Krasniqi: Arrestimi i personit të katërt në lidhje me vrasjen në Gllogjan, sinjal pozitiv

Politika

Krasniqi: Arrestimi i personit të katërt në lidhje me vrasjen në Gllogjan, sinjal pozitiv

Nga: M.H. Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 14:33
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ka ndaluar K.M., nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi apo kontroll e paautorizuar e armëve”.

Në njoftim thuhet se prokurorja e çështjes, në vazhdën e hetimeve intensive për rastin në fjalë, ka autorizuar Policinë e Kosovës për arrestimin e K.M., i cili fillimisht është ndaluar për 48 orë.

Mirëpo sa do të zgjasë deri në zbulimin e së vërtetës në lidhje vrasjen, për “Bota sot”, ka folur juristi Islam Krasniqi i cili thotë që është shenjë pozitive që është ndaluar personi i katërt për vrasjen në Gllogjan.

Image
Islam Krasniqi

Sipas juristit për të dyshuarin nuk duhet të bëhet buj e madhe pasi i njëjti mund të lirohet në mungesë të provave, pasi e njëjta ka ndodhur shumë shpesh.

Është e vërtet se është ndaluar edhe një person, i cili për momentin është i dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, mirëpo nuk duhet të drejtohet gishti nga ai (i dyshuari) sepse përderisa drejtësia nuk e thotë fjalën e fundit ai është i pafajshëm, pra përderisa nuk e kemi një aktgjykim të formës së prerë ai është i pafajshëm. Ai mund të akuzohet për mbajtjen e armëve pa leje në opinion, por për vrasje duhet të ketë prova të mjaftueshme, e jo të bëhet shou në media dhe në fund të lirohet në mungesë të provave, siç ka ndodhur në të kaluarën. Publikimi i informacioneve dëmton procesin hetimor por mbi të gjitha shkatërron edhe një familje”, thotë juristi.

Në fund ai shton se duhet të zbulohet kjo vrasje pasi nuk duhet asnjë person që ka kryer vepër penale të mbetet i pandëshkuar.

Por, kur e shikojmë nga një kënd tjetër ky është një sinjal i bukur, i cili tregon se institucionet e drejtësisë kanë filluar të japin shenja pozitive në luftën kundër krimit, ku kryesit e veprave penale do të ndëshkohen për veprën e kryer, e jo të mbeten lëndët në sirtar pa u vërtetuar asnjëherë dhe duke u lënë të lirë kryesit apo edhe recidivistit e veprave penale. Sa shpejt mund të zbulohen detaje të tjera kjo varet nga puna e prokurorisë dhe hetuesisë, si dhe nga qasja se si ju qasen problemit lidhur me provimin e fajësisë”, përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat