Prag lufte në Ukrainë/ Profesori i Oksfordit për “Bota sot” tregon qëllimin e Putinit: Të pyesim psikiatrin e tij se ...

Politika

Prag lufte në Ukrainë/ Profesori i Oksfordit për “Bota sot” tregon qëllimin e Putinit: Të pyesim psikiatrin e tij se ...

Nga: A.ZH Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 20:21
Pamje nga Ukraina

Eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan, ka folur për tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në një kohë kur Perëndimi po thotë se Rusia se nga momenti në moment mund të pushtojë ushtarakisht Ukrainën, Caplan ka thënë se megjithatë nuk dihet se çka do të sjellë e ardhmja.

Në një intervistë për gazetën "Bota sot", profesori ka thënë se ekziston ende mundësia që për Ukrainën të arrihet një zgjidhje paqësore.

Image
Richard Caplan

"Ne nuk mund ta dimë se çfarë do të sjellë e ardhmja për Ukrainën. Çdo ditë që kalon, ne duket se i afrohemi luftës, por është ende e mundur që të arrihet një përfundim paqësor i krizës aktuale", ka thënë Richard Caplan.

I pyetur lidhur me qëllimin e vërtetë të presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, Caplan ka theksuar se ai synon rritjen e sigurisë së Rusisë, duke detyruar Ukrainën të heqë dorë nga e drejta për t'u anëtarësuar në NATO. Por, profesori ka nënvizuar se anëtarësimi i Ukrainës në Aleancë është një perspektivë shumë e largët.

"Është e mundur të dallosh të paktën një qëllim të Presidentit Putin; Mundem vetëm të spekuloj për të tjerat. Një synim është rritja e sigurisë së Rusisë. Putini kërkon ta arrijë këtë duke marrë zotime nga vendet anëtare të NATO-s për të mos shtrirë anëtarësimin në Ukrainë. Edhe pse anëtarësimi në NATO për Ukrainën nuk ka qenë kurrë gjë tjetër veçse një perspektivë shumë e largët, vendet anëtare të NATO-s nuk do të heqin dorë zyrtarisht nga e drejta e Ukrainës për t'u bashkuar me Aleancën", është shprehur më tej Richard Caplan për "Bota sot".

Ai ka përmendur disa mënyra se si Rusia mund të rrisë sigurinë esaj.

"Ka mënyra të tjera në të cilat siguria e Rusisë mund të rritet – përmes masave të kontrollit të armëve, zonave të çmilitarizuara, transparencës më të madhe, ndër të tjera – por Rusia po këmbëngul në një angazhim zyrtar nga NATO për të mos pranuar Ukrainën", ka thënë Caplan.

Profesori ka nxjerr në pah edhe disa synime tjera të presidentit rus, Putin, duke treguar se pse ai është i shqetësuar.

"Putini pa dyshim ka synime të tjera, por këtu mund të spekuloj vetëm. Ai mund të dëshirojë të nxjerrë në skenë Perëndimin dhe të demonstrojë forcën dhe epërsinë e Rusisë. Ai mund të dëshirojë të rivendosë Rusinë si një fuqi të madhe rajonale dhe globale. Ai mund të jetë i shqetësuar për 'efektin ngjitës' të një shteti të lirë dhe të hapur në kufirin e Rusisë. Ai gjithashtu mund të dëshirojë të largojë vëmendjen nga problemet e brendshme. Ne duhet të pyesim psikiatrin e Putinit se çfarë ka në mendjen e tij!", ka thënë për "Bota sot" eksperti britanik.

Rusia mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën, edhe pse ka vendosur mbi 150,000 trupa në kufijtë e Ukrainës. Zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s thonë se Rusia po vazhdon të grumbullojë trupa, pavarësisht pretendimeve të Rusisë se ka filluar të tërheqë trupat e saj nga kufiri./Botasot

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat