“Mesazhet kërcënuese të Amerikës ndaj Serbisë”/ Ja kur pritet të ndodhë njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb!

Politika

“Mesazhet kërcënuese të Amerikës ndaj Serbisë”/ Ja kur pritet të ndodhë njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb!

Nga: A.M. Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 16:57
Presidenti Joe Biden

Ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, teksa uroi Serbinë në ditën e shtetësisë së saj, ka kërkuar edhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, deklaroi Departamenti amerikan i Shtetit.

Një kërkesë të njëjtë Serbisë ia ka parashtruar edhe presidenti amerikan, Joe Biden.

Profesori, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” mesazhet e sekretarit amerikan drejtuar Vuçiqit i krahasoi me mesazhet e ish-presidentit Bill Klinton dërguar Millosheviqit.

Image
Profesori, Sulejman Mehazi

“Letra e sekretarit amerikan, Anthony Blinken, dërguar Serbisë për njohje reciproke është për t'u përshëndetur dhe mjaft domethënëse. Këto mesazhe amerikane mund të krahasohen me mesazhet e ish-presidentit amerikan Bil Klintonit, dërguarMillosheviqit për tejkalimin e vijës së kuqe me rastin e luftës në Kosovë”, deklaroi ai.

Sipas Mehazit, deklaratat e Biden dhe Blinken për njohjen e Kosovës, më shumë kanë kuptime kërcënuese e kushtëzuese ndaj Serbisë sesa kuptime diplomatike.

“Letra e mëparshme e presidentit Joe Biden dërguar Serbisë me njohje reciproke e përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi dhe ja tani letra e dytë e funksionarit të lartë të administratës së SHBA-së, sekretarit Anthony Blinken, dërguar presidentit të Serbisë,pikërisht me rastin e festës së madhe serbe për arritjen sa më të shpejtë të dialogut me një marrëveshje finale e cila do bazohej me njohje reciproke, më shumë ka kuptime kërcënuese e kushtëzuese ndaj Serbisë sesa kërkesë diplomatike”, theksoi profesori.

Ai vlerësoi se veprimet e fundit të Amerikës tregojnë qasjen serioze të presidentit Biden ndaj bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Veprimet e fundit të SHBA-së tregojnë një seriozitet të presidentit Joe Biden dhe sekretarit fuqiplotë të SHBA-së, Anthony Blinken, ndaj dialogut Kosovë-Serbi dhe na japin shpresa se viti 2022 do jetë vit i dialogut përfundimtar të dy shteteve fqinje me njohje reciproke finale”, nënvizoi Mehazi.

Në fund, profesori tha se të gjitha këto aktivitete të SHBA-së ndaj bisedimeve Kosovë-Serbi, po tregojnë se BE është shumë pasive në këto negociata.

“Aktivitetet e fundit diplomatike të administratës amerikane ndaj dialogut të Kosovës me Serbinë sikur kanë lënë nën hije BE-në e cila nuk doli e aftë dhe e suksesshme, po edhe mjaft pasive ndaj këtij dialogu. Siç shihet problemin e dialogut, ndoshta, për shkak luftës ruse-ukrainase e kanë marrë në dorë dy fuqitë e mëdha, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët do i dalin zot jo vetëm Kosovës, po dhe Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për shkak ndikimeve ruse në Ballkan”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat