Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi aktualisht është në Hagë. Atij madje ditë më parë, gjykata speciale ia ka vazhduar paraburgimin.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i Procedurës Paraprake. Këtë e bëri të ditur, avokati i Thaçit, Gregory Keohe.
Por, është përfolur shumë edhe për keqpërdorime detyrash. Në raste të keqpërdorimeve duhet të ketë edhe një hetim.
Juristët kanë vlerësuar se kushdo që të ketë keqpërdorur detyrën zyrtare, përfshirë edhe hetimet e pasurisë cilido politikanë të jetë, duhet të hetohet deri në fund nga organet kompetente.
Burjani: PDK, LDK, AAK, subjekte këto që e kanë shpërdoruar pushtetin për qëllime individuale dhe grupore
Blerim Burjani
Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot” thotë se deri tani nuk ka ndonjë akuzë rreth kësaj.
Sipas tij, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja subjekte këto që e kanë shpërdoruar pushtetin për qëllime individuale dhe grupore dhe kanë shkaktuar shumë vepra penale.
“Deri më tash asnjëherë nuk kishte ndonjë akuzë ndaj tij për keqpërdorim të detyrës së tij zyrtare, të gjitha partitë e deritashme, pra PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja këto subjekte kanë shpërdoruar pushtetin për qëllime individuale dhe grupore dhe kanë shkaktuar shumë vepra penale që deri më tash askush nuk është dënuar apo akuzuar për shpërdorim të pushtetit si vepër penale në kodin penal, keqpërdorimi i detyrës zyrtare ka ndodhë tërë kohën qe 20 vjet, duke intervenuar për punësim, njerëz të punësuar pa meritë me kapje të shtetit, duke punësuar njerëz nëpër institucione të shumta, madje edhe në organe të rendit, gjyqësi, prokurori".
Ai shprehet se ka shumë keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe në cilësinë e mbajtjes së pushtetit kanë kryer një varg veprash penale.
“Pra, ka shumë keqpërdorime të detyrës zyrtare, në cilësinë e mbajtjes së pushtetit, kanë kryer një varg veprash penale, dhe janë avancuar nëpër vende të ndryshme të punës përmes pushtetit politik që deri më tash asnjë gjykatë nuk ka dhënë ndonjë verdikt për keqpërdorim masive të detyrës zyrtare. Në gjuhën popullore e kanë bërë rrush e kumbulla shtetin dhe sot gjinden në politikë, në universitete, në prokurori, gjyqësi dhe ndërmarrje publike dhe shërbim civil”, përfundon juristi për “Bota sot”.
Kelmendi: Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër penale
Muhamet Kelmendi
Edhe juristi Muhamet Kelmendi thotë se të gjithë ata që e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duhet të hetohen, dhe se a do të ketë një hetim të tillë varet nga hetimet dhe provat që i gjen prokuroria.
“Çështja e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pavarësisht nga cila pozitë, e larte a e ultë, është vepër e ndaluar dhe organet kanë për detyrë të hetojnë. A do të ketë akuzë nga organet për atë çështje, ndaj çdokujt, pra, edhe ndaj Thaçit, Mustafës, Haradinajt, Kurtit, Limajt etj., varet nga hetimet dhe provat që i gjen prokuroria”, thotë ai.
Sipas tij, ligji është i njëjtë për të gjithë, andaj askush nuk duhet lejuar të ikë nga përgjegjësia për veprat e tilla penale.
“Nuk duhet lejuar askënd të ikë përgjegjësia për veprat e tilla penale. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër penale dhe ka masa ndëshkuese. Ndëshkimin nuk e ndal emri a detyra. Ligji është i njëjtë për çdokënd në Republikë. Këtej edhe masat ndëshkuese janë të njëjta. Masat penale nuk përkufizohen me pozitë apo me emër, po me keqpërdorim dhe me intensitetin e energjinë kriminale të keqpërdoruesit. Ligji është i njëjtë”, përfundon juristi.
E, ditën e mërkurë, Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu para anëtarëve të Komisionit ka paraqitur Projektligjin për Deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.
E këtë e ka kundërshtuar opozita, e cila po konsideron se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është anti-kushtetues.
Sipas tyre, ekzekutivi nuk ka interes për ta bërë një ligj të tillë dhe se nëse dërgohet në kushtetuese do të bie poshtë. Për këtë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë.