Më 3 prill do të mbahen zgjedhjet në Serbi.
Këshilltari Special i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Përveç mbështetjes që i ka dhënë sovranitetit të Kosovës, Chollet ka biseduar edhe për zgjedhjet të cilat do të mbahen në Serbi.
Ai ndër tjera ka thënë se shumë shtete të OSBE-së e lejojnë votimin fizik për shtete të tjera, ku mbahen zgjedhje.
“Telefonatë fantastike me kryeministrin Albin Kurti. Rikonfirmova mbështetjen e palëkundur për sovranitetin e Kosovës. Përpara kemi zgjedhjet e Serbisë në prill, u diskutuan rastet kur shtetet e OSBE-së i kane pranuar kërkesat e shteteve të tjera për t’u lejuar votimi fizikisht”.
Juristi Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kjo çfarë po bën bashkësia ndërkombëtare është presion mbi qeverinë tonë.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/February/20/auto_auto_auto_auto_islam1557734023156806697315805579241645389180.jpg)
“Tani ka filluar presioni i bashkësisë ndërkombëtare mbi qeverinë tonë, lidhur me zgjedhjet në Serbi, duke kërkuar nga z. Kurti që t'i lejojë të mbahen edhe në Kosovë, për minoritetin serb, i cili kishte ndaluar dhe refuzuar që të lejohet mbajtja e referendumit të Serbisë edhe në republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Ai thotë që kryeministri Kurti duhet të jetë i qartë në përgjigjen e tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare, dhe duhet t’ia këput këtë veprim Serbisë dhe duke e zgjuar nga gjumi atë që të pajtohet me realitetin.
“Duhet t'u bëhet e qartë edhe bashkësia ndërkombëtare se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë është shkelje e sovranitetit. Kryeministri duhet të jetë i qartë në përgjigjen e tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare, si i lejoni ju të votonin popujt me dy shtetësi, edhe ne do ta praktikojnë, e jo diçka që ju se lejoni ta praktikojnë ne, duke ja këputur edhe këtë veprim Serbisë dhe duke e zgjuar nga gjumi atë që të pajtohet me realitetin”, përfundon ai.