Që nga dita e hënë përfaqësuesi i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai nga BE-ja, Miroslav Lajçak qëndruan për vizitë në Kosovë.
E mërkura ishte dita e tretë dhe e fundit e vizitës së tyre.
Ata të dy së bashku kanë takuar krerët e shtetit dhe të partive politike në Kosovë, përfshirë ata serb, ku temë diskutimi kanë qenë, dialogu mes Kosovës e Serbisë, formimi i asociacionit, liberalizimi i vizave etj.
Qytetarët janë lodhur nga status quoja
Mesazhet kryesore të tyre ishin, se Kosova është shtet i pavarur e sovran, të cilës nuk mund t’i cenohet territori ose që të krijohen organizime të dyshimta, që mund të çojnë në bosnjëzimin e Kosovës. Por, po ashtu edhe emisari amerikan Escobar edhe ai i BE-së, Lajçak, ritheksuan qëndrimin e tyre fillestar, se marrëveshjet e nënshkruara duhet zbatuar, pa treguar për publikun nëse po mendonin në formën e asociacionit antikushtetues ose jo. Po ashtu ata bën thirrje që Kosova duhet të ketë një plan apo projekt të saj.
Ata me vizitën e tyre të përbashkët në Kosovë kanë bërë të ditur se dëshmojnë bashkëpunimin që ka SHBA-ja me BE-në për dialog duke pritur edhe zgjidhje përfundimtare.
“BE-ja dhe ShBA-ja kanë mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi. Ne e shohim dialogun si prioritet kyç për Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të sjell përfitime, pasi qytetarët janë lodhur nga status quoja. Ne respektojmë plotësisht parimet e Kosovës në dialog që është sovraniteti, integriteti dhe kushtetutshmëria”, ka thënë Lajçak.
Marrëveshjet e arritura në të kaluarën duhet të zbatohen!
Sa i përket asociacionit, Lajçak tha të mërkurën në Prishtinë se nuk do t’i imponohet asgjë Kosovës pa marrëveshjen dhe dakordimin e saj. Madje ai tha se askush nuk e dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë.
“Asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa marrëveshje dhe dakordim të sajë. Unë e dëgjoj shpesh këtë shprehjen se nuk duam një republikë të dytë serbe. Besoj se e kemi bërë të qartë shumë herë se askush nuk e dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë. Por, ka një parim universal, i cili thotë se ato (marrëveshje) që janë dakorduar duhet të zbatohen. Këtë po ua themi të dyja palëve, po e themi këtë në Prishtinë, po e themi këtë në Beograd. Si Kosovë keni bërë shumë zotime në 12 vitet e fundit, keni votuar shumë prej tyre, por është edhe një listë e gjërave të tjera që duhet të bëni. Asociacioni është një prej tyre. Pse të mos e ndryshojmë narrativen, pse të themi çka nuk duam, pse të mos themi çka duam”.
Për disa prej këtyre çështjeve ka folur edhe përfaqësuesi amerikan Gabriel Escbar, i cili tha se Amerika nuk është pjesë e dialogut e as e negociatave. “Ne s’jemi pjesë e dialogut as pjesë e negociatave. Por, siç tha z.Lajcak ne besojmë që marrëveshjet që janë arritur në të kaluarën duhet të zbatohen. Megjithatë ne nuk kemi ardhur me ndonjë përshkrim apo propozim se çka duam të imponojmë. Në fakt ne po ju kërkojmë palëve të tregohen konstruktive, të na tregojnë vizionin e tyre se si duhet të duket Asociacioni, dhe të vazhdojmë të negociojmë nga aty, brenda kornizës së dialogut”, tha Escobar.
Kuçi: Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë realisht do i ofroj paqe gjithë Ballkanit
Gurakuç Kuçi
Njohësi i çështje politike, Gurakuç Kuçi, në një përgjigje për “Bota sot” thotë se e gjithë vëmendja ishte tek asociacioni dhe marrëveshja e Uashingtonit, e që sipas tij, janë probleme që nuk sjellin zgjidhje dhe shpërqendrim nga qindra probleme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Konferenca e përfaqësuesve nga SHBA-ja dhe BE-ja për dialogun në Kosovë, ishte më shumë e përqendruar në pyetjet e gazetarëve. E gjithë vëmendja u përqendrua tek asociacioni dhe marrëveshja e Uashingtonit, dhe pak tek liberalizimi e një pyetje edhe për referendumin serb. Pra, e gjithë konferenca ishte një përqendrim në probleme që nuk sjellin zgjidhje dhe shpërqendrim nga qindra probleme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo qasje në konferencë ishte një mesazh katastrofal medial. Z. Escobar dhe z. Lajçak fatkeqësisht mbetën duke përsëritur përgjigjet e njëjta në pyetjet klishe, sepse nga vetë Kosova po përqendrohet vëmendja në interesat e Serbisë dhe jo në interesat e Kosovës”, thotë ai.
Ai thotë se deklarimet e tyre ishin të qarta, që po kërkojnë një model asociacioni brenda Kushtetutës së Kosovës, duke shtuar se një ndihmë për këtë çështje e ka, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke e thjeshtëzuar edhe më shumë problemin e Asociacionit.
“Qëndrimet e tyre edhe në konferencën e parë ishin të qarta, po ashtu edhe sot, po kërkojnë një model asociacioni brenda Kushtetutës së Kosovës, Lajçak madje ishte më specifik kur tha se po kërkojmë që veriu i vendit të futet nën kontrollin e Kosovës. Po ashtu Kosova ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Kjo e ka thjeshtëzuar shumë problemin e Asociacionit, pasi kemi një qëndrim nga jashtë ku kërkojnë zbatimin e Asociacionit, por pa kompetenca ekzekutive dhe në anën tjetër një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, një lloj modeli të asociacionit, por me emër ndryshe e ka dhënë edhe vet qeveria”, thotë ai.
Ai thotë se asociacioni mund të krijohet edhe në forma ku shqiptarët përfaqësohen dhe vendimet kërkohet të merren me shumicë të dyfishtë, si në Kuvendin e Kosovës.
“Asociacioni mund të bëhet edhe me klauzola kalimtare dhe me variacion që ofrojnë menaxhim nga aspekti kulturor, fetar, etj., brenda ligjeve të Kosovës, p.sh. Kosova së pari duhet të miratojë një ligj për religjionet dhe disa ligje të tjera, e pastaj të merret me asociacionin. Asociacioni mund të krijohet edhe në forma ku shqiptarët përfaqësohen dhe vendimet kërkohet të merren me shumicë të dyfishtë në kuadër të kompetencave konform ligjeve të Republikës”, shpjegon Kuçi.
Në fund shton, se Kosova edhe Serbia nuk kanë më kohë të bëjnë marrëveshje të cilat ruajnë status quo-në. Andaj marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të ofrojë paqe në gjithë Ballkanin.
“Kosova dhe Serbia nuk kanë më kohë dhe mundësi të bëjnë marrëveshje, të cilat ruajnë status quo-në, po ashtu askush nuk mund të merret aq gjatë me ne sikur të jemi pika më e rëndësishme në botë. Superfuqitë në përplasjet e tyre, kërkojnë që në zona të caktuara gradualisht të arrijnë ndarje influencash në forma të marrëveshjeve nga poshtë-lartë. Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë realisht do t’i ofroj paqe gjithë Ballkanit. Kosova ka shumëçka për të kërkuar në dialog dhe përqendrimi i gjithë Kosovës vetëm tek asociacioni është modeli që po e dëshiron Serbia”, përfundon për “Bota sot” Gurakuç Kuçi.
Gruda: Kosova është sovrane për të vendos për çështjen e saj
Përparim Gruda
Lidhur me këtë juristi Përparim Gruda, thotë se vet qëndrimi në Kosovë dhe deklarimin i Escobar kanë përmbushur një kërkesë të Kosovës sa i përket dialogut.
“Sa i përket deklaratës së Escobar, mendoj se prezenca e tij në Prishtinë dhe deklarata e tij, kanë për qëllim që të përmbushin një kërkesë që ka pas Kosova kohëve të fundit për sa i përket dialogut, kërkesë, e cila ka pasur të bëjë me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë, në këtë pikëpamje amerikanët sikur duan të tregojnë se janë prezent në dialog për të përmbushur një dëshirë të Kosovës”, thotë ai.
Derisa për deklarimet për formimin e asociacionit, që Kosova duhet të vendos vet, Gruda thotë se ky është një diskurs të cilin e ka krijuar pushteti aktual, se Kosova është sovrane, për të vendosur.
“Në lidhje me çështjen e asociacionit deklarimi i tyre se asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, dhe se i takon Kosovës të vendos se çfarë lloj kompetencash do të ketë, është po ashtu përgjigje në një kërkesë të Kosovës, ose një diskurs që ka krijuar pushteti aktual, se Kosova është sovrane për të vendos për çështjen e saj”, përfundon Përparim Gruda.