Javë të fundit, Kosova ka mirëpritur mysafirë të rëndësishëm, siç ishte vizita e të dërguarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ajo e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Pas kësaj vizite, Kosovën e vizitoi edhe i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Ai gjatë kësaj vizite zyrtare në Kosovë, ka zhvilluar takime me udhëheqësit shtetërorë.
Ashtu si Escobar dhe Lajçak të cilët kërkuan vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, të njëtën kërkesë e pati edhe Peach.
I dërguari Special i Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur gatishmërinë e tij në bashkëpunimin me autoritetet në Kosovë, si dhe mbështetjen për procesin e dialogut dhe ndaj partnerëve të BE dhe SHBA.
“Britania do të jetë në vështirësi”
Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Britania e Madhe është në linjë me SHBA-të, si dhe ka treguar se çfarë ka konfirmuar Peach.
“Britania është në një linjë me shtetet tjera, sidomos me SHBA, në këtë kuptim është e natyrshme që Britania ofron mbështetjen për dialogun. Nuk është risi kjo gjë, z.Peach vetëm sa rikonfirmojë një mbështetje tanimë të njohur”, ka thënë ai.
Faton Mehmeti
Po ashtu, Mehmeti është shprehur se qëndrimi aktual i Britanisë së Madhe për dialogun Kosovë-Serbi është neutral.
“Mbetet për të parë qëndrimin e Britanisë në rast se ndasitë mes SHBA dhe BE dalin në pah, me këtë të fundit që e konsiderojnë dialogun Kosovë-Serbi si përgjegjësi të tyre. Kështu që, Britania do të jetë në vështirësi në të ardhmen për pozicionin e saj se si do të vazhdojë, aktualisht mbetet neutrale”, ka potencuar Mehmeti.
Qarri: Ja çfarë është paralajmëruar për Serbinë
Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se mbështetja e Britanisë se Madhe vjen e pakushtëzuar për Kosovën.
Gani Qarri
“Ndaj mbështetja nga i dërguari special britanik Sir Start Peach, pas këtyre rasteve të papritura konspirative të Serbisë dhe deklaratave sublime të përfaqësuesit të lartë amerikan z. Gabriel Eskobar i cili zëshëm dhe decidivisht tha, se pavarësia e Kosovës është fakt i pakthyeshëm dhe se territori dhe kufijtë e Kosovës do të mbeten të pandryshueshëm, në kushte të reja, do të thotë para së gjithash, se pas SHBA-ve, vjen mbështetja e pakushtëzuar për Kosovën edhe nga Mbretëria e Bashkuar, pa asociacionin kundër kushtetues një etnik të serbëve, pa ndarje dhe pa rrezikim të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Më tej, Qarri ka treguar se çfarë ka argumentuar i dërguari Special i Britanisë së Madhe me vizitën e tij dhe me takimet që ka zhvilluar me krerët e shtetit të Kosovës.
“Argument që e vërtetoi, me rastin e vizitës së tij në Kosovë vet i dërguarit special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, gjatë takimeve të ngrohta miqësore që ka zhvilluar me udhëheqësit më të lartë shtetërorë të vendit tonë. Dhe në situatën aktuale, kur Serbia okupatore, po keqpërdorë në mënyrën më perfide krizën Rusi -Ukrainë, për veprime konspirative dhe provokime të reja në veriun e Kosovës, njëherë kinse duke u ikur policëve të Kosovës krimineli Milan Radojçioq, në Bërnjak, në pikën kufitare që ndan Kosovën me Serbinë dhe pastaj edhe incidenti me kamionin e futur në Kosovë me mallra kontrabandë, i cili mund të ketë qenë i mbushur me armë, nën mbrojtjen e veturave civile pa tabela, që nuk lejuan policinë, as ta ndalojë kamionin për kontroll, këto janë paralajmërime shumë alaramante, që bëjnë me dije se Serbia është e gatshme, ta keqpërdorë situatën në Ukrainë edhe për veprime të armatosura në veri të Kosovës, ndaj dhe po bën provat e para se sa janë të përgatitura organet tona të sigurisë për kundërvënie, ndërhyrjeve të organizuara të grupeve kriminale serbe dhe njësive të BIA-së në veri”, ka vlerësuar Qarri.
Po ashtu, ai ka treguar se çfarë do të thotë mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.
Qarri ka treguar se çfarë është paralajmëruar për Serbinë.
“Kështu që mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar, krahas mbështetjes së përhershme të SHBA-ve, si dy shtetet më të sinqerta dhe më të mëdha mike të vendit tonë, do të thotë shumë për Kosovën, madje jo vetëm që janë paralajmërim i vendosmërisë së këtyre dy shteteve mike, para Serbisë, se ato do ta mbështesin dhe ndihmojnë Kosovën në çdo rast dhe situatë, por as që do të lejojnë t'i ndodhë gjë e keqe vendit tonë, nëse Serbia tenton që me dhunë dhe ndërhyrje ushtarake, të pushtojë pjesë të caktuara të Republikës së pavarur e sovrane të Kosovës, gjë që duhet ta inkurajojë edhe vet Kosovën si dhe organet e sigurisë shtetërore të vendit tonë, që të ndjehen më të gjalla në veprime dhe dëshmojnë prezencën e shtetit edhe në Veri, njëjtë si në të gjitha territoret e Republikës së Kosovës”, ka nënvizuar Qarri.
Krasniqi: Peach do të ndihmojë në mbylljen e dialogut
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, ka cekur se Britania e Madhe ka qëndurar krash Kosovës në shumë procese.
Islam Krasniqi
“Mbretëria e Bashkuara gjithmonë ka qëndruar në krahë të republikës së Kosovës, si në procesin e dialogut ashtu edhe në procese tjera lidhur më shtetëndertimin e vendit tonë, duke ofruar mundësi për shkëmbim përvojash, duke trajnuar kuadro dhe duke investuar miliona ero në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka treguar se çfarë i ka kërkuar i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar Kosovës në çështjen e dialogut.
“I dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach edhe një herë tregoi së nuk do të mungojë mbështetja e Britanisë së Madhe për republikën e Kosovës, i cili kërkoi nga republika e Kosovës që të vazhdojë dialogun me premtimin se ne do të qëndrojmë pranë”, ka theksuar ai.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se Peach do të ndihmojë në mbylljen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
"Mbretëria e Bashkuara ka caktuar një përfaqësues për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, prezenca e të cilit do të ndihmojë procesin e dialogut duke e mbyllur një proces të gjatë apo armiqësi shekullore, e jo të mbetet si konfliktet në Lindje të Mesme, pa zgjidhje!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.