Themelimi i një asociacioni me kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe mbetet një nga kërkesat e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, për të shkuar më tej në dialog, ndërsa nuk ka treguar asnjëherë se çfarë ofron ajo për shqiptarët.
Liderët e vendit tonë janë të vendosur që mos të miratohet kjo kërkesë, përcjell “Bota sot”.
Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.
Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje në 23 pika, me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Mirëpo, pavarësisht insistimit të Serbisë që një marrëveshje e tillë të arrihet, përveç kundërshtimit nga Qeveria e Kosovës, së fundmi edhe njëherë kundërshtimi është bërë nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se nuk do të ketë një marrëveshje të atillë.
Osmani duke folur për këtë temë ka thënë se institucionet e vendit s’do të lejojnë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, që do të rrezikonte funksionalitetin e shtetit.
Ajo në një intervistë tha se vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë sikur më 2013, kur kishte votuar kundër marrëveshjes së Brukselit.
“Asociacioni ashtu siç është paraparë në marrëveshjen e Brukselit ka qenë ndër dokumentet më të dëmshme sa i përket sovranitetit dhe funksionalitetit të brendshëm të Kosovës.
Por, ishte mirë që Gjykata Kushtetuese e ndaloi si të tillë, por dëmi akoma vazhdon sepse në disa raste ka ende njerëz në BE që kërkojnë që ajo të aplikohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel”, u shpreh presidentja Osmani.
Kapiti: Presidentja Osmani nuk duhet të lejoj të ketë marrëveshje me Serbinë
Analisti politik Skënder Kapiti
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet analisti politik Skënder Kapiti, i cili u shpreh se një marrëveshje e tillë do të jetë në dëm të Kosovës dhe nuk duhet lejuar.
Sipas tij nëse lejohet kjo marrëveshje, atëherë do u jepte serbëve të drejtën e një minishteti serb brenda Kosovës, e që pastaj kush mund t’i pengojë ata që të mbajnë një referendum për bashkim të tyre me Serbinë.
“Që në vitin 2008 kur e kam botuar Librin tim me titull “Triumfi i Kombit” në të kam specifikuar se asgjë më tepër nuk u duhet dhënë serbëve në Kosovë se sa që do të kenë shqiptarët e tri komunave të Kosovës Lindore që janë nën Serbi. Megjithëse pakica serbe e ardhur në Kosovë si kolonë me qëllim për ta serbizuar Kosovën dhe megjithëse ata kanë liri e të drejta si asnjë pakicë tjetër kombëtare që kanë në shtetet e tjera të botës, politikanët e shtetarët e lartë të Kosovës, të gjithë paraardhësit e këtyre që janë sot, kanë bërë jo gabim, por kanë bërë tradhti kombëtare që e kanë pranuar dhe firmosur formimin e Bashkësisë së Komunave serbe në territorin e shtetit të Kosovës shqiptare. Kjo në fakt do tu jepte serbëve të drejtën e një minishteti serb brenda Kosovës, e që pastaj kush mund t’i pengojë ata që të mbajnë një referendum për bashkim të tyre me Serbinë”, u shpreh ai.
Më tej, analisti përmend marrëveshjet e dëmshme të Thaçit dhe Mustafës që i bënë Kosovës dhe sipas tij presidentja nuk do ta lejoj një ndodhi të tillë.
“Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa i kanë bërë një shërbim të madh Serbisë me këtë marrëveshje, e cila i hapi rrugën pastaj edhe projektit serb për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës e Serbisë, që në fakt do të ishte një shkëmbim territoresh shqiptare të Kosovës të territoreve më të pasura në minerale e burime ujore e strategjike të saj me territore po shqiptare të Kosovës Lindore. Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës ndodhen sot përpara një vështirësie shumë të madhe që vjen si pasojë e papërgjegjshmërisë, injorancës, korrupsionit dhe të tradhtisë që kanë bërë paraardhësit e tyre, por që duhet të mos e pranojnë zbatimin e asaj marrëveshje”, thotë Kapiti për “Bota sot”.
Mehazi: Nuk do të ketë asociacion në Kosovë
Profesori Sulejman Mehazi
Ndërsa profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e presidentes Osmani është vazhdimësi e deklaratës së Escobarit, që nuk do të ketë asociacion në Kosovë.
“Deklarata e presidentes së Kosovëa, Vjosa Osmanit: "se nuk do ketë asociacione siç do dhe kërkon Serbia" është shumë e qartë e decidive se brenda Kosovës nuk do të ketë asfarë dëshirash të Republikës Serbe, asnjë pushtet të kompetencave ekzekutive serbe në Kosovë dhe se të kota janë përpjekjet e presidentit të Serbisë, Vuçiqit për një mini-republikë serbe në Kosovë, po ashtu vërehet se deklarata e presidentes Vjosa Osmani është vazhdimësi e deklaratës së Escobarit të SHBA-ve, se nuk do të ketë asociacione sipas qejfeve serbe. Po sipas moduseve politike brenda kushtetutës së Republikës së Kosovë dhe se të drejtat e pakicave të serbëve do të varen nga Kushtetuta e Kosovës e jo nga qeveria e kushtetuta serbe”, theksoi ai.
Escobar, ka ndryshuar rrjedhën dhe kahen e dialogut në të mirë të Kosovës e në disfavor të Serbisë, shtoi profesori.
“Jo vetëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq së bashku me qeverinë serbe e vërejnë se pjesëmarrja e të dërguarit amerikan, Escobar, ka ndryshuar rrjedhën dhe kahen e dialogut në të mirë të Kosovës e në disfavor të Serbisë, kjo u pa edhe gjatë vizitës së z. Escobarit në Kosovë ku deklaroi, se, assesi nuk do lejojmë një republikë të dytë serbe në Kosovë dhe se sovraniteti i Kosovës duhet të ruhet, për çudi, me deklaratën e emisarit amerikan, Escobar, u pajtua edhe përfaqësuesi i BE-së, Lajçak”, potencoi profesori.
Kriza në Ukrainë ka ndikuar në Kosovë
Nga ana tjetër Mehazi thotë se kriza që e ka përfshirë Ukrainën ka ndikuar në Kosovë dhe kanë bërë që SHBA-të dhe BE-ja të shohin nëse Serbia dëshiron të ndikoj në Kosovë, duke shfrytëzuar këtë situatë.
“Ngjarjet luftënxitëse ruse ndaj Ukrainës kanë ndikuar edhe në Kosovë, frika e SHBA-së dhe BE-së ndaj ndikimeve ruse me anë të Serbisë në Ballkan kanë zvogëluar ambiciet e Vuçiqit në Kosovë. Sa më shumë që komplikohet situata ruse-ukrainase aq më shumë SHBA-ja, BE-ja vrapojnë për të zgjidhur dialogun e stërzgjatur të Serbisë me Kosovën. Nuk është e rastësishme që përveç SHBA-së e BE-së është kyçur edhe Mbretëria e Bashkuar me rastin e dialogut Kosovë-Serbi”, thotë profesori.
Në fund ai shton se shumë situata kanë sjellur që Osmani të jetë e prerë dhe e qartë ndaj kërkesave të Serbisë.
“Serbisë po i ngushtohet rrethi ndaj kërkesave të asociacioneve serbe, një, nga SHBA-Escobar, dy, nga BE-Lajçak, tre, nga Mbretëria e Bashkuar, Sir Stuart Peach, dhe katër, nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurtit, plus, situata e rrezikshme gjeostrategjike e Rusisë me Ukrainën, ka bërë që zonja Osmani të jetë më e prerë, më e qartë e principiele kundër kërkesave për asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë, të gjitha këto forca të bashkuara amerikane, evropiane e të Mbretërisë së Bashkuar tok, do ta detyrojnë Vuçiqin, të lëshojë pe ndaj kërkesës për asociacion serb në Kosovë”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.