Ditë më parë presidenti amerikan, Joe Biden i ka shkruar letër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për Ditën e Shtetësisë, përmes së cilës i ka kërkuar njohjen e Kosovës.
Pak ditë pas kësaj letre, me të njëjtën kërkesë Vuçiqit i është drejtuar edhe sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken.
Ai i ka kërkuar arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën.
“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, ka shkruar ndër të tjera Blinken.
Një kërkesë të njëjtë Serbisë ia ka parashtruar edhe presidenti amerikan, Joe Biden, ditë më parë.
Dy kërkesa nga njerëzit kryesor të administratës Biden, vet presidenti Biden dhe sekretari Blinken i janë dërguar në një kohë shumë të shkurtër Serbisë, e cila insiston se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Por, duke qenë kështu, duke pasur thirrje nga SHBA-të, sa do të mund të vazhdojë Serbia këmbënguljen e saj dhe kur mund të dorëzohet nga ky insistim e ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e po ashtu ta përmbyllë dialogun me një marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë?
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” kanë folur njohës të çështjeve politike.
Kriza në Ukrainë shans për Serbinë të shkëputet nga orbita ruse, duke njohur Kosovën
Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, thotë për gazetën “Bota sot” se këto kërkesa janë vazhdimësi e një politike të qartë dhe të vendosur në përkrahje të Kosovës.
Fadil Lepaja
“Kërkesa për njohjen e Kosovës, drejtuar nga nivelet më të larta të administratës amerikane, drejtuar presidentit serb nuk paraqet risi, por është vazhdimësi e një politike të qartë dhe të vendosur përkrahjeje për Kosovën. Koniunktura aktuale e krijuar me një afri të jashtëzakonshme SHBA, BE, për shkak të rrezikut rus, në kufijtë e Ukrainës, paraqet rrethanë të re dhe mundësi të re për Serbinë të orientohet kah BE-ja dhe të mos jetë më baza e interesave ruse në rajon”, thotë ai.
Sipas Lepajës, kërkohet që Serbia ta njohë Kosovën dhe të integrohet në BE e të largohet nga projektet mesjetare për dominim në rajon.
“Nga Serbia kërkohet që duke njohur Kosovën, të heq barrierat dhe të jetë një nga faktorët e rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht të integrimit të rajonit në BE. Aktualisht është momenti që Serbia të përcaktohet dhe të orientohet aty ku e ka vendin, duke u shkëputur kështu nga projektet mesjetare apo ato të nacionalizmit serb të dominimit në rajon përmes forcës dhe përmes pansllavizmit agresiv”, thekson ai.
Analisti vlerëson se është momenti historik që Serbia të shkëputet nga orbita ruse dhe t’i shoh shtetet fqinje në një rrugë të përbashkët evropiane.
“Marrëdhënia e tensionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, i pengon, për të mos thënë i pamundëson proceset e afrisë dhe bashkëpunimit, integrimit rajonal ekonomik, infrastrukturor, në funksion të integrimeve evropiane. Është momenti historik kur Serbia, duke shfrytëzuar këtë situatë në marrëdhëniet e perëndimit me Rusinë, të shkëputet nga orbita ruse dhe të shoh fqinjët e vet, e në radhë të parë shqiptarët, si fqinjë dhe miq, me një rrugë të përbashkët evropiane”, thekson Lepaja.
Më tej, ai shton se varet nga shumë faktorë nëse politika serbe do të ketë guxim dhe vullnet për të marrë këtë drejtim, derisa vlerëson se faktori rus mund të shkaktojë kriza dhe jo zgjidhje për vendet e Ballkanit, e këtë duhet ta kuptojë Serbia.
“A do të ketë guxim, vullnet dhe sukses politika serbe të marrë këtë drejtim, varet nga shumë faktorë. Sidoqoftë deklaratat jo vetëm të SHBA-së por, së fundmi edhe nga BE-ja, janë një ndihmesë për forcat demokratike dhe proevropiane drejt tejkalimit të konflikteve dhe për një rajon të bashkëpunimit dhe rrugëtimit drejt Evropës ku edhe e ka vendin. Mendoj se faktori rus, gjithsesi ka potencial të krijojë kriza, por jo edhe të ofrojë zgjidhje për asnjë vend ballkanik dhe sa më parë që ta kuptojë këtë politika serbe, kjo do të jetë në interesin më të mirë të rajonit”, thotë Fadil Lepaja për “Bota sot”.
Shahu: Kur SHBA-ja insiston, zgjidhja nuk vonon
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, është i mendimit se zgjidhja nuk vonon, nëse Amerika insiston për një çështje.
Rexhep Shahu
“Nëse Amerika do të insistojë dhe nuk do ta shtyjë në kohë çështjen e Kosovës dhe nëse Kosova do të përmbushë ato detyrime që ka nënshkruar, besoj se nuk vonon zgjidhja e çështjes së Kosovës”, thotë ai.
Por, sipas Shahut, çështja e Kosovës mund të shtyhet nëse zyrtarë të Kosovës i japin leksione SHBA-ve, teksa shpreson që Kosovës të mos i ikë asnjë tren.
“Por, nëse zyrtarët e Kosovës i japin leksione gjeopolitike e gjeostrategjike Amerikës, shtyhet arritja e marrëveshjes, pasi në botë po vlojnë rajone të tjera. Shpresoj që Kosovës të mos i ikë më asnjë tren”, thotë Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.