Sot, me rastin e 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Kuvend u mbajt seancë solemne.
Mirëpo, opozita lëshoi sallën e Kuvendit teksa kryeministri Albin Kurti po e mbante fjalimin e tij.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë ngritur nga ulëset e tyre dhe kanë dalë jashtë.
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca iu bëri thirrje që të sillen me dinjitet.
“Kjo është një seancë solemne, ju lutemi të sillemi me dinjitet, është dita e pavarësisë”, ka thënë Konjufca.
Mirëpo, opozita nuk dëgjoi fjalët e Konjufcës dhe nuk u kthye brenda.
Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” këtë veprim të partive opozitare e cilësoi si flagrant.
Ai tha se demokracia nuk është bojkot, nuk është përbuzje e institucioneve, aq më pak e veprimtarive përkujtimore si kjo ditë që është sot.
“Sot pamë një rast flagrant në sjelljen e opozitës destructive në Kosovë. Do ishte mirë që mediet të mos merreshin me opozitën, sepse pushteti dhe qeveria janë e duhet të jenë në fokus të vlerësimit dhe gjykimit të tyre. Por fatkeqësisht nuk mund t’i shmangesh analizës së veprimeve opozitare në Kosovë e madje edhe në Shqipëri. Ne nuk dimë të bëjmë opozitë e kur nuk di të bësh opozitë nuk di të bësh as demokraci.
Demokracia nuk është bojkot, nuk është përbuzje e institucioneve, aq më pak e veprimtarive përkujtimore si kjo ditë që është sot. Para katër vitesh ishte Albin Kurti që bojkotoi festën e pavarësisë në dhjetë vjetorin e saj. Sot ishte opozita e Kosovës që bojkotoi parlamentin në ditën e përkujtimit të kësaj ngjarjeje të madhe të kombit shqiptar”, deklaroi profesori.
Bytyçi u shpreh se liderët e partive opozitare menduan se e bojkotuan kryeministrin Kurti, por që në fakt ata bojkotuan institucionet e vendit.
Gjithashtu, ai konsideroi se me këtë veprim Beogradi ia ka zilinë opozitës së Kosovës.
“Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj mund të kenë menduar se duke dalë nga mbledhja e Kuvendit në momentin kur e ka marrë fjalën kryeministri, refuzojnë Albin Kurtin. Por jo! Ata nuk e gënjejnë dot opinionin. Ata refuzuan kryeministrin e vendit, që përfaqëson njërin prej institucioneve kryesore të shtetit të Kosovës! Duke refuzuar kryeministrin dhe qeverisjen e tij, nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë respektuar një lloj qëndrimi që do ta kishin zili edhe në Beograd!
Festa e pavarësisë së Kosovës është edhe dhe kryesisht dita e institucioneve të Kosovës. Më shumë se gjithçka tjetër në këtë ditë respektohen këto institucione, parlamenti, presidenti, qeveria e kryeministri, gjykata kushtetuese, e kështu me radhë. PDK, LDK dhe AAK paskan projektuar që t’i refuzojnë këto institucione.
Kur para katër vitesh zoti Kurti refuzoi të përkujtojë festën e pavarësisë kam shkruar një koment të gjatë më analizë dhe kritika të ashpra ndaj tij”, theksoi ai.
Bojkotuan festën të cilën e njohin si meritën e tyre!!!
Në vazhdim, profesori vazhdoi me kritika për subjektet opozitare, derisa rikujtoi se kryeministri Kurti ka ndryshuar dhe është reformuar për të mirë gjatë viteve të fundit.
“Të njëjtat kritika vlejnë sot për të tri partitë dhe liderët e tyre në Kosovë, të cilat bojkotuan fjalën e kryeministrit të vendit. Dhe fjala e zotit Kurti ishte promocion për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. D.m.th se Albin Kurti ka ndryshuar, është reformuar, duke e njohur dhe vlerësuar aktin e madh të shpalljes së pavarësisë së vendit, ndërkohë që pak vite më parë ai nuk i njihte as simbolet e shtetit të Kosovës, sepse thoshte të ishte i përcaktuar për bashkimin kombëtar”, nënvizoi Bytyçi.
Më tej, ai u befasua nga bojkotimi i partive të cilat pavarësinë e Kosovës e njohin si meritë të tyre.
“Sot Vetëvendosja feston shtetësinë, ata që e shpallën pavarësinë bojkotojnë këtë festë! Paradoks i çuditshëm. Më kujtohet kur më 28 qershor 1989 i vetmi ambasador që shkoi në mitingun e Millosheviçit në Fushë-Kosovë ishte ambasadori i Turqisë në Beograd. Të tjerët e bojkotuan atë miting. Kur ambasadorët evropianë e pyetën se pse shkove në Fushë-Kosovë, ai u përgjigj: “Po ne turqit ishim fitues në atë betejë”! PDK, LDK dhe AAK ishin proklamuesit e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, pra fituesit, por nuk ndoqën shembullin e ambasadorit turk të para 33 viteve. Këta bojkotuan festën të cilën e njohin si meritën e tyre!!!, u shpreh profesori.
Shqiptarët në Kosovë e kudo kanë nevojë dhe të drejtë të shohin civilizim në sjelljen politike
Ndër të tjera, Bytyçitha se nuk po arrin ta kuptojë këtë sjellje anti-kombëtare të opozitës dhe se kjo gjë është për të ardhur keq.
Po ashtu, ai kërkoi bashkëpunim mes opozitës dhe pozitës, ku tha se duhet të lihen anash inatet politike dhe të punohet për të mirën e vendit.
“Nuk e di çfarë po ndodh kështu?! Kush dreqin i luan fijet e kësaj sjelljeje anti-kombëtare?! Është për të ardhur keq që ndodh kjo në Kosovë. Kosova e dëshmive të mëdha në rajon për aktet e saj të respektimit të demokracisë nuk e meriton këtë lloj zhgënjimi me vepra të tilla jo demokratike.
Partitë politike, jo vetëm ato të opozitës, por edhe në pushtet, duhet të kuptojnë se përçarja dhe dasitë na kanë kushtuar shumë në historinë tonë kombëtare! Prandaj dhe liderët politikë të rinj nuk kanë pse të ndjekin traditën e gabuar të konfliktit politik në vend. Bashkë me rininë e tyre duhet të sjellin në Kosovë kohezionin e bashkimit, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe konsensusit. Kosova ka nevojë për këtë sjellje. Shqiptarët në Kosovë e kudo kanë nevojë dhe të drejtë të shohin civilizim në sjelljen politike e socializim të marrëdhënieve midis politikanëve, duke dëshmuar se të gjithë papërjashtim janë të gatshëm të mbrojnë së bashku interesin kombëtar të vendit! Shteti dhe shtetësia janë mbi gjithçka. Mbi interesat dhe inatet personale e partiake”, përmbylli profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.