Nga 31 janari deri më 2 shkurt, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, kanë qëndruar në Kosovë, dhe kanë zhvilluar takime me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Njëra nga temat që diplomatët perëndimorë diskutuan ishte marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë
Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, nuk takuan asnjë përfaqësues të Luginës së Preshevës gjatë vizitës së tyre në Beograd.
Nuk takohen me përfaqësuesit e Kosovës Lindore
Për këtë, ka reaguar deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili thotë se “as unë e as dikush tjetër nga përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk jemi të ftuar për t’u takuar me përfaqësuesin e BE-së apo të SHBA-së, dhe mendoj se kjo është një qasje e gabuar ndaj Luginës së Preshevës”.
Kamberi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e sheh si “karrem” ndaj Kosovës për ta fajësuar këtë të fundit për bllokim të bisedimeve.
“Kemi një situatë që një marrëveshje lidhur me Asociacionin është arritur në Bruksel, të cilën Gjykata kushtetuese e Kosovës e ka shpallur në shpërputhje me Kushtetutën. Në anën tjetër, duke e shfrytëzuar nënshkrimin e Brukselit, është shumë e qartë se tema e asociacionit është një temë në të cilën Serbia do të insistojë të jetë në agjendën e bisedimeve dhe në rast refuzimi do të tentojë të fajësojë Kosovën për bllokim të bisedimeve”.
“Shembulli i Bosnjës dhe paraliza e funksionimit të saj si shtet unitar nga Republika Srpska, është dëshmi më se e qartë që nuk duhet pranuar ndërtimin e kurrfarë mekanizmi i cili në të ardhmen mund ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës”, deklaron Kamberi.
Kur flet për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, Kamberi kërkon që në dialog të përfshihet edhe Lugina e Preshevës, pasi sipas tij, marrëveshja eventuale mes dy shteteve “nuk do të jetë e plotë nëse Lugina e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve duke respektuar parimin e reciprocitetit, nuk do të jenë pjesë e asaj marrëveshje”.
“Paqja afatgjate dhe mirëqenia në Ballkan varet më së shumti nga raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por, këto raporte do të jenë vazhdimisht të tensionuara nëse Lugina Preshevës do të lihet pas dore në dialogun me Serbinë”, thekson Kamberi.
Se sa është e mundur që të zbatohet parimi i reciprocitetit në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
Escobar ndryshoi pozicionin e Kosovës
Gani Qarri
Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se vizita e Escobarit dhe Lajçak, ka ndryshuar pozicionin e Republikës së Kosovës në të mirë, madje i hapi rrugë edhe Qeverisë që të këmbëngul për reciprocitetin.
“Vizita e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar i cili është diplomat i lartë e me shumë përvojë dhe zëvendës-ndihmës i Sekretarit të Shtetit Amerikan, bashkë me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe qartësimi i qasjes SHBA-BE, lidhur me asociacionin kundër kushtetues një etnik serb, duke mos pranuar që të ketë kompetenca ekzekutive dhe as të krijohet një "republika srpska" edhe në Kosovë, ndryshoi për të mirë pozicionin e Republikës së Kosovës, në vijimin e dialogut me Serbinë dhe i hapi rrugë Qeverisë, që të këmbëngul në reciprocitet për shqiptarët e Kosovës Lindore, të cilëve Serbia ua ka ndaluar të gjitha të drejtat kombëtare e arsimore, duke filluar nga flamuri e simbolet kombëtare, deri te vet abetarja për fëmijët fillestar në shkolla, akt që aktualisht, nuk ndodhë në asnjë vend evropian”, tha ai.
Tutje ka thënë se edhe nëse kërkohen koncesione gjatë dialogimit, ato duhet të jenë të dyanshme, sepse Kosova nuk duhet të shkoj në bisedime pa përfituar diçka për shqiptarët në Serbi, amo Preshevë.
“Prandaj duke pasur parasysh faktin se në dialog marrin pjesë dy shtete të pavarura, Kosova në bisedime me Serbinë, përfundimisht duhet të shkoj si palë e barabartë dhe nëse vërtetë kërkohet të bëhen medoemos koncesione, atëherë ato duhet të jenë të dy-anshme dhe të bëhen nga të dy palët, sipas parimit të reciprocitetit dhe të drejtës ndërkombëtare. Kështu që përfundimisht, Kosova duhet kërkuar nga ndërmjetësuesit e BE-së, dhe SHBA, që Serbia, tu ofrojë shqiptarëve nën Serbi, veçanërisht në Kosovën Lindore Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, krejt ato që ajo kërkon për pakicën serbe në Kosovë. Kosova në asnjë mënyrë, nuk mund të shkojë më në bisedime, në pozicionin bamirës të “Nënë Terezës”, dhe pa përfituar asgjë për shqiptarët nën Serbi, me vogëlsinë e saj, të ofrojë, çdo gjë që kërkon Serbia, përfshi edhe pretendimin për eksterritorialitet brenda vendit dhe gllabërimin e territoreve më vitale të Kosovës”, shtoi Qarri.
Më tej deklaroi se marrëveshje përfundimtare duhet të garantohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Si të arrihet marrëveshja
Sipas Qarrit, nga tani reciprocitet duhet të jetë kërkesa vendimtare për negocim si dhe nga Qeveria e Kosovës, dhe të mos heqet dorë deri në momentin që të realizohet një marrëveshje përfundimtare me shtetin serb.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një marrëveshje e drejtë dypalëshe dhe të zbatohet parimi i reciprocitetit ne marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, por duke pasur parasysh përvojën e keqe, të moszbatimit të marrëveshjeve të deritanishme nga Serbia, marrëveshja përfundimtare duhet të garantohet nga bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që të sigurohet trajtimi i barabartë i shqiptarëve në Kosovën Lindore me pakicën serbe në Kosovë. Ndaj duke pasur parasysh faktin se tema e asociacionit kundër kushtetues serb me kompetenca ekzekutive, bosnjëzimi dhe krijimi i një "republika srpska" në Kosovë, fatmirësisht është hequr nga rendi i ditës, tani e tutje, për Kosovën reciprociteti dhe trajtimi i barabart i pakicave kombëtare në Kosovë dhe Serbi, duhet të jete fjala kryesore dhe kërkesa vendimtare e ekipit për negocim dhe vet Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë, kërkesë nga e cila nuk duhet të hiqet dorë në asnjë mënyrë, derisa ajo të realizohet në plotësi dhe vendoset në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, si mënyra e vetme për rikthimin dhe vendosjen e të drejtave të shqiptarëve nën këtë shtet hegjemonist”, ka përfunduar Gani Qarri.
“E vetmja mundësi për shqiptarët e Preshevës”
Hidajet Ahmeti
Analisti Hidajet Ahmeti, ka potencuar se reciprociteti duhet të kërkohej në dialog, sepse është e vetmja mundësi për banorët e Preshevës, të cilët janë të diskriminuar nga politika serbe.
“Riciprociteti është një politikë që duhet praktikuar në këtë rast, pasi është e vetmja mundësi për t'i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Eshtë imperativ i kohës që pala e Kosovës në dialog të kërkoj nga BE-ja si ndërmjetësuese që në agjenden e temave të dialogut të jetë kjo çështje. Shqiptarët në Luginën e Preshevës janë të diskriminuar nga politika serbe, dhe kërkojnë nga shteti i Kosovës dhe Shqipërisë që t'iu dalin në ndihmë. Shteti shqiptar në kushtetutën e saj e ka obligim të mbrojë dhe promovojë të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve administrativ te saj”, deklaroi ai.