Nesër do të mbahet takimi i radhës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryenegociatorët e të dyja palëve do të takohen nesër në Bruksel.
Bisedimet do të zhvillohen nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq
Mirëpo Petkoviq para takimit është shprehur i revoltuar edhe nga takimi i Kurtit në Bruksel me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak, ku kryeministri theksoi se të dyja palët duhet të fokusohen në njohjen reciproke.
“Kurtit nuk i beson më askush, edhe pse është fëmijë i mentorëve perëndimorë. Ai nuk pranoi t’i nënshkruajë tri dokumente për gjërat elementare. Është e rëndësishme të bisedohet, të zgjidhet çështja e të pagjeturve, por nuk është çështje politike siç dëshiron ta prezantojë Kurti, por në radhë të parë humanitare”, tha ai.
Në lidhje me këtë temë ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi, i cili nuk pajtohet me fjalët e Petkoviq pasi është Serbia ajo e cila asnjëhere nuk ka punuar për normalizim të raporteve me Kosovën.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/February/21/auto_850x636_enver-bytyci16372713191645475960.jpg)
“Petar Petkoviq ka folur sot rreth dialogut midis Kosoves dhe Serbise. Ai la te kuptoje se Serbia qenka e interesuar për këtë dialog, ndërkoh që fajëson palën e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për atë që ai thotë se „Po bllokon dialogun“! Sipas Petkoviq, Kurti nuk paska nënshkruar tri marrëveshje, ndër të cilat ai përmend marrëveshjen për të pagjeturit.
Megjithëse nuk ka asnjë viktimë serbe të luftës në Kosovë pa u gjetur, qeveria dhe presidenti i Serbisë e kanë shndërruar në kauzë çështjen e të pagjeturëve, me pretendimin se Kosova fsheh lokacionet ku na qenkan fsheh eshtrat e viktimave të tyre. Ndërkohë ka qenë dhe është e kundërta. Është qeveria e Beogradit ajo që nuk ka bashkëpunuar as me autoritetet e Kosovës as me faktorin ndërkombëtar për gjetjen e eshtrave të mbi 1600 shqiptarëve, të cilët janë masakruar në vendlindje dhe janë marrë me kamione e janë hedhur në lumin e Danubit”, u shpreh ai.
Historia përsëritet, ndonëse jo në mënyrë identike
Profesori më tej thotë se kërkesa e Beogradit për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë po përdoret nga pala serbe për të manipuluar të vërtetën për krime kundër shqiptarëve në Kosovë.
“Kërkesa e Beogradit për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë po përdoret nga pala serbe për të manipuluar të vërtetën dhe mënjanuar akuzën për krime kundër njerëzimit dhe gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Kjo taktikë e Serbisë nuk u hetua nga Thaçi dhe Mustafa. Ose ata nuk dëshiruan që ta shohin faktin se Beogradi po luante me viktimat shqiptare të masakruara nga ushtria e policia serbe, viktima të cilat u rivranë, duke ua zhdukur kufomat. Këtë gjë kishte bërë Hitleri me hebrejtë në Aushcëic. Historia përsëritet, ndonëse jo në mënyrë identike”, theksoi profesori.
Bytyçi përmend serbët të cilët jetojnë në Kosovë duke shtuar që të njejtit jo që nuk dënohen për të bëmat ndaj shqiptarëve mirëpo edhe kanë shumë të drejta.
“Ata që përseriten historinë e nacionalsocializmit të Hitlerit në Beograd, pikërisht këta, në vend të dënohen e të ndëshkohen për këto akte barbare kundër shqiptarëve, u jepet mundësia të spekulojnë me fatin e serbëve në Kosovë. Në fakt serbët e Kosovës kanë të drejta qytetare e kolektive të pafund, të drejta, të cilat nuk i ka asnjë pakicë dhe minoritet tjetër në botë, pavarësisht numrit shumë herë më të madh sesa janë serbët në Kosovë. Le t’i marrim shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, popullsia e të cilëve arrinë thuajse në të njejtin numër me maqedonasit e megjithatë kanë më pak të drejta sesa kanë serbët në Kosovë”, potencoi Bytyçi.
Në bised e sipër profesori cek që Petkoviq është shprehur se do ta njoh Kosovën nëse e njejta pranon Asocacionin mirëpo që sipas Bytyçit kjo nuk qëndron dhe nesër do ta ndryshoj këtë deklartë.
“Petkoviq flet edhe për “kërkesën e vetme“ që pala serbe paska, pra për asosacionin. Kur ai thotë „e vetme“, duhet të nënkuptojë se Beogradi nuk do të ketë ndonjë pretendim tjetër për të njohur shtetin e Kosovës. Por këtë ai nuk e thotë. Mashtrimi është aty në detaj. Nesër do të thotë se kjo ishte kërkesa e momentit, jo me kushtin për njohje të shtetit të Kosovës. Intrigat serbe shfaqen dukshëm edhe në këtë deklaratë të ndërmjetësuesit serb në këto bisedime. Është një nga marifetet e përhershme, me të cilat ne mësojmë edhe njëhere se politikat serbe në Ballkan e veçmas në Kosovë nuk kanë ndryshuar. Janë ato të mëparshmet, të gati dy shekujve të kaluar”, theksoi profesori.
Qeveria e Kosovës duhet të jetë e përgatitur të përballojë jo vetëm sfidat, por edhe intrigat serbe
Ndër të tjera profesori thotë që Serbia ka filluar të dorëzohet pasi edhe Vuçiq ka theksuar që nëse Kosova pranohet në NATO, Serbia do të gjendet para aktit të kryer.
“Pra, nëse e analizojmë mirë këtë deklaratë ne shkojmë drejt një ideje se Serbia ka filluar të dorëzohet. Këtë e pranonte edhe Aleksandër Vuçiq në një deklarim të tj televiziv ditën e pardjeshme. Ai thoshte se ka mundësi që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s dhe në këtë rast Serbia do të gjendej para faktit të kryer. Nuk dihet nëse presidenti serb thotë të vërtetën, apo dëshiron ta vështirësojë pozitën e tij në raport me dialogun me Kosovën, me qëllim që t’u thotë zgjedhësve të datës 3 prill, se ai pavarësisht vështirësive, është një politikan i sfidave dhe „fitimtar“! Pra, besoj se kemi të bëjmë me një taktikë, të cilën e përdorin liderët autoritarë vazhdimisht: Fillimisht i vështirësojnë dhe dramatizojnë ngjarjet e fenomenet dhe më pas bejne „heroin“ apo „shpëtimtarin“! Kështu ndodhi me pandeminë në shumë vende, përfshirë Shqipërinë. Po ashtu me tërmetin e 26 nëntorit 2019 në Durrës e zonën e Krujës etj”, tha profesori.
Në fund ai shton që qeveria e Kosovës duhet të jetë e përgatitur për çdo sfidë.
“Prandaj dhe qeveria e Kosovës duhettë jetë e përgatitur të përballojë jo vetëm sfidat, por edhe intrigat serbe kur është fjala për dialogun midis dy vendeve”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.