Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi ngritjen e Shtabit të Forcave të Operacioneve Speciale në Shqipëri.
Fillimisht, ai u shpreh se pozicionimi i bazës amerikane në shtetin shqiptar pasqyron disa fakte, ku njëra nga këto është pozita e Shqipërisë dhe ndërlidhja me detin Mesdhe në aspektin taktik operacional dhe strategjik të veprimeve kundër ISIS-it.
“Pozicionimi i bazës për veprime speciale operacionale në Shqipëri pasqyron këto fakte:
1. Në kuadër të FASH, Batalioni Operacional Special (BOS) është treguar e suksesshme në pjesëmarrjen e tyre në shtrirjen e demokracisë në vendet ku NATO ishte dhe është aktive.
2. Pozita e Shqipërisë dhe ndërlidhja me detin Mesdhe në aspektin taktik operacional dhe strategjik të veprimeve kundër ISIS-it apo grupeve të tjera terroriste në Afrikën e Veriut është një përparësi e jashtëzakonshme vendosja e një baze për forcat speciale amerikane (SEALS, RANGER si dhe DELTA FORCE) në territorin e saj, duke dhënë sinjale që nëse do mund të ketë zhvillime kjo bazë mund të agojë edhe në mbrojtjen e politikes amerikane në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.
Ndërsa, sa i përket mundësisë së Kosovës për të bashkëpunuar me këtë bazë, eksperti i sigurisë vlerësoi se shteti ynë duhet të përmbyllë detyrat e tij dhe më pas të dërgojë njësitë në aftësim dhe trajnim profesional në këtë bazë.
“Sa i përket Kosovës, në këtë fazë mendoj që vendi duhet të përmbyllë detyrat e tij në planin e tij dhe tek pastaj dalëngadalë të filloj që të dërgojë njësitë e tij në aftësim dhe trajnim profesional në këtë bazë, nëse do mund të arrijë ndonjë marrëveshje eventuale me Pentagonin dhe Ministrinë e Shqipërisë”, potencoi Drizan Shala për “Bota sot”.