“Tentuan ndarjen e Kosovës”/Rreziqet dhe tradhtitë për 14 vite - ja si duhet të veprojë Qeveria Kurti

Politika

“Tentuan ndarjen e Kosovës”/Rreziqet dhe tradhtitë për 14 vite - ja si duhet të veprojë Qeveria Kurti

Nga: G.B Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 11:26
Hashim Thaçi - Foto ilustrim "Bota sot"

Janë bërë plot 14 vjet që nga dita historike dhe e lumtur për të gjithë, dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

17 Shkurti i vitit 2008 ishte një tjetër çlirim për Kosovën, pas ndërhyrjes së NATO-s dhe largimit të trupave serbe nga Kosova.

Ishte dita kur po bëhej realitet ëndrra e të parëve tanë për ta pasur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Ëndrra u realizua e bashkë me të mbi shpatulla tashmë kishim përgjegjësi të shumta, për ta çuar përpara shtetin, për ta bërë të njohur ndërkombëtarisht, për ta forcuar atë e anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

E për të gjitha këto natyrisht që duhej shumë punë, mirëpo fatkeqësisht ende jemi pa liberalizim të vizave dhe pa qenë pjesë e NATO-s, Interpol-it e BE-së.

Për rrugën e Kosovës në këto 14 vite, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri.

“Republika e Kosovës, me 17 shkurt të këtij viti feston 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe ekzistencës së saj krenare, si shtet i lirë e sovran, e njohur tanimë nga mbi 116 shtete anëtare të OKB-së, anë e mbanë botës. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, që në ditët e para të konfirmimit si shtet i ri, Kosova u njoh nga shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme evropiane e botërore dhe dhjetëra vende tjera nga të gjitha kontinente e globit tokësor. Vulosja e pavarësisë së Kosovës më 22 korrik të vitit 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si organi më i lartë juridik i OKB-së, të gjitha njohjet dhe marrëdhëniet diplomatike me këto shtete, janë arritur në kuadër të kufijve ekzistues, në të cilët edhe janë vendosur themelet e shtetit të ri të Kosovës, si dhe është jetësuar realiteti i ri gjeopolitik në rajon dhe botë që nga 17 shkurti i vitit 2008-të e këndej”, ka thënë ai.

Por, ai thotë se sukseseve përpara u dolën figura të inkriminuara, derisa thotë se Kosova u rrezikua në vitin 2011 nga Thaçi & Co me vendosjen e fusnotës, ndërsa më pas në vitin 2013 kur ai dhe Mustafa e nënshkruan asociacionin, si hap i parë drejt ndarjes së Kosovës.

“Kosova, qysh nga çlirimi, ka ecur shumë përpara, por sukseseve të saj, papritur u doli në pritë eksponenca me disponim antishtetëror e anti kombëtar, nga figura e parti të inkriminuara, të mësuara me vjedhje, zhvatje, korrupsion galopant e kriminalitet të pashembullt, të cilat pas pazareve me toka, tentuan dhe po orvaten akoma, që ta ndajnë e ri-copëtojnë tërësisht edhe shtetin e Kosovës. Dhe gjatë gjithë këtyre viteve, përkundër ndihmës së pakursyer të SHBA-ve dhe vendeve tjera mike, për njohje të reja, shtet ndërtim dhe ruajtjen e paprekshmërisë territoriale të saj, Kosovën nisën ta rrezikojnë eksponentët e brendshëm partiak e shtetëror, si kuislingu Thaçi & Co, i cili në qershor të vitit 2011, i vendosi fusnotën statusit shtetëror të vendit, duke e zhvlerësuar pavarësinë e Kosovës dhe zbritur Kosovën në nivel krahine në bisedimet me Serbinë. Më 19 prill të vitit 2013, Thaçi nënshkroi vet marrëveshjen për asociacionin një etnik serb, ndërsa më 25 gusht, Isa Mustafa sigloi në mënyrë të kundërligjshme e kundër kushtetuese edhe zgjerimin e kompetencave të këtij asociacionit duke rrezikuar bosnjëzimin e Kosovës dhe krijimin e një "republika srpska" edhe në Kosovë, si hapi i parë vendimtar për ndarjen e Kosovës. Por, për fat të mirë, në dhjetor të po atij viti, dokumentin mbi asociacionin, Gjykata Kushtetuese e gjeti në kundërshtim të plotë, me 23 nene të Kushtetutës dhe e hodhi poshtë, si të pa pranueshëm, duke mos e cilësuar as si marrëveshje, por vetëm, dokument të ndërmjetëm, të pa ratifikuar as nga parlamenti i Serbisë”, ka vlerësuar Qarri.

Më pas ai përmend kur Thaçi u bë bashkë me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës.

““Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, nisur nga interesa të ngushta personale, duke e vendosur veten mbi interesat e shtetit, më 25 gusht të vitit 2018 në forumin e vendeve ballkanike në Alpbach të Austrisë, Thaçi doli para kamerave botërore televizive, prej nga u publikuan edhe fotografitë e Thaçit me Aleksandër Vuçiqin kokë më kokë, duke kërkuar publikisht ndarjen e Kosovës”, është shprehur analisti.

Por, falë SHBA-ve më pas u formua edhe ushtria e Kosovës, me anë të së cilës u forcua shteti.

Image
Gani Qarri

“Pak muaj më vonë, falë mbështetjes së pakursyer dhe të vazhdueshme të SHBA-ve, që tash e mbi 23 vite me radhë, kanë dhënë për çlirimin, pavarësimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës, me 14 dhjetor të vitit 2018, u miratua në Kuvend themelimi i ushtrisë shtetërore të Republikës së Kosovës, gjë që pa fjalën dhe përkrahjen e SHBA-ve, as që do të mund të formohej ushtria e Kosovës, pasi që edhe përfaqësuesit e NATO-s, deklaroheshin kundër. Me themelimin e ushtrisë, forcohen edhe themelet e shtetësisë dhe nga ajo datë, Kosova po frymon edhe me një mekanizëm jetik më tepër si shtetit i njëmendtë bashkëkohor”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Sipas Qarrit, del se eksponentëve të PDK-së nuk u ka interesuar shteti, derisa ata lobuan kundër Kosovën dhe pro ndarjes së saj, teksa përmend edhe Vlora Çitakun.

“Por siç na del nga dokumentet e zbuluara në vijimësi, eksponentëve të PDK-së të cilëve duket se nuk u intereson shteti, ligjet as vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe para shtetit të Kosovës dhe vet SHBA-ve, zemra u rrah më tepër për Vuçiqin, njëkohësisht me kërkesat publike të kuislingut Thaçi më 2018 në Alpbach të Austrisë, Vlora Çitaku, kishte filluar nga Nju Jorku angazhimin e saj të fshehtë e tinëzar, për ndarjen e Kosovës, krahas pagesave prej mbi 168 mijë eurove të taksapaguesve të Kosovës, që këshilltarja e Thaçit dhe Kadri Veselit Dhurata Hoxha, i kishte paguar firmës franceze Majorelle PR & Events që ajo të lobonte edhe në botë për ndarjen e Kosovës. Madje siç dëshmoi para rreth tre muajsh edhe përfaqësuesja e lartë boshnjake në OKB, politikania e Bosnjë-Hercegovinës, Sabina Çudiq, gjatë viteve 2018-2020, Vlora Çitaku kishte punuar me aq shumë zell, sa që madje, ishte arritur edhe marrëveshja me palën serbe, për ndarjen e Kosovës dhe thjesht, vetëm pritej momenti më i përshtatshëm që ajo marrëveshje të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë, për ta shitur pastaj, këtë tradhti të lart, para shqiptarëve edhe si ngjarje historike?!” ka vlerësuar analisti.

Ai thotë se kundër po veprojnë edhe tani, duke kërkuar formimin e asociacionit nga Hoxhaj, ndërsa që Çitaku dhe Bujë e kthyen sërish idenë e ndarjes së Kosovës, të nisur nga Thaçi.

“Për eksponentët antishtetëror brenda PDK-së, duket se nuk majtuan as këto, ndaj ata pa fije turpi, së fundi po shfrytëzojnë edhe vizitat e përfaqësuesve më të lartë të vendit tonë më të madh mik në botë-Amerikës, si vizita e z.Gabriel Eskobar në Kosovë, për t`iu kundërvënë pa fije turpi as respekti njerëzor e politik, edhe SHBA-ve, ndaj 3 nga ata, pikërisht në prag të vizitës së përfaqësuesit të lart amerikan z. Gabriel Eskobar në vendin tonë, dolën duke shpalosur publikisht kërkesat e tyre të çuditshme antikombëtare e antishtetërore: Enver Hoxhaj, kërkoi formimin e asociacionit kundër kushtetues një etnik serb me kompetenca ekzekutive, ndërsa “hirushja” e z.Thaçi, Vlora Çitaku dhe Ramë Buja, kërkuan ndarjen e Kosovës dhe këmbimin e territoreve, përderisa SHBA është kundër këtyre çmendurive të eksponentëve të PDK-së”, ka deklaruar Qarri.

Sipas tij, aktet e tyre nuk shihen ndryshe përpos tradhti ndaj Kosovës dhe popullit të saj, e pastaj dhe ndaj NATO-s e SHBA-ve.

“Prandaj në sytë dhe shpirtin e lënduar të popullit të Kosovës, aktet e tyre nuk mund të shihet ndryshe, përveçse si tradhti e lartë, pikësëpari ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, SHBA-ve, NATO-së dhe vendeve tjera mike që gjatë gjithë kohës na përkrahën dhe ndihmuan në çlirimin, pavarësimin dhe shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës”, ka potencuar analisti.

Megjithatë, ai thotë se përkundër të gjitha rreziqeve Kosova ka ecur përpara dhe se tani në 14 vjetorin e pavarësisë Kosova ka ushtri të vet dhe partitë e inkriminuara janë nxjerrë nga pushteti.

“Siç dihet tanimë botërisht, që nga shpallja e pavarësisë me 17 shkurt të vitit 2008 dhe vulosja e saj më 22 korrik të vitit 2010 nga Gjykata Ndërkomnbëtare e Drejtësisë si organi më i lartë juridik i OKB-së, të gjitha njohjet dhe lidhja e marrëdhënieve diplomatike me këto shtete, janë arritur në kuadër të kufijve ekzistues, në të cilët edhe janë vendosur themelet e shtetit të ri të Kosovës si dhe është jetësuar realiteti i ri gjeopolitik në rajon dhe botë. Megjithatë, përkundër të gjitha rreziqeve dhe përpjekjeve për ta rrënuar shteti tonë nga njerëz e grupe, brenda dhe jashtë vendit, Kosova ka ecur shumë përpara dhe përveç arritjeve tjera ndryshimi më i madh pozitiv i cili medoemos duhet theksuar me këtë rast, është se 14 vjetori i lindjes së saj, Republikën e Kosovës, e gjen tanimë të konsoliduar edhe me ushtri të vet, vend në të cilin, nga 14 shkurti i vitit të kaluar, si rrallë kund në rajon, të shiturit, tradhtarët dhe të shantazhuarit, janë nxjerrë tërësisht jashtë loje, partitë e inkriminuara janë shkarkuar nga pushteti dhe hedhur krejt lehtësisht në opozitë, pa shqetësime qytetare e trazira politike, vetëm me votën e lirë të qytetarëve të vetëdijesuar të Republikës së Kosovës”, është shprehur Qarri.

Andaj, sipas tij, qeveria e re duhet edhe më tutje të konfiskojë pasurinë e jashtëligjshme e të bëjë Vettingun, t’i ndalojë ata që kërkojnë ndarjen e Kosovës.

“Prandaj Qeveria e re, përveç luftës së suksesshme për rivendosjen e rendit e të ligjit, duke zbuluar përditë e më tepër aferat korruptive e kriminale të partive të inkriminuara, me miratimin e ligjit për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme dhe procesin e VETTING-ut, krahas spastrimit të organeve shtetërore e publike nga të korruptuarit dhe kriminelët, dhe kthimin e pasurisë së paligjshme shtetit dhe pronarëve legjitim, të gjithë atyre që kërkojnë ndarjen dhe bosnjëzimin e Kosovës, është momenti vendimtar, që tu thotë stop dhe vendos në bankën e të akuzuarve për tradhti ndaj vendit dhe rrezikim të shtetësisë së Kosovës, në mënyrë që eksponentët e dyshimtë si Hoxhaj, Çitaku e Buja & Co, apo kushdo qofshin ata, përfundimisht ta marrin dënimin e merituar ligjor dhe aventurat e tyre kundër shtetit sovran e të pavarur të Republikës së Kosovës, të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Ndaj me rastin e 17 Shkurtit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të gjithë shqiptarëve të Dardanisë, trojeve tjera etnike dhe kudo jetojnë bashkëkombësit tanë, ju uroj nga zemra ditën e pavarësisë së shtetit të dytë shqiptar- Kosovës së lirë, të pavarur e sovrane”, ka përfunduar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat