Paralajmërimi i Rusisë për pushtimin e Ukrainës , ka nxitur reagime dhe shqetësime të shumta në gjithë botën.
Madje, po thuhet se shpërthimi i luftës në kufijtë e Ukrainës dhe Rusisë është më afër se kurrë.
Kjo, gjë ka shqetësuar edhe shumë vende të botës, madje edhe Kosovën. Kjo pasi po thuhet se në rast e Ukraina sulmohet, atëherë Serbisë i hapet rruga për të de stabilizuar situatën në Kosovë.
Mirëpo, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri për gazetën “Bota sot” tha se pavarësisht kërcënimeve të Serbisë, nuk duhet harruar se sigurinë e Kosovës e kanë marrë përsipër faktorët ndërkombëtarë.
“Ajo çfarë do të ndodhë në konfliktin në mes Rusisë dhe Ukrainës unë nuk e di. Mendoj se ne si Kosovë as nuk jemi faktor dhe as nuk kemi kapacitete të ndërhyjmë për ta përmirësuar gjendjen atje, por atë që e dimë është që Kosova pavarësisht kërcënimeve që na vijnë nga ana e Serbisë apo nga kushdo që jep opinione të tilla, mos të harrojmë se çështjen e sigurisë nga kërcënimet e jashtme që i kanosen Kosovës e kanë marrë përsipër faktorët ndërkombëtarë”, deklaroi ai.
Gjithashtu, deputeti i LVV-së tha se Qeveria është fokusuar në forcimin e sigurisë dhe rritjes së buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Ne si Qeveri që nga dita që kemi ardhur jemi fokusuar në forcimin e sigurisë së mbrojtjes qoftë me shtimin e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, qoftë me marrëveshjet ndërkombëtare që kemi arritur si me SHBA-në ashtu edhe me vendet e tjera”, theksoi Fitim Haziri për “Bota sot”.