Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale për Evropën (SOCEUR) do ta vendosë një shtab, që funksionon me rotacion, në Shqipëri.
Shtabi i Forcave të Operacioneve Speciale do të vendoset në shtetin shqiptar me qëllim për të siguruar ndërveprueshmëri më të madhe me Shqipërinë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.
Në deklaratën e SOCEUR-i thuhet se kjo vendndodhje “redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”.
Gjeneralmajori David Tabor tregoi arsyet se pse Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën përzgjodhi Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës së Forcave Operacionale Speciale.
Krahas kësaj, gjenerali amerikan tha se kjo do të jetë një bazë ushtarake relativisht e vogël, afërsisht 10 deri në 15 vetë, që priten të vendosen në Shqipëri në ndihmë të angazhimit që SHBA-të kanë jo vetëm këtu, por edhe në vende si Kosova, Bosnja, Serbia, Kroacia dhe në të gjithë rajonin.
Ky vendim i SHBA-së për ngritjen e kësaj baze në Shqipëri nxiti reagime të mëdha, dhe po vlerësohet si një vendim me rëndësi të jashtëzakonshme.
E lidhur me këtë çështje për gazetën “Bota sot” folën eksperti i sigurisë, Drizan Shala dhe opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti.
Edhe ata, vendosjen e kësaj baze speciale e vlerësuan si të rëndësishme, derisa treguan edhe faktet që pasqyron kjo gjë.
Madje, Kapiti tregoi edhe për rëndësinë e sigurisë dhe të mbrojtjes së rajonit dhe shteteve shqiptare përballë kërcënimeve serbo-ruse.
Shala: Pozicionimi i bazës për veprime speciale operacionale në Shqipëri pasqyron këto fakte
Drizan Shala
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi ngritjen e Shtabit të Forcave të Operacioneve Speciale në Shqipëri.
Fillimisht, ai u shpreh se pozicionimi i bazës amerikane në shtetin shqiptar pasqyron disa fakte, ku njëra nga këto është pozita e Shqipërisë dhe ndërlidhja me detin Mesdhe në aspektin taktik operacional dhe strategjik të veprimeve kundër ISIS-it.
“Pozicionimi i bazës për veprime speciale operacionale në Shqipëri pasqyron këto fakte:
1. Në kuadër të FASH, Batalioni Operacional Special (BOS) është treguar e suksesshme në pjesëmarrjen e tyre në shtrirjen e demokracisë në vendet ku NATO ishte dhe është aktive.
2. Pozita e Shqipërisë dhe ndërlidhja me detin Mesdhe në aspektin taktik operacional dhe strategjik të veprimeve kundër ISIS-it apo grupeve të tjera terroriste në Afrikën e Veriut është një përparësi e jashtëzakonshme vendosja e një baze për forcat speciale amerikane (SEALS, RANGER si dhe DELTA FORCE) në territorin e saj, duke dhënë sinjale që nëse do mund të ketë zhvillime kjo bazë mund të agojë edhe në mbrojtjen e politikes amerikane në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.
Ndërsa, sa i përket mundësisë së Kosovës për të bashkëpunuar me këtë bazë, eksperti i sigurisë vlerësoi se shteti ynë duhet të përmbyllë detyrat e tij dhe më pas të dërgojë njësitë në aftësim dhe trajnim profesional në këtë bazë.
“Sa i përket Kosovës, në këtë fazë mendoj që vendi duhet të përmbyllë detyrat e tij në planin e tij dhe tek pastaj dalëngadalë të filloj që të dërgojë njësitë e tij në aftësim dhe trajnim profesional në këtë bazë, nëse do mund të arrijë ndonjë marrëveshje eventuale me Pentagonin dhe Ministrinë e Shqipërisë”, potencoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Kapiti: SHBA-të e vlerësojnë Shqipërinë, por edhe Kosovën si aleat besnik të NATO-s
Skënder Kapiti
Ndërsa, opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se vendosja e kësaj baze ka rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare për të dyja shtetet shqiptare.
Krahas kësaj, ai u shpreh se me këtë gjë, Amerika tregoi se e vlerëson Shqipërinë, por edhe Kosovën si aleat besnik të NATO-s.
“Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale në Evropë (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë një shtab pararojë në Shqipëri. Ky fakt i vendosjes së selisë në Shqipëri ka një rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare dhe të dy shteteve shqiptare si dhe të një bashkëveprimi esencial të dy shteteve shqiptare me aleatin e madh e jetik të shqiptarëve me SHBA-në, si dhe më gjerë me NATO-n. Kjo tregon se SHBA-ja e vlerësojnë Shqipërinë, por edhe Kosovën si aleat besnik të NATO-s”, deklaroi opinionisti.
Gjithashtu, Kapiti beson se ngritja e kësaj baze ka rëndësi jetike për mbrojtjen dhe sigurinë rajonale, ku dihet se Rusia dhe Serbia tash e një kohë po përpiqen ta destabilizojnë rajonin e Ballkanit.
Po ashtu, ai konsideron se duke parë forcimin e shtetit serb me mjete ushtarake moderne nga Rusia, ky shtab i shërben shumë shteteve shqiptare, të cilat nuk kanë shumë fuqi ushtarake.
Ky vendim përbën një rëndësi të përmasave jetike të sigurisë e mbrojtjes rajonale, përballë kërcënimeve serbo-ruse.
“Ky vendim është shumë i rëndësishëm dhe përbën një zhvillim mjaft domethënës e me rëndësi të përmasave jetike të sigurisë e mbrojtjes rajonale në një kohë kur Rusia dhe Serbia vazhdimisht përpiqen për destabilizimin e rajonit të Ballkanit. Kjo përbën dhe i shërben pothuajse kryesisht si Shqipërisë dhe Kosovës, pasi të dyja shtetet shqiptare nuk kanë potenciale ushtarake dhe as fuqi mbrojtëse për të përballuar një situatë kur Serbia nga ana tjetër është e armatosur me armët më moderne të marra nga Rusia. Rëndësinë e vendosjes së këtij Shtabi në Shqipëri e thotë komandanti i Komandës së Operacioneve Speciale në Evropë. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal, ashtu dhe global””, theksoi ai.
Më tej, opinionisti potencoi se Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale për Evropën ka për qëllim që të ndërtojë ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve të ndryshme.
“SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien shqiptare me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme”, nënvizoi Kapiti.
Në fund, ai tha se vendosja e kësaj baze ushtarake është bërë me qëllim që t’i kundërvihen çdo kërcënimi apo sulmi në rajon, gjë që jep garanci edhe për Kosovën.
“Pra, kjo do të thotë se vendosja e këtij Shtabi në Shqipëri bëhet për t’ju kundërvënë veprimeve keqdashëse, kundër kërcënimeve e sulmeve të mundshme në rajon, pra që do të thotë se vendosja e këtij shtabi në Shqipëri është siguri dhe garanci edhe për Kosovën pasi SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien shqiptare me aleatët dhe partnerët", përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.