Partive politike në Kosovë tashmë i është shtuar edhe një. Bëhet fjalë për Listën Guxo, me në krye ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.
Lista Guxo, të hënën që shkoi u regjistrua si parti politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Guxo është një formacion i ri politik, i cili fillet e tij i ka në kohë të trazuara dhe ballafaqime me sfida të mëdha, por me një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e para një viti”, tha Ministrja e Jashtme dhe kryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla.
Arsimi dhe shëndetësia janë dy çështjet kyçe me të cilat do të merret partia e drejtuar nga ministrja e Jashtme.
Aktualisht, janë pesë deputetë nga kjo listë, të cilët bëjnë pjesë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Avdyli: Ne jemi të interesuar të kemi edhe grup parlamentar
Deputeti i Listës GUXO, Haxhi Avdyli, në një intervistë, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në legjislaturën aktuale të krijojnë grup parlamentar të veçantë në Kuvendin e Kosovës.
Haxhi Avdyli
“Pyetje me vend, e vërteta është që me rregullore të Kuvendit, duhet të jemi gjashtë deputet, dhe ne jemi pesë deputet, dhe me pesë nuk mundemi të formojmë grup parlamentar, por në momentin që bëhemi gjashtë, tash nuk e di qysh mund të bëhemi gjashtë, a ose hyn naj deputet tjetër, ose shkon naj deputet… apo vjen naj deputet nga një grup tjetër parlamentar, nuk mund ta dimë, ne jemi të interesuar të kemi edhe grup parlamentar”, thotë Avdyli në një intervistë televizive.
Analisti Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se me krijimin e partisë politike, Lista Guxo fillon rrugën e saj të vërtetë.
Mehmeti: Aktualisht Guxo ecën mbi tehun e thikës
Faton Mehmeti
Sipas tij, ky subjekt politik do ta ketë testin e parë serioz në zgjedhjet e para që do të mbahen.
“Tanimë fillon rruga e saj e vërtetë dhe bashkë me të edhe sfidat e saja. Lista Guxo tanimë si parti politike nuk e ka të lehtë si më parë. Kjo Listë, nga sot së pari ka para vetës sfidat e të qëndruarit në skenën politike për kohë të gjatë në këmbët e saja, pa qenë e varur nga ndonjë parti tjetër. Aktualisht Guxo ecën mbi tehun e thikës nga ku mund të pësojë siç ka ndodhur me ish-partitë tjera që tanimë nuk ekzistojnë. Guxo duhet të eksplorojë tek të gjitha grupet, por shpresa për t'u bërë pjesë e saj, janë intelektualët e rinj. Fakti që Vjosa është presidente e penalizon Guxo-n ngase ndryshe do të përqafohej nga masa, nëse Vjosa do të ishte në krye të saj e ndryshe nga dikush tjetër. Nuk besoj se del nga koalicioni, mirëpo qysh zgjedhjet e para Guxo do të ketë testin e parë dhe serioz për të parë se ku ndodhet dhe sa larg mund të ecën”, thotë Mehmeti.
Burjani: kjo parti është krijuar për ta dobësuar LDK-në
Sipas analistit Blerim Burjani, Lista Guxo është krijuar për ta dobësuar LDK-në. “Lista Guxo nuk ka gjasa të bëjë grup të ri parlamentar, edhe po të ketë përçarje në VV, prapë nuk do t`i bashkohen në asnjë variant kësaj Liste, kjo parti nuk ka vizion çfarëdo?
Blerim Burjani
A do të jetë parti e re plotësisht ndryshe nga LDK-ja apo do të jetë si LDD-ja dikur, dhe ta ketë fatin e njëjtë? Kjo parti është krijuar për ta dobësuar LDK-në, por jo ndoshta të jetë një parti plotësisht e re. Ideja e tyre për të marr njerëz të LDK-së apo degë të saj, kjo është e pamundshme, LDK-ja mbetet ajo që është sot, Lista Guxo duhet plotësisht të jetë një parti e re e ardhme e qytetarëve të Kosovës që bashkon të gjitha forcat progresive intelektuale dhe rinore”, thotë Burjani.
Sipas tij, nëse Lista Guxo arrin të mbledh plotësisht njerëz të rinj dhe intelektualë, atëherë nuk do të jetë ombrellë e LVV-së as nuk do të jetë nën ombrellën e saj.
“Pra do të jetë një parti plotësisht e re, e cila nuk do të varet politikisht dhe në asnjë mënyrë nga VV-ja”, është shprehur ai.
“Ky subjekt i ri politik do të jetë gjithmonë në koalicion me VV-në”
Mirëpo, sipas tij nga deklaratat e dy njerëzve që flasin në emër të saj, nxirret konkluza se Guxo do të jetë gjithmonë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Mirëpo, nga deklaratat e këtyre dy njerëzve të vetëm që flasin në emër të këtij subjekti, nxirret konkluza se ky subjekt i ri politik do të jetë gjithmonë në koalicion me VV-në. Këta pak njerëz që flasin në emër të këtij subjekti, po ashtu bëjnë media se do t`i thellojnë raportet me LVV-në e që mendoj edhe sot se ky subjekt është gati plotësisht. VV me pak a kurrfarë diferencash”, është shprehur Burjani.
Në fund, Burjani thotë se në kuptimin programor të partisë, situata është edhe më keq.
“Pra, po e lëmë anash deklarimin se a janë të djathtë e të majtë sepse edhe aty puna është keq. Në kuptimin programor gjasat plotësisht janë minimale dhe kurrfarë që një parti e djathtë të merret me një parti të majtë skajshmërisht”, përfundon ai.