Gjatë ditës së djeshme në Kosovë kanë arritur i dërguari amerikan, Gabriel Escobar e diplomati i BE-së, Mirosllav Lajçak.
Ata momentalisht janë duke qëndruar në Prishtinë duke realizuar takime me krerët politik të vendit, përcjell “Bota sot”.
Ata gjatë ditës së djeshme janë takuar me presidentin e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ndërsa gjatë ditës së sotme janë takuar me krerët e partive opozitare.
Menjëhere pas takimit që dy të dërguarit kanë pasur me Osmanin dhe Kurtin, veç e veç, janë deklaruar për media, Lajçak u shpreh se SHBA-ja dhe BE-ja janë krah njëra-tjetrës.
“Jam në Prishtinë që të vazhdoj diskutimet me Kryeministrin dhe Presidenten. Kjo është vizita ime e shtatë si përfaqësues i BE-së për dialog, por ne jemi këtu kësaj here së bashku me kolegun Escobar për të dhënë një mesazh shumë të qartë se BE-ja dhe SHBA-ja punojnë krahë për krah dhe kanë vizion të njëjtë për Kosovën”, u shpreh Lajçak.
Kushtetutshmëria, integriteti territorial dhe sovraniteti të ngelen të pacenuara
Ndërsa, Escobar u deklarua që një marrëveshje finale me Serbinë do të normalizonte edhe situatën në Evropë duke e stabilizuar Ballkanin Perëndimor.
"Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë, Ballkanin Perëndimor si një mundësi të jashtëzakonshme, me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht. Ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t'u siguruar se ata e pranojnë Ballkanin Perëndimor si një mundësi të jashtëzakonshme për ta dhe jo si rrezik", ka thënë Escobar.
Ndërkohë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, pas takimit që zhvilloi me dy diplomatët perendimorë, Gabriel Eskobar dhe Mirosllav Lajçak, ka thënë se "Kosova është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke me Serbinë”.
Kurse kryeministri Albin Kurti, e bëri të qartë se ai është i vendosur se "kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e dikujt”. Ai tha se "është i gatshëm t'u përgjigjet të gjitha kërkesave të tëgjithë qytetarëve të Kosovës”.
Kujtojmë që raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021.
Kelmendi: Dialog po, por jo status të shtetit në veri të Kosovës
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi, i cili u shpreh se vizita e të dërguarit amerikan dhe atij të BE-së, është një sinjal pozitiv.
Muhamet Kelmendi
Sipas tij, kjo vizitë dëshmon që ka angazhim për tërë Ballkanin Perëndimor.
“Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë me vizitat që po bëhen nga i deleguari amerikan, z.Eskobar dhe përfaqësuesi i BE-së, z.Lajçak, kanë marrë një shtytje të fortë. Ajo që del nga vizita është se pa dialog nuk ka të ardhme as Kosova dhe as Serbia, në kuadër të intergrimëve euroatlantike. Kjo, në njërën anë dhe në anën tjetër, doli sheshit se SHBA-të e konsiderojnë Kosovën shtetë të pavarur dhe sovran. Këtej nuk ka asnjë mundësi të zhbërjes së shtetesisë. Mirëpo, u pa gjithashtu se SHBA-të angazhohen për tërë Ballkanin Perëndimor dhe të tërin e duan të intergruar në kuadër të BE-së, jashtë ndikimëve ruse”, u shpreh ai.
Më tej, profesori thotë se gjendja që është krijuar mes Ukrainës dhe Rusisë kanë arritur të sjellin një tension në mbarë vendin, me ç’rast edhe Serbia po vazhdon të armatoset.
Gjithashtu ai përmend që SHBA-të kanë deklaruar që do të mbrojnë territorin dhe sovranitetin e Kosovës.
“Gjendja në mes tëUkrainës dhe Rusisë ka ndikuar që edhe intervenimet të jenë të ashpra. E tëra varet nga pala serbe. Shpresohet se presioni për një Ballkan paqësor në Beograd do të shtyjë shtetin serb në një politikë pragmatiste e jo shoveno-raciste që është tash. Qëllimi i Serbisë aktualisht është asociacioni serbë me pushtet ekzekutiv ose ndarja e Kosovës. Serbia po armatoset dhe gjendjen ndërmjet Ukraines dhe Rusisë, sidomos nëse bëhet invazion ushtarak rus, mund ta shfrytëzojë për të sulmuar Kosovën. Ky skenar është i mundshëm. Kosova e ka një bazë të fortë të dialogimit. SHBA-të kanë dalur hapur në anën e ruajtjes së tërësisë territoriale dhe të sovranitetit të Republikës. Veç kësaj është edhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin e Komunave serbe. Këto dy baza janë fakte se në Kosovë mund të krijohet një shoqatë serbe, pa kompetenca ekzekutive dhe juridike legjislative”, thotë profesori.
Ndër të tjera, ai shton se reciprociteti duhet të mbetet parim për të dyja vendet duke cekur edhe një statut për Luginën e Preshevës, duke krijuar barazi reciproke, me minoritetin serb në Kosovë.
“Është mirë që vetë Qeveria e Kosovës të nxjerrë një statut mbi këtë shoqatë si formë të dialogimit. Dhe, këtu çdoherë duhet të vij në shprehje reciprociteti. Dialogohet me shtetin serb për minoritetin serb në Republikën e Kosovës, por edhe Kosova e ka një minoritet në Luginën e Preshevës dhe një interes të lart në Sanxhak. Reciprociteti është parim ndërkombëtar dhe këtu nuk ka mundësi askush që të kërkojë nga Kosova moszbatimin e kësaj rregulle diplomatike. Mbi këtë paraqitet edhe një statut për Luginën e Preshevës. Hiq më shumë a më pak se për minoritetin serb në Kosovë. Kërkohet domosdo një barazim i këtyre dy çështjeve në dialogim. Kjo është dhe mbetet prioritet në raport me shtetin serb”, theksoi Kelmendi për “Bota sot”.
Krasniqi: Kosova mori përkrahje maksimale nga SHBA-të
Islam Krasniqi
Ndërsa analisti politik, Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo vizitë e të dy përfaqësuesve ishte një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën sidomos temat që u përfolën që do të bisedohen e nuk u folën.
“Ishte një vizitë shumë e mirë, shumë domethënëse, ku përfaqësuesi amerikan z. Gabriel Escobar e dha një deklaratë nëse mund ta quajmë të fuqishme në mbështetje të pavarësisë dhe integritetit të saj. Shpeshherë ato janë larguar nga tryeza, por nuk do të thotë që nuk kthehen përsëri”, potencoi analisti.
Ai në bisedë e sipër thotë se deklarata e përfaqësuesit të BE-së për referendumin e Serbisë në Kosovë ishte provokuese, mirëpo që Qeveria ende vazhdon të mbajë qëndrimin e saj.
“Në një aspekt ishte pak provokuese nga ana e përfaqësuesit të BE-së, i cili diskutoi me OSBE-në lidhur me zgjedhjet serbe në Serbi, duke matur pulsin e institucioneve tona, zgjedhje të cilat do të mbahen në muajin prill, e që OSBE-ja merr përgjegjësi për bartjen e tyre si herave tjera. Gjersa Qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje në Republikën e Kosovës”, theksoi ai.
Në fund, analisti nënvizon se takimi ishte i rëndësishëm dhe gjetëm përkrahje përsëri tek SHBA-të.
“Mbi të gjitha ishte takim i rëndësishëm, nuk pat kërkesa diçka jashtë atyre që jemi mësuar t’i shohim qe një kohë të gjatë. E rëndësishme e gjithë kësaj që përkrahja e SHBA-ve nuk na mungon në këtë rrugëtim”, përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.