Edhe në këtë javë ka vazhduar publikimi i raporteve të shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nga këto raporte u gjetën keqpërdorime që janë bërë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Përkundër, që disa nga deputetët nuk kanë udhëtuar nga qytetet tjera për në Prishtinë, ku është selia e Kuvendit të Kosovës, ata kanë vazhduar t`i marrin kompensimet sikur të ishin udhëtarë.
Ata, asnjëherë nuk raportuan se kanë ndryshuar vendbanimin e tyre.
Por, çfarë mund të ndodhë me këta deputetë që kanë abuzuar me të dhënat? A mund të hetohen për këto keqpërdorime?
Sipas njohësve të çështjeve juridike, Kuvendi i Kosovës nuk ka ndonjë masë disiplinore për këtë çështje.
Sipas tyre, këto keqpërdorime duhet të hetohen dhe të ndërmerren masa ndaj atyre që kanë keqpërdorur buxhetin e shtetit.
Po ashtu, është kërkuar që të shfuqizohet vendimi për kompensimin e udhëtimeve për pjesëmarrje në seanca apo komisione parlamentare.
Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër e dënueshme
Njohësi i çështjeve juridike, profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se keqpërdorimi i detyrës është zhvilluar aq shumë sa pothuajse çdo pacient (i sëmurë) që shkon në spital, nëse paguan, shikohet më mirë.
Muhamet Kelmendi
“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër e dënueshme me ligjet në fuqi. Kjo vepër po shfaqet më së shpeshti dhe me institucionet në Republikën e Kosovës. Keqpërdorime dhe vjedhje, mashtrime etj., kemi në Qeveri, në Kuvend, në polici, në administratën e burokratizuar, në prokurori dhe në gjykata. Për fat të keqë kjo vepër i ka kaluar kufijtë, ndoshta të normales, dhe është futur edhe në fakultete e në vende ku është në pyetje shëndeti i njeriut, në ambulantë dhe në spitale. Këtu është shumë e zhvilluar dhe pothuajse çdo pacient (i sëmurë) që shkon në spital, nëse paguan, shikohet më mirë”, thotë ai për “Bota sot”.
Po ashtu, profesori Kelmendi kërkon që të hetohen dhe të ndërmerren masa juridike ndaj deputetëve që e kanë kryer këtë vepër.
“Veprat e kryera nga qeveritarët në nivel qendror dhe lokal, si dhe nga deputetët, duke përdorur mjetet e ndryshme të shtetit, si makinat, si dhe duke marrë mëditje të ndryshme, si dhe duke bërë udhëtime brenda e jashtë, lypset të hetohen dhe të ndërmerren masa juridike”, deklaron ai.
Gjithashtu, Kelmendi ka treguar se çfarë dënime mund të marrin individët, të cilët e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
“Për veprat e tilla ka dënime të ndryshme, varësisht nga vepra penale. Ato dënime shkojnë me vite burgim, përveç dënimeve me kusht, ndalimit të ushtrimit të profesionit dhe dënimeve me gjoba të ndryshme dhe të larta.
Veprat e tilla, pavarësisht se ku kryhen, përkatësisht nivelit të funksionit, janë vepra penale të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, shpjegon Kelmendi.
Burjani: Nuk ka masë disiplinore
Ndërsa, Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike deklaron se nuk ka masa disiplinore ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Blerim Burjani
Sa i përket asaj se a duhet të hetohen deputetët, të cilët kanë marr mëditje apo kompensime për udhëtime për pjesëmarrje në seanca apo komisione parlamentare, Burjani shton se kjo është në kompetencë të prokurorisë së shtetit.
“Për momentin nuk janë të definuara masat disiplinore, edhe pse këto janë vepra penale. Kjo çështje është në kompetencë të prokurorisë së shtetit, nëse nxjerr ndonjë vendim hetues. Përndryshe, Kuvend inuk ka ndonjë rregullore që i ndjek në forma të tjera”, deklaron Burjani.
Krasniqi: Të shfuqizohet vendimi
Avokati Islam Krasniqi thotë se deputetët duhet të hetohen dhe ka treguar formën se si duhet bërë një gjë të tillë.
Islam Krasniqi
“Gjithsesi se duhet të hetohen se ku shkuan këto mjete, duke e verifikuar edhe pasqyrën e kilometrave të veturave, e që ajo më së miri tregon se nga ka lëvizur automjeti zyrtar apo vetura, e cila është mbushur ne derivate nga kartela e shtetit sepse duhet të regjistrohet çdo cent për shkak të auditimit”, thotë ai.
Gjithashtu, Krasniqi ka kërkuar nga Kuvendi ta shfuqizojë një vendim të tillë të përfitimeve për deputetët.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta rishikojë këtë vendim dhe ta shfuqizojë, pasi që deputetët marrin pagë mujore dhe mëditje afër 2000 (dy mijë) euro dhe të marrin mjete edhe për derivate është jo njerëzore. Pse këto mëditje për derivate, pse mëditje për seanca, pse mëditje për komisione parlamentare, duhet këto vendime të shfuqizohen sepse ata punojnë me pagë mujore, gjersa qytetarëve ju ka zbrazur shporta ushqimore, është jo etike në një shoqëri”, vlerëson ai.
Në fund, Krasniqi ka treguar se kush e ka fajin për këto “mashtrime”.
“Gjithsesi se ka mashtrime, mirëpo nuk është faji i deputetëve, por i atyre që i procedojnë këto mjete pa i verifikuar dhe të kërkojnë që të kthehen mjetet, të cilat u morën nga arka e shtetit pa meritë”, përfundon Krasniqi për “Bota sot”.