Gjatë javës së kaluar, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy zyrtarëve të tjerëve, pasi të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Aktakuza ndaj Lekajt ndërlidhet me rastin e 53 milionë eurove shtesë, të cilat Ministria e Infrastrukturës i ka ndarë për “Bechtel&Enka”, disa vjet më parë, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë.
Dy të akuzuarit tjerë janë Nebih Shatri, ish-zyrtar i Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Eset Berisha, shef i kabinetit të Lekajt.
Kujtojmë se pak ditë pas marrjes së detyrës në shtator 2017, qeveria e Haradinajt nënshkroi aneks kontratën e re me kompaninë “Bechtel&Enka”, gjë që i kushtoi qeverisë 53.1 milionë euro të tjera.
Pas debateve të shumta rreth ndarjes 53 milionë eurove prokuroria kishte nisur hetimet rreth këtij rasti.
Gjatë javës së kaluar, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy zyrtarëve të tjerëve, pasi të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Aktakuza ndaj Lekajt ndërlidhet me rastin e 53 milionë eurove shtesë, të cilat Ministria e Infrastrukturës i ka ndarë për “Bechtel&Enka”, disa vjet më parë, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë.
Dy të akuzuarit tjerë janë Nebih Shatri, ish-zyrtar i Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Eset Berisha, shef i kabinetit të Lekajt.
Kujtojmë se pak ditë pas marrjes së detyrës në shtator 2017, qeveria e Haradinajt nënshkroi aneks kontratën e re me kompaninë “Bechtel&Enka”, gjë që i kushtoi qeverisë 53.1 milionë euro të tjera.
Pas debateve të shumta rreth ndarjes 53 milionë eurove prokuroria kishte nisur hetimet rreth këtij rasti.
Vetëm në nëntor të vitit 2017, ministri Lekaj gjatë një debati televiziv tha se ka marrë një kërkesë për 63 milionë euro nga Bechtel Enka në lidhje me gjobën. Më pas, qeveria u mburr se kishte arritur të “shpëtonte” 10 milionë euro, duke paguar “vetëm” 53 dhe jo 63 milionë që u kërkuan fillimisht.
Mirëpo, kjo nuk është afera e vetme korruptive në të cilën u përfshinë ish-zyrtarë të lartë dhe ish-ministra.
Në Ministrinë e Bujqësisë disa muaj më parë u zhvillua një aksion ku u arrestuan 12 zyrtarë, u konfiskuan disa laptop si dhe disa dokumente të tjera të rëndësishme, për shkak të procedurave të dyshimta të dhënies së tenderëve.
Qeveria Kurti ka filluar që të hetojë tender, kontrata dhe marrëveshje, të cilat dyshohet se kanë ndodhur nëpërmjet keqpërdorimeve, ku zyrtarë të caktuar edhe përfituan personalisht.
Njohësit e çështjeve juridike për “Bota sot” komentuan aferat në të cilat u përfshinë zyrtarë të lartë shtetëror dhe ish-ministra.
Ata e vlerësuan lart iniciativën e qeverisë Kurti për t’i hetuar rastet e dyshimta.
Musliu: Dyshime të mëdha për interferenca apo ndërhyrje në aferën e 53 milionë eurove
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi aktakuzën e ngritur ndaj ish-ministrit Pal Lekaj për rastin e 53 milionë eurove.
Fillimisht, ai thotë se kjo aktakuzë nga Prokuroria Speciale erdhi pas një heshtje të gjatë.
“Pas një heshtje maratonike, ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër ish ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe dy zyrtarëve të tjerë, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e që ka të bëjë me pagesën e 53 milionë eurove për kompaninë Bechtel&Enka”, deklaroi juristi.
Krahas kësaj, Musliu përmendi faktin se për ndërtimin e autostradës ku dyshohet se u keqpërdorën këto miliona ishin ‘përkujdesur’ tri qeveri, e Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt.
Madje, ai thotë se këto qeveri e kanë menaxhuar këtë projekt me veprime joligjore.
“Duhet theksuar se, që nga fillimi i punimeve në ndërtimin e autostradës “Arben Xhaferi”, që lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut, në vitin 2014 e deri në përfundimin e tyre më 2019, janë “përkujdesur” tri Qeveri, e Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinaj, të cilat në kaskadë kanë përsëritur gabimet në menaxhimin e këtij projekti me veprime joligjore. Madje kontratën e ka nënshkruar Hashim Thaçi, në Qeverinë Thaçi II në korrik të vitit 2014, kur kjo Qeveri ka qenë Qeveri në detyrë dhe sipas rregullave Qeveria në detyrë nuk ka qenë kompetente të nënshkruajë këtë kontratë kapitale”, theksoi ai.
Mirëpo, juristi hodhi dyshime mbi ndërhyrjen në ngritjen e aktakuzës ndaj Lekajt, pasi kjo gjë erdhi vetëm pak para përfundimit të afatit 6 mujor.
Të gjitha rrugët dhe dyshimet çojnë te politikanët
Po ashtu, ai thotë se kur bëhet fjalë për shuma milionëshe, nuk mund të ndodhë që një ministër, mund ta bëjë këtë pa dijen dhe bashkëpunimin e ngushtë të kryeministrit përkatës.
“Është sinjifikative vonesa e ngritjes së aktakuzës, sepse afati ligjor ka qenë 24 muaj, e cila kishte skaduar, por fatmirësisht është shfrytëzuar një mundësi tjetër juridike, që ky afat të vazhdohet edhe për 6 muaj. Mirëpo, pse është pritur kaq shumë për ta iniciuar këtë çështje, madje aktakuza është ngritur në «ditën e fundit» të këtij afati 6 mujor. Kështu lindin dyshime të mëdha, se a ka pasur interferencë apo ndërhyrje në këtë aferë.
Të gjitha rrugët dhe dyshimet çojnë te politikanët, sepse në opinion rregullisht është shkruar dhe përfolur për këtë aferë, në të cilën janë të përfshirë ministra, prandaj është e qartë se pa ndërhyrjen e politikës, nuk do të pritej dita e fundit për ngritjen e aktakuzës. Dhe kur bëhet fjalë për shuma milionëshe, nuk mund të ndodhë që një ministër, mund t’a bëjë këtë pa dijen dhe bashkëpunimin e ngushtë të kryeministrit përkatës”, nënvizoi Musliu për “Bota sot”.
A thua a është reale ‘penalltia’ e shumës prej 53 mil. eurove, a ka mundur të evitohet ky ‘dënim’, pse nuk janë ndërmarrë me kohë masat parandaluese ?
Në vazhdim, juristi përmendi edhe kritikat për sistemin e drejtësisë në Kosovës, ku u vlerësua si e kapur dhe e ndikuar nga politika.
“Prandaj, jo rastësisht në të gjitha Raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Këshillit të Europës dhe shumë OJQ-ve vendore dhe ndërkombëtare, është kritikuar drejtësia në Kosovë, si e kapur dhe e ndikuar nga politika. Në këtë kontekst edhe afera «Pronto» e vërteton këtë konstatim, ku në përgjimet dëgjohen bisedat e zyrtarëve të lartë të PDK-ës, se si politikanët i kanë përzgjedhur prokurorët dhe gjyqtarët, me qëllim që ata më vonë të vihen në shërbimin e tyre, prandaj politikanët si konsumatorët më të mëdhenj të korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë ngelë të pandëshkueshëm”, shpjegoi ai.
Më pas, Musliu thotë se ish-ministrat Lutfi Zharku dhe Pal Lekaj duhet të japin përgjegjësi dhe t’i tregojnë fajtorët kryesorë të kësaj afere korruptive.
“Nëse Qeveria e Kosovës penalizohet se nuk i paska kryer të gjitha obligimet me kohë ndaj kompanisë Bechtel&Enka, atëherë pse kjo kompani nuk është penalizuar për vonesat e saj në ekzekutimin e punimeve?! A thua a është reale «penalltia» e shumës prej 53 milionë eurove, a ka mundur të evitohet ky «dënim», pse nuk janë ndërmarrë me kohë masat parandaluese?! Emërues i përbashkët i përgjigjes është, papërgjegjësia, që duhet të përcaktohet në procesin gjyqësor.
Se çfarë fshihet prapa kësaj afere, kush janë të implikuarit dhe fajtorët, këtë duhet ta sqarojnë në procesin gjyqësor ish ministrat e Infrastrukturës Lutfi Zharku dhe Pal Lekaj, të cilët ia hedhin fajin njëri – tjetrit”, vlerësoi juristi.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe vjedhjet masive në subvencione që ndodhën në Ministrinë e Bujqësisë.
Intervistimet
Musliu përmendi edhe intervistimin e ish kryeministrit Abdullah Hoti dhe ish ministres Hykmete Bajrami.
“Fillimisht detyrimi i Qeverisë ndaj kompanisë në fjalë, ka qenë 14 milionë euro, por për shkak të veprimeve të papërgjegjshme, kjo shumë u rritë në 53 mil. euro. Kjo është vetëm një aferë, ndër të shumtat, sepse gjatë dy dekadave në Kosovë, nuk ka pasur kontroll në menaxhimin e parasë publike. Në këtë kontekst po përmendi, se edhe në Ministrinë e Bujqësisë u zbuluan vjedhje masive me subvencionet dhe grantet e bujqve, që u procesuan në prokurori, dhe si rezultat i kësaj kishte shumë zyrtarë që tani janë nën hetime.
Lidhur me 53 milionë eurot, në cilësinë e dëshmitarit, nga task-forca e Kosovës, janë intervistuar edhe ish kryeministri Abdullah Hoti dhe ish ministrja Hykmete Bajrami. Po ashtu kjo task-forcë ka pasur nën hetime disa afera korruptive të ish zyrtarëve të LDK-ës, sikurse Agim Veliun, Skender Hysenin e tj., mirëpo për fat të keq, Abdullah Hoti kur ishte kryeministër e shkarkoi këtë task-forcë, me qëllim shmangien nga përgjegjësia të bashkëpartiakëve të tij”, theksoi Musliu.
Tutje, juristi konsideron se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka treguar përkushtim në luftimin e korrupsionit dhe krimit.
“Qeveria Kurti II, ka përkushtimin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj nëpër të gjitha ministritë është duke u skanuar gjendja dhe të gjitha keqpërdorimet do të adresohen në prokurori.
Si po duket, presioni i disa OJQ-ve dhe një televizioni, kohëve të fundit, para skadimit të afatit, aktualizuan aferën e 53 milionëve, prodhoi rezultate pozitive, duke u ngritur aktakuza ndaj ish ministrit Pal Lekaj. Këtë çështje e inkurajuan edhe reformat e paralajmëruara të Qeverisë Kurti për Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.
Krasniqi: Të hetohet çdo ministër, çdo zyrtar, pavarësisht pozitës, dyshimeve apo aferave
Juristi Islam Krasniqi thotë se është një gjë e duhur kur institucionet e drejtësisë hetojnë ish-zyrtarë të lartë shtetëror apo edhe ish-ministra, të cilët dyshohen për afera korruptive.
“Është mirë kur institucionet e drejtësisë nisin hetimet për zbardhjen e aferave korruptive të zyrtarëve të shtetit apo ministrave, të cilët keqpërdorin pozitat e tyre zyrtare apo ndikojnë nga aty ku janë për t’i sjellur përfitime vetes apo personit të tretë në mënyrë të kundërligjshme”, deklaroi ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”.
Sa i përket ngritjes së aktakuzës për 53 milionë eurot e përfituara nga “Bechtel&Enka” ku përfshihet edhe ish-ministri Pal Lekaj, Krasniqi thotë se ka hapësirë për dyshime të mëdha, derisa përmendi disa fakte.
“Afera apo nëse mund ta quajmë ‘dhurata’ e 53 milionë eurove shtesë, të cilat Ministria e Infrastrukturës ia dha “Bechtel&Enkës”, ka qenë veprim i paarsyeshëm dhe i cili na jep shumë hapësirë që të dyshojmë se ka keqpërdorime në këtë proces. Kjo, sepse kompania në fjalë nuk e respekton asnjë kontratë, humb disa punëtorë në punë duke mos e krijuar sigurinë në vendin e punës dhe askush nuk merret me këtë punë dhe në fund shpërblehet nga qeveria apo ministria përkatëse”, theksoi juristi.
Në fund, ai përmendi edhe disa aktakuza tjera të ngritura ndaj zyrtarëve të shtetit, mirëpo që prokuroria dhe gjyqësia nuk ka fuqi që të vendosë, pasi fuqia e tyre është shumë më e madhe.
“Ne kemi edhe aktakuza tjera të ngritura ndaj zyrtarëve të shtetit, por të cilat nuk kanë sjellur asnjë rezultat akoma dhe për të cilat nuk ka fuqi gjyqtari apo prokurori të vendos sepse fuqia e të akuzuarve është shumëfish më e madhe se sa e një prokurori apo gjyqtari. Mirë është të hetohet çdo ministër, çdo zyrtar, pavarësisht pozitës, dyshimeve apo aferave, por dhe të bazohen edhe te kapitali që kanë krijuar sepse pagat e ulëta dhe shpenzimet e larta duhet të arsyetohen disi”, përfundoi Islam Krasniqi për “Bota sot”.