“Escobar zbuloi detajet që nuk i tregoi Kurti”/ Ky është projekti në tavolinën e kryeministrit

Politika

“Escobar zbuloi detajet që nuk i tregoi Kurti”/ Ky është projekti në tavolinën e kryeministrit

Nga: P.R Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 18:26
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, teksa ka raportuar para komitetit për marrëdhënie ndërkombëtare të Senatit Amerikanpër dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, deklaroi se Uashingtoni ia kanë bërë të qartë Qeverisë së Kosovës e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, se për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, Prishtina duhet të bëjë kompromise.

“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës se ne presim që ata të angazhohen plotësisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i shohin ato si negociata të vërteta për të arritur qëllimin kryesor të tyre që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së, dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare që ata duan të anëtarësohen. Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri, Jeffery Hovenier e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me Qeverinë Kurti dhe ai do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe ne do të vazhdojmë që ta mbështesim atë”, tha Escobar.

Sipas Escobar dialogu nuk është proces për statusin e Kosovës, por për njohjen e ndërsjellë, dhe se SHBA e mbwshtet formimin e Asociacionit.

““E mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) ka thënë se disa pjesë nuk janë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kuadër të bisedimeve, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej (asociacioni). Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republikën Serbe, por ne i kemi bërë thirrje dhe kolegu im Lajçak i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës të shqyrtojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme, që nuk do të dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”, deklaroi Escobar.

E për raportimin nga Escobar dhe mesazhet e tij, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“I ngarkuari i presidentit Joe Biden për Ballkanin, zoti Gabriel Escobar, ishte këto ditë para nën komisionit të politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan dhe iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të këtij komisioni rreth Kosovës e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit midis saj e Serbisë. Madje shefi i komisionit të Jashtëm Amerikan në Kongres iu drejtua me një pyetje shumë të qartë, nëse Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë do të krijojë ose jo një Republikë Srspka në këtë vend. Nëse ky Asociacion do të dëmtojë shtetësinë ose jo. Pyetja shprehte një lloj dyshimi dhe hezitimi njëkohësisht të tij”, thotë Bytyçi.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

Asociacioni në tavolinën e Albin Kurtit

Sipas Bytyçit, Gabriel Escobar tregoi më shumë detaje se çfarë ka diskutuar më Prishtinë, së sa kishte treguar kryeministri Albin Kurti.

“Escobar u përgjigj me të njëjtën formulë që erdhi edhe në Prishtinë para dy javëve. Se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë nuk sjell destabilizimin e defunksionalizimin e shtetit. Përkundrazi, tha Escobar, Asociacioni do të çojë në integrimin e serbëve në institucionet qendrore. Më pas tha se njohja e ndërsjelltë mund të ndodhë, nëse pala e Prishtinës bie dakord me formimin e këtij Asociacioni. Madje theksoi se këtë projekt ia kanë lënë në tavolinë kryeministrit të Kosovës, zotit Kurti. Zoti Kurti nuk është shprehur deri sot me ato detaje që Escobar dha në komitetin për marrëdhënie ndërkombëtare të Senatit Amerikan”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se kryeministri dhe qeveria e Kosovës duhet të jenë transparentë me qytetarët.

“Zoti Kurti me të drejtë e ka kritikuar Hashim Thaçin për diskretizëm në bisedimet me presidentin e Serbisë si dhe me ndërkombëtarët. Tani ai ka detyrë të jetë i hapur. Nuk është mirë që shqiptarët, sidomos qytetarët e Kosovës të njihen nga ndërkombëtarët, në rastin konkret nga Escobar, për detaje të tilla të një projekti, i cili qenka në tavolinën e kryeministrit të Kosovës”, thekson Bytyçi.

Më tej, ai thotë se kërkesa amerikane për formimin e Asociacioni serb në Kosovë, nuk është një ultimatum.

“Megjithatë i ngarkuari i zotit Biden për Ballkanin ka folur madje për atë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës “nuk e ka hedhur poshtë marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe se kjo gjykatë paska kërkuar korrektimin e asaj marrëveshjeje. Dukej qartë se Gabriel Escobar është në të njëjtën linjë me Brukselin në formulën, sipas së cilës “Kosova duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare“! Shkurt me këtë pohim ai na thotë se “Vetë e keni ngrenë çorbën e prishur kur keni nënshkruar marrëveshjen Thaçi-Daçiq dhe tani nuk ju lëmë ta villni atë“! Duhet ta mbajmë helmin brenda vetes, na thotë Escobar”, shpjegon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Fajtor Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Për krejt këto, Bytyçi fajtor e bën Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën.

“Helmi Kosovës i ka ardhur prej Hashim Thaçit dhe më pas Isa Mustafës, por edhe prej ish-ministrave të pushtetit lokal të Kosovës, të cilët pasi fabrikuan dhjetë komuna me shumicë serbe, së paku nja tri më shumë sesa parashikonte plani Ahtisaari, e çuan vendin në kërkesën për krijimin e Asociacionit. Gozhdën e Nastradinit e la në Kosovë Hashimi me shërbëtorët e tij të PDK-së dhe jo pak në LDK. Tani kjo gozhdë Nastradini po bëhet shkak për zhbërjen e shtetësisë së Kosovës”.

Bytyçi shton se Kurti është para një presioni të madh, dhe detyra e tij është që të gjejë një zgjidhje.

“Qeveria Kurti është para një presioni të madh. Dhe ajo ka detyrë që të gjejë një zgjidhje. Të japë një alternativë. Zgjidhja duhet të jetë brenda konventave ndërkombëtare për autonominë lokale. Sidomos brenda Konventës e autonomisë lokale të Këshillit të Evropës, edhe pse Kosova nuk është ende pjesë e këtij këshilli me seli në Strasburg të Francës. Përtej parashikimeve të kësaj konvente nuk duhet shkuar. Kjo do të thotë se me këtë konventë mund të krijohen Asociacione të komunave në Kosovë. Për këtë ka eksperienca në rajon dhe në vendet evropiane. Bazuar në përvojën e këtyre vendeve duhet që vetë komunat t’i krijojnë shoqatat e tyre. Nuk mendoj se duhet ndonjë marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për këtë. Nëse diçka e lejon Kushtetuta e Kosovës, derisa na thuhet se nuk paska nevojë të ndryshojë ajo, nuk ka pse refuzohet nga ana e palës kosovare”, shprehet Bytyçi.

Ai thotë se Kurti nuk duhet të heqë dorë, Kosova nuk guxon të ketë Asociacion njëetnik.

“Mundet të nënshkruhet një marrëveshje në parim, por jo edhe me autorizime specifike përtej rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe kushtetutës së vendit. Duhet që zoti Kurti të mos heqë dorë nga ajo që ka theksuar vazhdimisht në bisedime, se “nuk mund të ketë Asociacion njëetnik të komunave në Kosovë”! Ndërtimi i një Asociacioni njëetnik nuk besoj se do të shërbejë për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, siç thotë zoti Escobar. Por duket se dikush në Beograd e ka mashtruar diplomatin amerikan. I ka thënë se “Nëse Kurti pranon Asociacionin e Komunave serbe, atëherë serbët do të integrohen në institucione”! Dhe në Evropë e në Amerikë mashtrohen lehtë, sepse ata nuk mund të besojnë se kjo është një intrigë e serbëve të Beogradit. Është një mashtrim i radhës”, shpjegon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi paralajmëron se qëllimi serbo-rus është shpërbërja përfundimtare e shtetit të Kosovës.

“Prandaj është detyrë e zotit Kurti, zonjës Osmani dhe drejtuesve të tjerë të shëtit t’i bindin diplomatët perëndimorë se serbët mashtrojnë, gënjejnë dhe thurin intriga e ngrenë kurthe të vazhdueshme politike e diplomatike me qëllim që të arrijnë objektivat e tyre. Dhe objektivi serb në Kosovë, ashtu si ai rus është defunksionalizimi dhe në fund shpërbërja e shtetit të Kosovës!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat