“Keqpërdorime, korrupsion, vjedhje …!”/ Ja ku do të duhej të ‘zbarkonte’ prokuroria

Politika

“Keqpërdorime, korrupsion, vjedhje …!”/ Ja ku do të duhej të ‘zbarkonte’ prokuroria

Nga: A.M. Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 17:51
Foto ilustrim

Ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy të tjerëve pasi të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’. 

Aktakuza ndaj Lekajt ndërlidhet me rastin e 53 milionë eurove shtesë të cilat Ministria e Infrastrukturës i ka ndarë për “Bechtel&Enka”, disa vjet më parë, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë. 

Dy të akuzuarit tjerë janë Nebih Shatri, ish-zyrtar i Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Eset Berisha, shef i kabinetit të Lekajt. 

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri. 

Fillimisht, ai përmendi haraçin dhe vjedhjet bizare që u rikthyen në ritual të partitë të inkriminuara. 

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri. 

“Përveç vjedhjes bizare që mjerisht, ishte kthyer në ritual të partive të inkriminuara, si dhe haraçit tashmë të bërë publik, në emër të tenderëve, si rasti me mbi 53 milion euro, të pa arsyetuara deri në fund ligjërisht, AAK duhet të merret, sa më parë, në përgjegjësi penale edhe për sakatimin e tmerrshëm të arsimit veçanërisht nëpër fshatra, në komunat ku ajo udhëheqë duke zgjedhur drejtor shkollash me mandat të përjetshëm, personat me shkollim të mesëm edhe 3 vjeçar, si bashkë partiakët e kohës së komunizmit jugosllav, anarki e cila për hir të mbarëvajtjes së shkollimit dhe të mirën e arsimimit të nxënësve të rinj, si ardhmëria e këtij vendi, medoemos duhet të marr fund sa më shpejtë”, deklaroi analisti. 

Sipas Qarrit, nëse vazhdon të heshtet dhe të mos merret asgjë ndaj shkatërrimit të arsimit, atëherë dëmet materiale do të harrohen edhe më shpejtë. 

“Përndryshe, nëse heshtet edhe më tej dhe nuk ndërmerret asgjë në këtë drejtim, shumë shpejtë do të harrohen dëmet materiale, në krahasim me ato arsimore, që kjo parti po ua shkakton nxënësve të shumicës së shkollave nëpër fshatra, duke prodhuar gjysmë analfabet me shumicë, në komunat ku sundojnë azganët e saj, gjë që Qeveria aktuale, duhet ti jap fund dhe me asnjë kusht, nuk guxon ta tolerojë më tej”, theksoi ai. 

Kurse, sa i përket aktakuzës ndaj Pal Lekajt analisti tha se ky është vetëm fillimi i marrjes seriozisht me njerëzit të cilët sa ishin në pushtet privatizuan dhe përvetësuan buxhetet e komunave dhe institucioneve të vendit. 

“Për aq më tepër, ngritja e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy bashkëpunëtorëve, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, duhet të jetë vetëm fillimi i marrjes seriozisht, të ligjit dhe drejtësisë me këta njerëz, të cilët gjatë kohës sa ishin në pozita dhe pushtet, e kanë përvetësuar dhe privatizuar çdo gjë përfshi edhe buxhetin e komunave dhe të gjithë vendit, duke marrë para nga arka e shtetit ,sikur ajo të ishte pasuria personale e trashëguar nga etërit e tyre, pasuria e shumicës prej të cilëve, siç dihet, para lufte ishte, jo më tepër se, sa për "idare"”, vlerësoi Qarri.

Krahas kësaj, ai konsideron se aktakuza ndaj Lekajt është e rëndë dhe se bëhet fjalë për 53 milionë euro, të cilat sa ishte ministër i ka ndarë pa i sqaruar mirë dhe sa duhet llogarit. 

“Madje ajo që e bënë këtë rast edhe më të rëndë e flagrant, është fakti se aktakuza ndaj Lekajt, nuk është aspak e lehtë, dhe as aktakuzë çfarëdo për delikte të vogla e të parëndësishme, por shumë e rëndë dhe e pashpjegueshme, e cila ndërlidhet me dyshimin e hiq më pak se 53 milionë eurove shtesë të cilat Ministria e Infrastrukturës me Pal Lekajn në krye, i ka ndarë pa i sqaruar mirë dhe sa duhet llogarit, pa bërë arsyetimin e tyre, si dhe pa dhënë shpjegimet e nevojshme, firmës “Bechtel&Enka”, disa vjet më parë, si "shtesë" për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë”, potencoi analisti. 

Në fund, Qarri deklaroi se ky është vetëm fillimi i nisjes së aktakuzave ndaj ish-udhëheqësve të institucioneve, derisa paralajmëroi se prokuroria do të ‘zbarkojë’ edhe në të gjitha ministritë dhe partitë politike. 

“Kështu që ky fillim i zbulimit dhe nisjes së aktakuzave për gjykimin e ish-udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, medoemos duhet të zbarkojë në çdo ministri dhe parti politike, dhe të hetohen të gjithë tenderët e dyshimtë, për shkak të keqpërdorimeve flagrante dhe shkallës alarmante të korrupsionit, që kanë ndodhur në 20 vitet e fundit, të udhëheqjeve të partive të inkriminuara, që as sot nuk shprehin asnjë pendesë për korrupsionin dhe krimin galopant, të shtrirë në të gjitha institucionet anë e mbanë Kosovës, të cilat ka ardhur koha që përfundimisht të trajtohen, siç e kërkon e drejta, rendi dhe ligjet e këtij vendi, pa marrë parasysh kush janë të akuzuarit dhe emrat e personave të penalizuar, të cilët edhe duhet të dënohen, nëse vërtetohen dyshimet ndaj tyre”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat