Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë shtetet më mike të Kosovës.
Kjo miqësi me ardhjen e presidentit Biden në qeverisje vetëm ka përforcuar marrëdhëniet mes dy vendeve, duke marrë parasysh që presidenti Biden ka qenë gjithmonë në dijeni për historinë që vendi ynë ka kaluar.
Kosova tashmë e disa vite është në dialog me Serbinë, mirëpo mos normalizimi i raporteve të dy vendeve mbetet ende prezent, ani pse SHBA dhe BE po bëjnë të pamundurën për të arritur një ujdi.
Të gjendur kështu, së fundmi ishte presidenti Biden i cili i shkroi letër presidentit Vuçiq.
Presidenti Biden në letrën që i shkroi Vuçiqit i kërkoi zyrtarisht që të arrijë një marrëveshje me Kosovën, që do të përfshinte njohjen e shtetit të Kosovës.
Biden këtë letër e dërgoi me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë – 15 shkurt.
“Duke pasur parasysh 140 vitet e partneritetit midis dy vendeve tona, SHBA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, stabilitetit rajonal dhe vlerat demokratike. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen e qëllimit të Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim, përfshirë reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila është fokusuar në njohjen reciproke“, tha Biden në letrën drejtuar Vuçiqit.
Ai shtoi se fuqia e marrëdhënieve midis dy vendeve bazohet në historinë e thellë të lidhjeve midis popujve që luftuan si aleatë në të dy luftërat botërore.
Kjo letër padyshim që ishte një sinjal pozitiv që Kosova mbetet prioritet karshi SHBA-ve.
Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, kanë folur analistët politikë, të cilët shprehen se ishte një hap pozitiv ndaj Kosovës dhe “goditje” për Serbinë.
Kuçi: Serbisë i janë rritur presionet për të njohur Kosovën
Gurakuç Kuçi
Në lidhje me këtë temë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se situata e krijuar në Rusi dhe Ukrainë ka prekur edhe vendin tonë dhe Biden po dëshiron të përmbyllë këtë çështje gjatë mandatit të tij.
“Skena gjeopolitike ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së është duke shpërfaqur përplasje ku pjesë janë Kosova dhe Serbia. Ndarjet gjeopolitike dhe marrëveshjet që pritet të bëhen ndërmjet superfuqive nënkupton edhe ndarjen e influencave në zonën tonë. Në këtë vijë është edhe kërkesa e Presidentit Biden i cili synon që këtë çështje ta mbyllë në mandatin e parë të tij”, u shpreh ai.
Më tej ai thotë se presioni ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën është rritur mirëpo sërish varet nga Serbia se si do të veprojë.
“Andaj edhe presioni është në rritje ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën. Por, përveç politikave që zhvillojnë fuqitë e mëdha, kjo varet edhe nga Serbia dhe aftësia e Kosovës për të shfrytëzuar situatën”, tha Kuçi për “Bota sot”.
Zeqa: Mesazhet që Biden i përçon Vuçiqit përmes kësaj letre janë të qarta
Florim Zeqa
Ndërsa analisti tjetër politik, Florim Zeqa, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se presidenti Biden ua rikujtoi Serbisë që nuk mund të anëtarësohet në BE nëse nuk rregullon raportet me Kosovën.
“Siç dihet, me rastin e ditës së shtetit të Serbisë, Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku përveç urimeve, ndër të tjera i përmendi edhe njohjen e Kosovës. Biden në letrën dërguar Vuçiqit dhe Serbisë, ua rikujton se rruga evropiane, përkatësisht anëtarësimi i saj në BE varet nga progresi drejt normalizimit të plotë të raporteve me Republikën e Kosovës, raporte të cilat Biden e përsëritë se duhet të bazohen në njohje reciproke”, theksoi ai.
Nga letra e Bidenit dërguar presidentit serb, kuptohet qartë mesazhi i politikës amerikane, se dialogu i filluar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë 11 vite më parë duhet të përfundojë sa më parë dhe atë me njohje reciproke, shton analisti.
“Mesazhet që Biden i përçon Vuçiqit përmes kësaj letre janë të qarta dhe të pandryshuara nga politika amerikane. Këto janë dëshmuar edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili i kujtoi Serbisë dhe të tjerëve në rajon se, Kosova shtet i pavarur dhe sovran është një realitet i pakthyeshëm. Nga letra e Bidenit dërguar presidentit serb, kuptohet qartë mesazhi i politikës amerikane, se dialogu i filluar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë 11 vite më parë duhet të përfundojë sa më parë dhe atë me njohje reciproke”, potencoi Zeqa.
Cili është dallimi në mes Evropianëve dhe Amerikanëve?
Nga ana tjetër analisti tregon dallimin që ka Evropa me SHBA, e që sipas tij qëndron në faktin që kjo e fundit i mbanë premtimet e dhëna dhe zbaton çdo marrëveshje.
“Dallimi në mes Evropianëve dhe Amerikanëve qëndron në faktin se këta të fundit, fjalës së dhënë dhe premtimeve u qëndrojnë pas dhe nuk lëkundën për asnjë milimetër. Kështu ka ndodhur me bombardimet kundër Serbisë në vitin 1999, ka ndodhur me njohjen e Kosovës shtet i pavarur e sovran më 17 shkurt 2008 dhe kështu do të ndodhë edhe me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në shtëpinë ovale në Uashington më 4 shtator 2020.
I pëlqeu dikujt apo jo, marrëveshjet e arritura në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë në shtatorin e vitit 2020 janë të obligime që duhet zbatuar në përpikmëri nga të dyja palët”, potencoi analisti.
Ndërsa sipas tij, Asociacioni i komunave serbe në veri mbetet një temë delikate por që as në këtë pikë Kosova nuk ka presion nga SHBA-të.
“Megjithatë çështja më e diskutueshme dhe më e nxehtë mbetet Asociacioni i komunave serbe në veri të vendit. Por edhe në këtë pikë, Kosova nuk e ka asnjë lloj presioni nga SHBA-të, përkundrazi mbetet në dorën e saj gjetja e zgjidhjes më optimale për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel për Asociacionin”, u shpreh ai.
Në fund, analisti thotë se Kosova duhet të përgatitet për pranimin e marrëveshjes përfundimtare e cila nuk do të jetë aspak e lehtë, por do të jetë e domosdoshme.
“Nuk duhet harruar faktin se, sikurse çdo dialog tjetër ndërshtetëror, edhe ky i yni me Serinë i ka kushtëzimet e ndërsjella, i cili vështirë që mund të përfundojë pa kompromis. E kompromisi s’është gjë tjetër, vetëm se një lëshim pe dhe zgjidhje dhimbshme. Andaj, edhe Kosova duhet të përgatitet për pranimin e marrëveshjes përfundimtare e cila nuk do të jetë aspak e lehtë, por do të jetë e domosdoshme për ruajtjen e arritjes shekullore, Republikës e Kosovës”, përfundoi Zeqa për “Bota sot”.