Përpos ngritjes së çmimeve në shumë sektorë të tjerë, në Kosovë së fundmi është bërë dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë me 8 shkurt miratoi tarifat e reja të rrymës, ku rritja e çmimit vlen për konsumatorët që konsumojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.
Këto tarifa të reja që kanë hyrë në fuqi me 9 shkurt, vlejnë deri me 31 mars, 2023.
Partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë dalë kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës dhe përpos LDK-së, partitë tjera kanë paralajmëruar protesta dhe dërgim të vendimit në kushtetuese.
Shtrenjtimi i rrymës është kundërshtuar edhe nga ekspertë të ekonomisë.
Por, nga ky vendim i ZRRE-së nuk preken qytetarët serbë të veriut të vendit.
Atje serbët nuk paguajnë rrymë prej dy dekadash e nuk do ta paguajnë as tani e tutje.
Kryetari i Bordit Drejtues të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës, Ymer Fejzullahu, thotë se ky është problem politik dhe nuk mund të zgjidhet nga ZRRE-ja.
Përpos ngritjes së çmimeve në shumë sektorë të tjerë, në Kosovë së fundmi është bërë dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë me 8 shkurt miratoi tarifat e reja të rrymës, ku rritja e çmimit vlen për konsumatorët që konsumojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.
Këto tarifa të reja që kanë hyrë në fuqi me 9 shkurt, vlejnë deri me 31 mars, 2023.
Partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë dalë kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës dhe përpos LDK-së, partitë tjera kanë paralajmëruar protesta dhe dërgim të vendimit në kushtetuese.
Shtrenjtimi i rrymës është kundërshtuar edhe nga ekspertë të ekonomisë. Por, nga ky vendim i ZRRE-së nuk preken qytetarët serbë të veriut të vendit.
Atje serbët nuk paguajnë rrymë prej dy dekadash e nuk do ta paguajnë as tani e tutje.
Kryetari i Bordit Drejtues të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës, Ymer Fejzullahu, thotë se ky është problem politik dhe nuk mund të zgjidhet nga ZRRE-ja.
“Ky është problem politik tash e njëzet vjet dhe Zyra e Rregullatorit për Energji nuk mund ta zgjidhë. Ne do të donim që ky proces të zgjidhej sot, por kjo çështje është diskutuar prej vitesh në nivel të dialogut (për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi) në Bruksel dhe shpresojmë që të zgjidhet së shpejti”, ka thënë ai për Rel.
Kadriaj: Mos pagesa e rrymës në veri mund të shkaktojë revoltë gjithëpopullore
Lidhur me këtë, profesori dhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot” thotë se tani qytetarët duhet të përballen edhe me çmimet e larta të rrymës.
“Tanimë shtrenjtimi i energjisë elektrike është një fakt që qytetari duhet të përballet nga muaji tjetër, që padyshim do ta rëndojë jetën e qytetarit. Por, duke marrë parasysh presionin e dobët nga ana e qytetarit me vetëm dy protesta, të cilat nuk përçuan mesazhin e pakënaqësisë te institucionet relevante, ndërsa presioni i partive opozitare është i papërfillshëm nga ana e qeverisë për fatin që e kaluara e tyre në qeverisje i bën jo serioz, ndërsa deklarata e Presidentes së vendit është vetëm sa për të shfajësuar vetveten”, është shprehur ai.
Sipas tij, qytetari nuk ka asnjë përfaqësues që të ngre zërin në emër të tij dhe kështu ZRRE-ja dhe Qeveria kanë komoditet për të marrë vendime të tilla.
“Qytetari nuk ka asnjë përfaqësues serioz që ta ngre zërin në emër të tij, derisa kemi një opozitë jo kredibile dhe një Presidente të shantazhuar nga Qeveria aktuale, pra derisa kemi qytetari të fjetur, kjo i jep komoditet ZRRE-së dhe Qeverisë që të marrin vendime, të cilat e largojnë barrën nga Qeveria dhe e ngarkojnë portofolin e qytetarit duke rënduar çdo ditë e më shumë jetën e qytetarit”, vlerëson Kadriaj.
Sa i përket çështjes së veriut që nuk preket nga ngritja e çmimit të rrymës, profesori thotë se po përdoren standarde të dyfishta për qytetarët e Kosovës dhe kështu qytetarët në veri nuk e njohin Kosovën si shtet e për këtë ai thotë se është edhe rrezik pasi mund të sjellë revoltë në popull.
“Me këtë sjellje, institucionet në Kosovë po provokojnë rëndë qytetarin, duke u sjellë në standarde të dyfishta, për faktin se qytetarët në veri nuk e njohin Kosovën shtet, nuk përfillin asnjë institucion të Republikës, ndërsa janë të liruar nga të gjitha shërbimet komunale, në këtë rast edhe të energjisë elektrike. Pra, sipas kësaj logjike për të qenë të favorizuar si qytetarë nuk duhet t’i përfillësh institucionet. Pra, kjo logjikë e të vepruarit nga ana e qeverisë është me rrezik për faktin që mund të këtë revoltë gjithëpopullore, e cila do të dëmtonte rëndë shtetësinë e Kosovës, pra duhet të jetë një thirrje për Qeverinë dhe ZRRE-në që t’i rishikojnë edhe njëherë tarifat e energjisë elektrike”, deklaron Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.
Kaçaniku: Problemet e shkaktuara nga Serbia detyrimisht duhet të trajtohen edhe në Bruksel
Selatin Kaçaniku, ekspert për të drejtat e konsumatorit, nga organizata “Konsumatori”, duke komentuar shtrenjtimin e rrymës, thotë për “Bota sot” se faktori ndërkombëtar ka një pjesë të përgjegjësisë, por që është tërhequr dhe po shikon konfrontimet Kosovë-Serbi.
“Natyrisht se edhe faktori (miqtë) ndërkombëtarë e kanë një pjesë të përgjegjësisë. Por, ky faktor tani s’bëzan, është tërhequr nga skena dhe shikon seri se si do të konfrontohen në politikë e diplomaci - dy palët, Kosova e Serbia. Serbia edhe në prodhim e furnizim të energjisë elektrike vazhdon të dëshmojë hegjemoninë e saj dhe qëllimet destabilizuese, sabotimin e ekonomisë dhe diversion të hapur mbi çdo veprim që tingëllon si zhvillim ekonomik dhe pavarësim i Kosovës nga eksportet e Serbisë. Ajo, Serbia, e di se energjia elektrike është një nga çështjet më të rëndësishme dhe më e ndjeshmja për zhvillimet socio-ekonomike dhe për raportet Kosovë - Serbi brenda Kosovës, brenda Serbisë dhe në bisedimet me ndërmjetësimin e BE-së. Serbia edhe praktikisht po përpiqet të dëshmojë se Kosova “është pjesë e saj” dhe se po e zbaton preambulën e Kushtetutës së saj, e cila është ndryshuar / miratuar pas nënshkrimit të kapitullimit pas bombardimeve 78 ditëshe nga forcat e NATO-s”, thotë ai.
Ai vlerëson se problemet e shkaktuara nga Serbia për të përfituar nga tema dhe poena në Bruksel - detyrimisht duhet të trajtohen edhe në Bruksel.
“E para, për arsye se faktori ndërkombëtar është “ideator” i mos ”provokimit” të një “pakënaqësie popullore-konsumatore” me detyrimin e pagesës së konsumimit të energjisë elektrike nga qytetari konsumator i anës Jugore - i cili nuk e ka shpenzuar këtë energji elektrike - ndaj nuk i takon pagesa. Ligjërisht, juridikisht, sipas Kushtetutës, nga aspekti human, etik… edhe demokratik askush nuk mund ta detyrojë. Çdo detyrim është diskriminim e skllavërim. Në këtë aspekt qytetari / familja konsumatore duhet të kompensohet për të gjitha vitet e eksploatimit me detyrim të pagesës së energjisë elektrike, të cilën nuk e ka shpenzuar”, thekson Kaçaniku.
Ai shton se vendimi për mos pagim të rrymës i favorizon serbët dhe ata kështu nuk e njohin shtetin e Kosovës, e thuaja as nuk janë taksapagues dhe ajo qasje që të paguajnë për serbët qytetarët që e paguajnë rrymën që e shpenzojnë vetë, dhe taksat, sipas tij është zhvatje.
“E dyta sepse miqtë ndërkombëtar sikur i kanë dhënë vetes të drejtë, duke u bazuar në ndihmën e tyre dhe në investimet në prodhimin e energjisë elektrike - kapitalizim ky i cili nuk po vërehet as nuk po shijohet nga qytetari, as nga familja konsumatore. Në anën tjetër, ky vendim i keq e favorizon njërën palë e cila, meqë nuk paguan dhe reziston të paguajë, nuk mund të quhet qytetar, konsumator, as familje konsumatore. Si të tillë ata nuk janë as taksapagues e gjenerues të buxhetit të shtetit, nuk e njohin as nuk i pranojnë përfitimet nga ky shtet?! Kjo qasje e Kuvendit, Presidencës, Qeverisë, MEFT-it, MINT-it… në anën tjetër shkelë mbi të drejtat juridiko-ligjore-kushtetuese-humane-etike…e demokratike të qytetarit dhe të familjes së ndershme, pagues të rregullt e patriotë ekonomik lidhur me obligimet ndaj Republikës së Kosovës. Kjo qasje ndaj qytetarit konsumator dhe familjes konsumatore - pagues të rregullt të energjisë së konsumuar elektrike është zhvatje-detyrim dhe si e tillë është jo ligjore, jo kushtetuese…dhe jo demokratike!”, thekson ai për “Bota sot”.
Kaçaniku thotë se mungesa e juridiksionit në pjesën e veriut është paaftësi politike.
“E treta, vënia në lajthitje / provokim kushtetues lidhur me çështjen, e mungesës së juridiksionit edhe të kësaj Qeverie / Kuvendi / Presidence mbi këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës - dëshmon më shumë për paaftësinë e kësaj klase institucionale, edhe më shumë të klasës politike”, është shprehur ai.
Ai madje tregon se si duhet vepruar Qeveria dhe Kuvendi në Bruksel që ta largojnë Kosovën nga preambula e Kushtetutës së Serbisë.
“E katërta, Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të angazhohen më shumë në Bruksel për ta larguar Kosovën nga preambula e Kushtetutës së Serbisë, po e përsëris, edhe për arsye se është ndryshuar / ndërruar / amandamentuar pas nënshkrimit të kapitullimit, pra pas humbjes së luftës dhe humbjes së çdo të drejte (ani se Serbia nuk ka pasur as trashëguar asnjë të drejtë), si dhe nuk i përket realitetit. Në bazë të kësaj preambule Serbia pretendon se ka të drejtë të ndërhyjë në anën veriore të Kosovës / të Mitrovicës. Në bazë të kësaj preambule edhe faktori ndërkombëtar është i rezervuar në veprimet e Tij në Anën Veriore dhe i kontrollon aktivitetet, edhe më themelore shtetërore, të Kosovës në anën veriore. Në saje të kësaj preambule Serbia vazhdon ta mbajë peng Kosovën me shpresë se do ta aneksojë në një moment të volitshëm - siç mund të jetë “gatishmëria” aktuale e Rusisë për të ndërhyrë në Ukrainë. Në saje të preambulës Serbia vazhdon ta kontrollojë një pjesë të anës veriore, ku mes tjerash, më shumë qarkullon valuta e saj dinari dhe lulëzon krimi i organizuar dhe kontrabanda, kontrabandë kjo që qëllimin kryesor e ka sabotimin e ekonomisë së Kosovës dhe dëmtimin e qytetarit / familjes konsumatore”, thotë ai.
Pse veriu duhet të vazhdojë të mos paguajë rrymën dhe qytetarët e Kosovës ta paguajnë më shtrenjtë atë? Si duhet të veprohet?
Kaçanku vlerëson se qeveria duhet të gjejë formë për sigurimin e juridiksionit në atë pjesë.
“Presidenca / Kuvendi / Qeveria nuk duhet ta diskriminojnë, skllavërojnë, eksploatojnë…qytetarin / familjen konsumatore dhe taksapaguese, por duhet ta përqafojnë sinqerisht si dhe ta mbështesin maksimalisht. Mungesa e juridiksionit të Kosovës mbi anën veriore të Kosovës / Mitrovicës dëshmon poashtu se Kosova nuk ka treg vendor / treg të brendshëm. Mungesa e tregut vendor / tregut të brendshëm është një nga përgjigjet për mospagesën, për “ortekun” e çmimeve… dhe për shumëçka tjetër. Qeveria duhet të gjejë formën / mënyrën për sigurimin e këtij juridiksioni dhe, duke e njohur / pranuar qytetarin / familjen konsumatore në anën jugore të Kosovës ta njohë / zbatojë trajtimin dinjitoz edhe të qytetarit / familjes konsumatore në anën veriore. Atje, qytetari / familja konsumatore i është lënë mosinteresimit / injorimit nga Qeveria e Kosovës dhe “sundimit politiko-mafioz” të instaluar nga individë të fuqishëm” nga Beogradi zyrtar. Kjo u dëshmua edhe me publikimin e listës së zezë nga SHBA-të. Qeveria e Kosovës duhet të veprojë tutje lidhur me këtë listë. Kjo, edhe për arsye se, nga kjo listë shumë emra ishin tepër të afërt me strukturat qeveritare”, përfundon Kaçaniku për gazetën “Bota sot”.