Duke shënuar një përvjetor të rëndësishëm si ai i Pavarësisë së Kosovës, me 14 shkurt në Kuvendin e Kosovës u mbajt një seancë solemne.
Fjalimin hapës të kësaj seance e bëri presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kur çdo gjë dukej se po shkonte në rregull në një seancë të rëndësishme si kjo, partitë opozitare bënë një veprim që i befasoi të gjithë.
Ato u treguan mospërfillëse dhe mos respektuese ndaj kryeministrit Albin Kurti, por edhe më keq ndaj shënimit solemn të 14-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kur gjatë fjalimit të tij e braktisën duke u larguar nga Kuvendi.
Në momentin, kur deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u ngritën nga ulëset e tyre, kryetari i Kuvendit GlaukKonjufca iu bëri thirrje që të sillen me dinjitet.
“Kjo është një seancë solemne, ju lutemi të sillemi me dinjitet, është dita e Pavarësisë”, u ka thënë Konjufca.
Natyrisht, në një seancë të tillë kishte edhe shumë mysafirë, mes tyre edhe ambasadorë të huaj dhe figura të larta politike dhe ky veprim tregoi mospërfillje të një date të rëndësishme si ajo e 14 shkurtit.
Analistët politikë për gazetën “Bota sot” komentuan këtë veprim të opozitës dhe sjelljen përçmuese ndaj ditës së përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Mehmeti: Opozita e shpërfaqi fytyrën e vërtetë të saj
Faton Mehmeti
Foto galeri
Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi bojkotimin e seancës solemne, kushtuar Pavarësisë së Kosovës, nga partitë opozitare.
Ai u shpreh se ky veprim e shpërfaqi më së miri fytyrën e vërtetë të opozitës, ku vepruan nga inatet politike.
“Opozita, pavarësisht se mundohet të tregoj se është institucionale, ajo në ditën e përvjetorit të Pavarësisë e ka shpërfaqur fytyrën e saj të vërtetë. Largimi nga seanca solemne më e rëndësishme për një vend, ka treguar fytyrën e saj të vërtetë prej inatçoreje”, deklaroi analisti.
Mehmeti kërkoi nga partitë opozitare të çlirohen nga urrejtja dhe mllefi që kanë për kryeministrin Albin Kurti.
Ai thotë se ndonëse Kurti i ‘gjunjëzoi’ në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit, opozita duhet ta pranojë realitetin dhe të ecë përpara.
“Një opozitë e tillë përligj më së miri ndëshkimin që ia dhanë qytetarët me 14 shkurt të vitit të kaluar. Pavarësisht se si do të vepronte Qeveria, Kryeministri, opozita nuk është dashtë ta lëshoj sallën. Fatkeqësisht opozita duhet të çlirohet nga urrejtja ndaj Albin Kurtit, njeriu që i ka gjunjëzuar duke kuptuar realitetin, ata mund të ecin përpara”, theksoi ai.
Në fund, analisti vlerësoi se me bojkotimin e seancës solemne, opozita bëri “autogol”. Dhe, krahas kësaj, atë e pret një ndëshkim i radhës nga qytetarët e vendit.
“Me veprimet e tyre opozita bëri autogol, në vend se të shfaqej e dinjitetshme për ngjarjen më të rëndësishme të vendit tonë. Një opozitë e tillë nuk është e gatshme për të marr pushtetin, arroganca, nuk është shpërblyer kurrë nga qytetarët, kështu që opozita do të marrë prapë atë që mori me 14 shkurt të vitit të kaluar, kurdo që mbahen zgjedhjet”, përfundoi FatonMehmeti për “Bota sot”.
Krasniqi: Opozita duhet të mbaj përgjegjësi për veprimet e veta
Islam Krasniqi
Foto galeri
Ndërsa, edhe analisti Islam Krasniqi e vlerësoi si gabim të madh lëshimin e seancës nga partitë opozitare, në përvjetorin e 14 të pavarësisë së Kosovës.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se bojkotimi Kuvendit ishte një gabim, derisa kërkoi nga qeveria që të jetë më e kujdesshme.
“Është gabim që të lëshohet salla e Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç ishte rasti më seancën për nderë të ditës së Pavarësisë së Kosovës. Edhe qeveria duhet të jetë më e kujdesshme sepse për çdo veprim akuzon qeveritë e kaluara për t'i mbuluar gabimet e veta, nuk është e arsyeshme të kritikojmë për të kaluar dhe për të mbuluar mospunën për të ardhmen”, u shpreh analisti.
Sipas Krasniqit, opozita duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj, ndërsa kryeministri Kurti duhet t’i pranojë kritikat.
“Kryeministri duhet që t'i pranoj kritikat dhe të punojë me të gjithë duke e afruar edhe opozitën, por edhe opozita duhet të mbaj përgjegjësi për veprimet e veta.
Për një pjesë të opozitës s'ka qenë e lehtë që ditën e pavarësisë të festojnë pa krerët e saj, pasi që i ka në mbajtje dhe qeveria nuk është dashur t'i harroj të paktën për nderë të ditës së pavarësisë, edhe pse kanë pasur mendime të kundërta, por që kanë dhënë një kontribut në këtë proces”, nënvizoi ai.
Kurse, sa i përket faktit se në momentin e bojkotimit të seancës ishin edhe shumë mysafirë, përfshirë edhe ambasadorë, Krasniqi thotë se ata janë mësuar të shohin situata të ndryshme në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk është interesant për mysafirët që ishin në Kuvend apo edhe për ambasadorët sepse ata janë mësuar të shohin gjithçka në Kuvendin tonë!”, përmbylli Islam Krasniqi për “Bota sot”.