosovare, me qëllim apo pa vetëdije për të dëmtuar sovranitetin e shtetit tonë e që kryeministri aktual nuk po bie pre e këtij presioni, sepse ne jemi në rrugë të drejtë, në vendin tonë dhe presioni duhet të jetë mbi agresorin dhe jo mbi viktimën. Andaj marrëveshjet mund të vien atëherë, kur SHBA-të të ndezin dritën e gjelbër, siç ishte rasti i shtatorit ku në Shtëpinë e Bardhë nuk u pyetën asgjë palët, vetëm nënshkruan në një letër të bardhë”, përfundoi Krasniqi.