Vizita e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, dhe zëvendës-ndihmës sekretarit të SHBA-së, Gabriel Escobar po konsiderohet si sinjal se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po hyn në fazën finale.
Përveç me krerët e shtetit dy emisarët perëndimor u takuan edhe me përfaqësuesit e subjekteve opozitare në Kosovë.
Kështu, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë takimit thuhet se e ka njoftuar z. Escobar dhe z.Lajçak për qëndrimet karshi situatës politike, me theks të veçantë për procesin e dialogut, me ç’rast i bëri të ditur edhe njëherë që LDK-ja mbështet procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundoj me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës.
Edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me z. Lajçak kanë diskutuar rreth dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një marrëveshje finale në mes të dy shteteve. Sipas tij marrëveshja duhet që të sigurojë njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.
Takim me dy diplomatët pati edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se në këtë takim ka ripërsëritur qëndrimet e tij për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Por, me gjithë këto deklarata ende nuk janë ndërmarr hapa konkret për përfshirjen e opozitës në dialog me Serbinë.
Ndonëse, kreu i PDK-së ka dhënë qëndrimin e tij rreth dialogut duke thënë se duhet ruajtur integriteti territorial, në distancë eksponentë të tjerë të PDK-së, kanë rikthyer në vëmendje idenë e shkëmbimit të territoreve.
Nga ana tjetër, LDK-ja ka emëruar si të deleguar për dialogun nënkryetarin Lutfi Haziri, i cili në opinion njihet si përkrahës i idesë së shkëmbimit të territoreve.
Kelmendi: I takon pozitës të punojë me opozitën
Nga ana tjetër, juristi Muhamet Kelmendi vlerëson se në këtë gjendje, që Kosova të dali fituese, domosdo është uniteti i pozitës me opozitën në dialogim me shtetin serb.
Muhamet Kelmendi
“Nuk ka rruge tjetër në kohen që jemi. I takon pozitës të punojë me opozitën, madje edhe me organizatat jo qeveritare, sikundër edhe me institucione, që bashkërisht të gjendet forma e dialogimit. Baza është shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës. Është Kushtetuta dhe parimi i reciprocitetit me shtetin serb. Kosova ka minoritet në Serbi si Serbia në Kosovë. Këto dy çështje kërkohet të shkojnë bashkërisht. Nuk ka rrugë tjetër të dialogimit. Reciprociteti dhe vetëm reciprociteti”, thotë Kelmendi.
“I takon pozitës të punojë me opozitën”
Analisti Leon Duhanaj thotë se, bazuar në zhvillimet e kohëve të fundit dhe në dinamiken e ndërmarrë nga SHBA-ja, duket ta kenë marrë me seriozitet këtë çështje duke synuar që sa më parë temës së dialogut Kosovë - Serbi, t'i japin epilog përfundimtar.
Leon Duhanaj
Ai thotë se ky është një lajm tepër i mirë për Kosovën dhe se duhet të na gëzojë fakti se mesazhet ishin të qarta dhe të koordinuara, gjë që heqë nga tavolina çdo variant shqetësues për Kosovën.
“Tani duket që përmes kësaj vizite institucionet e vendit, por dhe partitë politike kanë marrë mesazhet e duhura për pritjet që partnerët tanë kanë në raport me Kosovën. Këto mesazhe duhet marrë shumë seriozisht dhe të bëhet çfarë është e duhur që të realizohen. Momentumi në të cilin gjendet Kosova tani, është shumë i favorshëm dhe duhet shfrytëzuar maksimalisht që kësaj teme t'i japim epilog, në mënyrë që të dalim nga "status quo"”, potencon ai.
Në këtë kontekst, Duhanaj thotë se është me rëndësi që së pari Qeveria dhe Presidenca të ftojnë për unitet dhe bashkëpunimin, dhe më pastaj edhe opozita të jetë bashkëpunuese në këtë proces.
“Unë mendoj që ne kemi opozitë konstruktive. Kosova duhet të dalë me platformë të qartë dhe të ofroj alternativën e saj rreth temës se asociacionit, në mënyrë që mos të përballet me befasi jo të këndshme”, përfundoi Duhanaj.
Qeveria Kurti theu tendencat e Serbisë dhe mbështetësve të saj në BE
Nga ana tjetër, analisti Gani Qarri thotë për gazetën “Bota sot”, se është me rëndësi të madhe që sa më parë edhe opozita të përfshihet në procesin e dialogut me Serbinë
Gani Qarri
“Në situatën nëpër të cilën aktualisht po kalon Kosova, sidomos tani kur dialogut Kosovë-Serbi i janë përkushtuar me tërë seriozitetin edhe vet SHBA-të duke autorizuar Përfaqësuesin e vet Special, z.Eskobar për mbështetjen e këtyre bisedimeve krahas ndërmjetësimit të BE-së, është me rëndësi të madhe që sa më parë edhe opozita të përfshihet në procesin e dialogut me Serbine, sidomos tani kur Qeveria Kurti theu tendencat e Serbisë dhe mbështetësve të saj në BE, për formimin e asociacionit kundërkushtetues, një etnik serb me kompetenca ekzekutive, marrëveshje të cilën e kishin nënshkruar kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati Isa Mustafa”, thotë Qarri.
Tre hapat që duhet t`i ndjek opozita
Qarri thotë se nëse opozitës i ka mbetur vetëm edhe pak moral njerëzor dhe një fije ndërgjegje në vetëdijen e saj, duhet t’i ndërmarrë tre hapa të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen e saj, për ta pastruar sadopak të kaluarën e vet të dyshimtë dhe veprimet konspirative me Serbinë, në kurriz të Kosovës.
“Siç u mor vesh nga diskutimet me emisarët Eskobar e Lajçak, me hedhjen poshtë të asociacionit të paligjshëm, me kompetenca shtetërore, opozita është liruar pjesërisht edhe nga obligimi që kishte marrë me vetdëshirë mbi vete, për ta formuar një ngrehinë të tillë të kundërligjshme, në kurriz të Kosovës dhe bosnjëzuar shtetin tonë, asociacion kundërkushtetues një etnik serb me kompetenca ekzekutive, i para programuar për ndarjen përfundimtare të Kosovës. Kështu që, opozitës, nëse vërtetë i ka mbetur vetëm edhe pak moral njerëzor dhe një fije sado e hollë ndërgjegje në vetëdijen e saj, duhet ti ndërmarrë tre hapa të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen e saj, për ta pastruar sadopak të kaluarën e vet të dyshimtë dhe veprimet konspirative me Serbinë, në kurriz të Kosovës. E para, opozita dhe veçanërisht PDK-ja, pikësëpari duhet ta falënderojë kryeministrin Kurti, që nuk e lejoi formimin e një ngrehine të rrezikshme serbe, si asociacioni, që apriori çonte në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, së dyti, t’i kërkojë falje publike mbarë popullit të Kosovës, për gjithë prapësitë dhe telashet që i ka shkaktuar vendit, duke e çuar Kosovën buzë ndarjes dhe shuarjes së shtetësisë së saj, për çka ministrat e PDK-së, kanë paguar edhe firma të huaja dhe së treti të kërkojnë pjesëmarrjen në procesin e bisedimeve me Serbinë, me garanci që nuk do ta tradhtojë Kosovën, për të dhënë kontributin e vet, të paktën në fund të dialogut, sa për të mos u konsideruar nga qytetarët, përgjithmonë parti të shitura e tradhtare”, deklaroi ai.
“PDK-ja të mos përfshihet në dialog”
Kështu, Qarri potencon se PDK-ja për shkak të humbjes së besimit te shqiptarët, duhet të përjashtohet nga çdo formë e involvimit në ekipin e Kosovës për dialog me Serbinë.
“Veçanërisht PDK, si parti kuislinge emisarët dubiozë të të cilës vazhdojnë të dalin hapur, tanimë jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër qëndrimit të prerë të SHBA-ve, ani pse SHBA-të janë deklaruar për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe mosndryshimin e kufijve shtetëror të vendit tonë, duke kërkuar me eksponentët e vet pro-Vuçiqit dhe pro-Serbisë si Ramë Buja e Vlora Çitaku edhe ndarjen e Kosovës, fillimisht si parti duhet të distancohet në çdo formë, nga kërkesat më të reja reaksionare të Vlora Çitakut e Ramë Bujës për ndarjen e Kosovës dhe t’i kërkoj falje publike popullit të Kosovës për tradhtitë dhe të gjitha të këqijat që ia ka bërë këtij vendi, e pastaj të kërkojë besimin e Qeverisë për t`iu bashku ekipit të bisedimeve me Serbinë, me garancinë që nuk do ta tradhtojë Kosovën, përndryshe PDK-ja për shkak të humbjes së besimit te shqiptarët, duhet të përjashtohet nga çdo formë e involvimit në ekipin e Kosovës për dialog me Serbinë”, përfundon ai.