Situata në kufijtë Rusi-Ukrainë çdo ditë e më shumë po tensionohet.
Paralajmërimet për shpërthimin e një lufte të madhe, kanë bërë që shumë shtete të botës t’iu bëjnë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina, përfshirë këtu edhe Kosovën dhe Shqipërinë.
Kjo situatë kaotike ka ngritur pikëpyetje për mundësinë e veprimeve tinëzare dhe provokuese të Serbisë në Kosovë.
Kësisoj, vazhdimisht po bëhet thirrje për kujdes dhe parapërgatitje për një gjë të tillë.
Edhe pse, dihet se Amerika si një aleate e fuqishme e vendit tonë nuk do të toleronte një kërcënim të radhës nga shteti serb.
Prandaj, po kërkohet që në veri të Kosovës të rritet numri i ushtarëve të huaj, të vendoset një kontingjent i forcave speciale të Shqipërisë, si dhe 2-3 kontingjente me të gjitha llojet e armatimit bashkëkohor, të stacionohen përgjatë gjithë shtrirjes së kufirit me Serbinë.
Shala: Kosova të nënshkruaj marrëveshje mbrojtëse me Kroacinë, Shqipërinë, Turqinë dhe Amerikën
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se NATO-ja në baza periodike e vlerëson sigurinë e Kosovës dhe rajonit, Ballkanit.
Ai u shpreh se NATO-ja e përcjell çdo lëvizje të mundshme të trupave ushtarake të Serbisë brenda territorit të saj.
“Në lidhje me vlerësimin e sigurisë së vendit, por edhe rajonit të Ballkanit mund të themi që NATO-ja e bënë atë mbi baza periodike dhe në rast që zyra e NATO-s në Beograd (NATO MILITARY LIAISON OFFICE e cila ka këtë detyrë që të mbikëqyrë çdo lëvizje të mundshme të trupave ushtarake të Serbisë brenda territorit të saj me theks të veçantë: Kosovën dhe Bosnjën)”, deklaroi eksperti i sigurisë.
Më tej, Shala kërkoi nga Kosova që të bashkëpunojë me vendet anëtare të NATO-s dhe të blejë pajisje ushtarake me qëllim të mbrojtjes territoriale.
Po ashtu, ai thekson se shteti ynë duhet të nënshkruajë marrëveshje me disa shtete, përfshirë Kroacinë dhe Shqipërinë.
“Kosova nuk ish deshtë që të ‘flejë’ në përmbylljen e procesit të saj në ngritjen kompatibile të FSK-së me vendet anëtare të NATO-s dhe në anën tjetër blerjen e pajisjeve ushtarake me motive të mbrojtjes territoriale.
Dhe në anën tjetër të arrijë marrëveshje mbrojtëse me Kroacinë, Shqipërinë, Turqinë dhe Amerikën”, theksoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Qarri: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të shndërrohej në luftime të përmasave më katastrofale
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri thotë se kërcënimet aktuale të Rusisë për pushtimin e Ukrainës janë me të vërtetë shqetësuese.
Madje, ai u shpreh se në rast të pushtimit, atëherë do të fillojë një luftë me përmasat më katastrofale që nga Lufta e Dytë Botëror.
“Me vendosjen e qindra mijëra trupave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën, për ta pushtuar atë, me të drejtë, kanë ngritur shqetësime të mëdha, në gjithë botën, ngase pas okupimit të Krimes 8 vite më parë, pushtimi i të gjithë territorit të Ukrainës në mënyrë të ngjashme duke filluar me manovra masive ushtarake, do të shndërrohej në luftime të përmasave më katastrofale që nga Lufta e Dytë Botërore, ku përballë njëra-tjetrës me ushtar dhe me armatimet më moderne, përfshirë edhe me armatimin bërthamor, do të jenë dy superfuqitë më të mëdha të gjithë botës, si SHBA-të dhe Rusia hegjemoniste”, deklaroi analisti.
Sipas Qarrit, në rast të përshkallëzimit të situatës në Ukrainë, veriu i Kosovës do të ishte në rrezik, kjo pasi do t’i hapej rruga Serbisë për nxitje dhe trazim në këtë pjesë të territorit tonë.
“Në fakt me acarimin e fushatës ruse kundër shtetit të Ukrainës, në kufijtë e të cilës Rusia ka vendosur qindra mijëra ushtarë me të gjitha llojet e armatimit më modern, gjendja e sigurisë jo vetëm për Ukrainën që ballafaqohet drejtpërsëdrejti me okupimin rus, por për të gjithë Evropën, nuk ka qenë më e rëndë dhe më e rrezikshme asnjëherë më parë, deri më tani, situatë nga e cila kërcënohet edhe vet Kosova dhe veçanërisht veriu i saj, ku Serbia nuk lë rast pa shfrytëzuar për nxitjen e problemeve në këtë pjesë të trazuar të territorit të Kosovës”, theksoi ai.
Në vazhdim, analisti thotë se pas paralajmërimeve për shpërthimin e një lufte, Kosova duhet të përgatitet me kohë për rreziqet me të cilat mund të kërcënohet nga Serbia.
“Prandaj, duke ditur faktin se nëse fillon agresioni ushtarak rus, për pushtimin e Ukrainës, sipas ekspertëve më eminent botëror, luftimet do të marrin përmasat më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore për të gjithë Evropën, Kosova si pjesë e Evropës duhet t’i ketë të gjitha rreziqet parasysh dhe të përgatitet me kohë, për të gjitha të papriturat dhe rreziqet me të cilat mund të sfidohet nga Serbia, e cila shumë lehtë, mund ta shfrytëzojë luftën Rusi-Ukrainë, për realizimin e qëllimeve të saj okupuese dhe gllabërimin me forcë, të veriut të Kosovës”, nënvizoi Qarri.
Veprimet agresive të Rusisë dhe ato të Serbisë rrezikojnë jo vetëm Kosovën dhe Ukrainën, por edhe interesat e NATO-s
Po ashtu, ai vlerësoi se kërcënimet e shtetit serb do të ishin të papranueshme edhe për NATO-n, prandaj kërkoi që të rritet numri i ushtarëve të huaj në Kosovë. Qarri kërkoi edhe vendosjen e një kontingjenti të forcave speciale të Shqipërisë në veri të vendit.
“Por, meqenëse pasojat e akteve të Serbisë do të ishin të papranueshme edhe për vet NATO-n, përveç se duhet të rritet urgjentisht numri i ushtarëve amerikan, britanik dhe gjerman në veri të Kosovës, në kuadër të përforcimeve të saj, NATO-ja duhet të lejojë edhe vendosjen e 2 kontingjenteve të Ushtrisë së Kosovës-FSK-së, në veri, një kontingjent të forcave speciale të Shqipërisë, si dhe 2-3 kontingjente me të gjitha llojet e armatimit bashkëkohor, të stacionohen përgjatë gjithë shtrirjes së kufirit me Serbinë, në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, shpjegoi analisti.
Më tej, Qarri paralajmëroi se veprimet agresive të shtetit rus dhe të shtetit serb nuk rrezikojnë vetëm Ukrainën dhe Kosovën, por edhe NATO-n.
Prandaj, për këtë shkak, ai kërkoi që menjëherë të rritet numri i ushtarëve në veri, në mënyrë që tu paraprihet veprimeve të mundshme të Serbisë.
“Përndryshe duke qenë se veprimet agresive të Rusisë dhe ato të Serbisë rrezikojnë drejtpërsëdrejti jo vetëm vendet e kërcënuara si Ukraina nga Rusia dhe Kosova nga Serbia, por edhe vet interesat e SHBA-ve, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndërsa agresionet serbe dhe ruse ndryshojnë vetëm në përmasa, por jo edhe në qëllime dhe përmbajtje. Rritja e numrit të ushtarëve në veri, duhet të ndodhë shpejt dhe në formë të sinkronizuar me situatën, në mënyrë që NATO-ja dhe shteti i Kosovës, tu paraprijë rasteve, dhe të jenë në gjendje, që ta mbrojnë edhe me forcë, në rast të agresionit të Serbisë, atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, potencoi ai.
Ndër të tjera, analisti thotë se kjo parapërgatitje do ta mbronte veriun e Kosovës dhe do të sjelltë pasoja më të vogla në rast të eskalimit të situatës.
“Kjo duhet të ndodhë medoemos, tash dhe menjëherë, ngase do të ishte shumë më e lehtë dhe me pasoja shumë më të vogla, të mbrohet sot, veriu i Kosovës si vend i çliruar, sesa të çlirohet sërish nesër, nga okupimi serb, me ç 'rast do të shkaktoheshin jo vetëm dëme të paparashikuara materiale, por edhe pasoja të mëdha në popullsinë civile dhe viktima të shumta ushtarake, nga të dyja anët”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.