Ditë më parë vëmendjen e ngjarjeve e mori ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Burim Rreci.
Rreci u arrestua në pikën kufitare Debeli Brijeg, pasi në veturën e tij janë gjetur rreth 50 kilogramë marijuhanë, përcjell “Bota sot”.
Kjo padyshim që ishte një nga ngjarjet që sjelli debat në opinionin publik, për arsye se i njëjti ishte pjesë e partisë Nisma Socialdemokratike.
Nga Drejtoria e Policisë dhe Drejtoria e të Hyrave dhe Doganave kanë njoftuar zyrtarisht se zyrtarët e tyre gjatë kontrollit të një veture të pasagjerëve Audi me targa të Kosovës, të drejtuar nga një shtetas i Kosovës, kanë gjetur shtatë pako me marijuhan.
“Aktivitetet e koordinuara të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave të mëngjesit të sotëm rreth orës 03:30 parandaluan kontrabandën e lëndës bimore e dyshuar si lëndë narkotike marijuhan me peshë rreth 48.2 kilogramë. BR është privuar nga liria nën dyshimin se ka kryer veprën penale të paautorizuar. Prodhimi, posedimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Masat dhe veprimet e mëtejshme policore-prokuroriale për këtë rast janë në vazhdim e sipër”, thuhet në njoftim.
Mirëpo ngjarjet që lidhen me Rrecin kemi pasur edhe më herët, historia e tij e “errët” daton që në kohën kur Kosovën e qeveriste Haradinaj.
Ai u emërua në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së në fillim të muajit shkurt të vitit 2018, emërim i tillë u kundërshtua shumë nga organizatat civile pasi i njëjti nuk plotësonte kushtet për të mbajtur një pozitë të tillë.
Të gjendur në këtë situatë Nisma kishte kërkuar që Rreci të suspendohet nga kjo pozitë, por ai u kthye përsëri në pozitën që kishte më parë.
Në arsyetim të vendimit për rikthim në punë thuhet se ka pasur shkelje materiale dhe procedurale në vendimin për pezullim.
Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, kanë folur analistët politik, të cilët u shprehën se një skandal i tillë nga Rreci nuk është i pazakontë.
Qarri: Arrestimi i Rrecit, fillimi i kapjes së krimit dhe korrupsionit
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri u shpreh se arrestimi i Rrecit është një sukses i Qeverisë dhe shembull i keq i qeverive të kaluara, që kanë kryer korrupsion në mënyrë të vazhdueshme.
Gani Qarri
“I shkolluar me artin e tregtimit të lirë”, nga ish qeveria dhe partia përkatëse, për përfitime të shpejta, gjatë bashkëqeverisjes së partisë së Fatmir Limajt, në qeverinë e PAN-it, me kryeministër Ramush Haradinajn, Burim Rreci, ish-sekretar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, duket se ishte duke praktikuar vetëm zanatin e vjetër, por tani në një masë dhe mënyrë paksa më tjetër, ndaj megjithëse kishte zgjedhur pikërisht orën 3 e 30 minuta të para mëngjesit për të kryer me sukses "nismën" e vet ordinere, gjatë kontrollit të veturës së tij me targa të Kosovës, u gjetën gati 50 kilogram marijuhanë për çka dhe u arrestua në flagrancë nga organet kufitare malazeze.
Arrestimi i tij, si ish-sekretar i Ministrisë së Tregtisë me 50 kg drogë, është shembulli më tipik i ish qeverive të kaluara, të udhëhequra nga partitë e inkriminuara deri në fyt, në korrupsion e krim të organizuar, si mini-grupimi politik i Fatmir Limaj-të, NISMA, të cilat gjatë gjithë kohës mbijetuan me zhvatje, plaçkë, tregti të paligjshme dhe krim të organizuar”, u shpreh ai.
Limaj bashkëndjen me Rrecin
Më tej, analisti shton që Limaj e ka ditur që nga fillimi veprimtarin e Rrecit, mirëpo nuk është distancuar nga ai përkundrazi, e ka përkrahur.
“Madje vet fakti se kjo partiqkë e dështuar ende nuk ndjehet larg aktit të sapo-kryer, të ish anëtarit të saj dhe duket se sidomos Fatmirë Limaj bashkëndjen edhe sot me veprimet kriminale të mikut të tij të shtëpisë, NISMA as që mori mundimin të distancohej nga ish-zyrtar i saj, përkundër arrestimit në flagrancë dhe akuzimit për prodhim, posedim, bartje, transportim apo tregti me lëndë narkotike a drogë”, tha Qarri.
Rreci tregoi fytyrën e vërtetë të partisë, shton tutje analisti.
“Për aq më tepër mediat malazeze dolën me lajmin e bujshëm turpërues, se si "Ish ministri i Ministrisë së Tregtisë së Kosovës, u kap me drogë", në pikën kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Kroacisë, "Debeli Brijeg" derisa udhëtonte me një makinë "Audi" bagazhi i të cilës ishte mbushur me marijuhan, sikur ai të bartte peshqesh për dasma dhe jo lëndë të ndaluara narkotike, duke treguar fytyrën e vërtetë të ish partisë, ish qeverisë dhe ish udhëheqjes së kriminalizuar të shtetit, të mbushur me narko-diler”, theksoi Qarri.
Arrestimi i ish sekretarit të Ministrisë së Tregtisë, duket se është vetëm fillimi i kapjes së fijes së krimit, në lëmshin e koklavitur të rrjetit kriminal që ai mund të përfaqësojë në Kosovë, potencoi ai.
“Prandaj gjithë këto argumente trishtuese, flasin hapur, se veprimet e kundërligjshme të personave të tillë, janë ditur, por janë toleruar qëllimshëm nga vet udhëheqësit më të lartë të partive politike dhe qeverive të inkriminuara të shtetit, ndaj arrestimi i ish sekretarit të Ministrisë së Tregtisë, duket se është vetëm fillimi i kapjes së fijes së krimit, në lëmshin e koklavitur të rrjetit kriminal që ai mund të përfaqësojë në Kosovë, ku vetëm një zot e di, se sa ish ministra, sekretar, bashkë partiak e kryetar, mund të jenë aktiv dhe të involvuar drejtpërsëdrejti në veprimtari të tilla, ndaj pa kaluar shumë kohë, ndoshta mund ti shohim në media, jo vetëm emrat por edhe veprat e tyre inkriminuese, nga të cilat mund të turpërohet një shtet i tërë, me një fjalë-mbarë Kosova”, thotë Qarri për “Bota sot”.
Kelmendi: Financimi i partive dhe të subjekteve ekonomike në Kosovë janë të dyshimta!
Ndërsa profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që financimi i partive politike është një nga temat që nuk është e rregulluar juridikisht.
Muhamet Kelmendi
“Financimin i partive politike është një nga çështjet që më së paku ka rregulla juridike. Ndonëse ka ligj dhe partitë e kandidatët për zgjedhje, qoftë të përgjithshme, qoftë lokale, janë të obliguar të raportojnë. Megjithëse, ata/ato nuk e bëjnë raportimin adekuat dhe del qesharak financimi i partive e kandidatëve, kundruall veprimeve të kryera dhe aktivitetit të zhvilluar. Tashmë kjo është e qartë”, thotë ai.
Kelmendi shprehet se shteti nuk ka të dhëna mbi financat e partive dhe të kandidateve. Disproporcioni midis punës dhe raporteve financiare është shumë i lartë.
“Shteti nuk ka të dhëna mbi financat e partive dhe të kandidatëve. Disproporcioni midis punës dhe raporteve financiare është shumë i lartë. Nuk dihet gjendja financiare as edhe shuma e harxhuar e politikanëve, kandidatëve për zgjedhje, gjyqtarëve, prokurorëve, ekonomistë e juristëve, administratoreve etj”, u shpreh profesori.
Në bisedë e sipër Kelmendi thekson që arrestimi i Rrecit tregon se një nga format e financimit të politikës dhe të ekonomisë private është edhe droga.
“Duket se në Kosovë jetohet dhe shpenzohet shumë më shumë sesa fitohet legalisht. Në këtë kuadër, arrestimi i ish- sekretarit të Ministrisë së Tregtisë me 50 kg drogë, tregon se një nga format e financimit të politikës dhe të ekonomisë private është edhe droga”, thotë profesori.
Në fund, ai kërkon masa juridike për Rrecin dhe të gjithë që janë të përfshirë duke i bërë thirrje Nismes të distancohet.
“Kjo tregon se shteti duhet të veprojë me masa juridike e penale ndaj partive dhe individëve në parti, përgjegjësve në subjekt etj. E kjo arrihet me marrjen dhe përcjelljen adekuate të të dhënave për mjetet financiare nga subjektet politike dhe ekonomike, si dhe nga individët që veprojnë. Kapja me drogë është e rëndë. Partia NISMA kërkohet të diferencohet dhe të merr edhe masa statutore”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.