Asociacioni i komunave serbe mbetët një ndër temat më të diskutuara në dialogun Kosovë-Serbi.
Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo të prerë në qëndrimet e tyre mbetën presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.
Të dy nuk pranojnë një marrëveshje të tillë, këtë e theksoi përsëri presidentja Osmani duke u shprehur se nuk do të ketë Asociacion në Kosovë.
“Asociacioni ashtu siç është paraparë në marrëveshjen e Brukselit ka qenë ndër dokumentet më të dëmshme sa i përket sovranitetit dhe funksionalitetit të brendshëm të Kosovës.
Por, ishte mirë që Gjykata Kushtetuese e ndaloi si të tillë, por dëmi akoma vazhdon sepse në disa raste ka ende njerëz në BE që kërkojnë që ajo të aplikohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel”, u shpreh presidentja Osmani.
Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, profesori Sulejman Mehazi, thotë që deklarata e presidentes Osmani është vazhdimësi e deklaratës së Escobarit, që nuk do të ketë asociacion në Kosovë.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/February/14/auto_auto_mehaz15951872881644852825.jpg)
“Deklarata e presidentes së Kosovëa, Vjosa Osmanit: "se nuk do ketë asociacione siç do dhe kërkon Serbia" është shumë e qartë e decidive se brenda Kosovës nuk do të ketë asfarë dëshirash të Republikës Serbe, asnjë pushtet të kompetencave ekzekutive serbe në Kosovë dhe se të kota janë përpjekjet e presidentit të Serbisë, Vuçiqit për një mini-republikë serbe në Kosovë, po ashtu vërehet se deklarata e presidentes Vjosa Osmani është vazhdimësi e deklaratës së Escobarit të SHBA-ve, se nuk do të ketë asociacione sipas qejfeve serbe. Po sipas moduseve politike brenda kushtetutës së Republikës së Kosovë dhe se të drejtat e pakicave të serbëve do të varen nga Kushtetuta e Kosovës e jo nga qeveria e kushtetuta serbe”, theksoi ai.
Escobar, ka ndryshuar rrjedhën dhe kahen e dialogut në të mirë të Kosovës e në disfavor të Serbisë, shtoi profesori.
“Jo vetëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq së bashku me qeverinë serbe e vërejnë se pjesëmarrja e të dërguarit amerikan, Escobar, ka ndryshuar rrjedhën dhe kahen e dialogut në të mirë të Kosovës e në disfavor të Serbisë, kjo u pa edhe gjatë vizitës së z. Escobarit në Kosovë ku deklaroi, se, assesi nuk do lejojmë një republikë të dytë serbe në Kosovë dhe se sovraniteti i Kosovës duhet të ruhet, për çudi, me deklaratën e emisarit amerikan, Escobar, u pajtua edhe përfaqësuesi i BE-së, Lajçak”, potencoi profesori.
Kriza në Ukrainë ka ndikuar në Kosovë
Nga ana tjetër Mehazi thotë se kriza që e ka përfshirë Ukrainën ka ndikuar në Kosovë dhe kanë bërë që SHBA-të dhe BE-ja të shohin nëse Serbia dëshiron të ndikoj në Kosovë, duke shfrytëzuar këtë situatë.
“Ngjarjet luftënxitëse ruse ndaj Ukrainës kanë ndikuar edhe në Kosovë, frika e SHBA-së dhe BE-së ndaj ndikimeve ruse me anë të Serbisë në Ballkan kanë zvogëluar ambiciet e Vuçiqit në Kosovë. Sa më shumë që komplikohet situata ruse-ukrainase aq më shumë SHBA-ja, BE-ja vrapojnë për të zgjidhur dialogun e stërzgjatur të Serbisë me Kosovën. Nuk është e rastësishme që përveç SHBA-së e BE-së është kyçur edhe Mbretëria e Bashkuar me rastin e dialogut Kosovë-Serbi”, thotë profesori.
Në fund ai shton se shumë situata kanë sjellur që Osmani të jetë e prerë dhe e qartë ndaj kërkesave të Serbisë.
“Serbisë po i ngushtohet rrethi ndaj kërkesave të asociacioneve serbe, një, nga SHBA-Escobar, dy, nga BE-Lajçak, tre, nga Mbretëria e Bashkuar, Sir Stuart Peach, dhe katër, nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurtit, plus, situata e rrezikshme gjeostrategjike e Rusisë me Ukrainën, ka bërë që zonja Osmani të jetë më e prerë, më e qartë e principiele kundër kërkesave për asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë, të gjitha këto forca të bashkuara amerikane, evropiane e të Mbretërisë së Bashkuar tok, do ta detyrojnë Vuçiqin, të lëshojë pe ndaj kërkesës për asociacion serb në Kosovë”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.