Situata në Ukrainë po vazhdon të jetë shqetësuese, ku në çdo moment po pritet reagimi i Rusisë.
Krahas kësaj situate tensionuese, ditë me parë ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se autoritetet ruse po punojnë për të verifikuar informacionet për "mercenarët" nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja që shkojnë në Ukrainë.
Mirëpo, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), i mohoi pretendimet ruse për “rekrutim mercenarësh në Kosovë, Shqipëri e Bosnje” për t’u përfshirë në luftimet në Ukrainë.
Profesori Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se deklarata e ministrit rus për ‘mercenarët shqiptarë’ është tendencioze.
Ai tregoi katër qëllimet që fshihen pas kësaj deklarate.
“Në kuadër të parapërgatitjes së agresionit rus në Ukrainë është edhe deklarata e Lavrovit, ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, mbi atë: "(...) terroristë nga Kosova dhe nga Shqipëria gjenden në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë". Kjo deklaratë ka karakter të shumëfishtë:
1. Tregohet se gjoja nga Kosova dhe Shqipëria ka kriminelë dhe terroristë që shkojnë nëpër vende tjera për të luftuar.
2. Se Kosova dhe Shqipëria, janë shtete kriminale që nuk i plotësojnë kushtet për shtete.
3. Me atë po përgatitet gjendja që në rast të agresionit rus mbi Ukrainën të fillon edhe agresioni serb, nëse jo mbi tërë Kosovën, atëherë mbi pjesën veriore të saj dhe
4. Me atë veprim të politikes ruse po përgatiten terrene për të hapur shumë konflikte të armatosura apo vende për rrezik për lufte për NATO-n, SHBA dhe për aleatët e tjerë”, theksoi profesori.
Kelmendi paralajmëroi se para agresionit në Ukrainë, Rusia do ta urdhërojë Serbinë që ta sulmojë Kosovën.
Ai tha se shteti i Putinit nuk do të synojë vetëm de stabilizimin e Kosovës, por edhe sia shteteve të tjera.
“Nuk është fare e pa pritshme që me rastin e agresionit rus ndaj Ukrainës ose para agresionit rus të veprojnë në lindje të Ukrainës dhe në Krime radhët e armatosura pro ruese. Në këtë anë duhet pritur që Moska të urdhëroj Serbinë për të sulmuar ushtarakisht Kosovën. Këtej pritet që të kërkojë që edhe serbët në BH të ndahen nga ky shtet dhe të shpallin bashkimin me Serbinë.
Këso veprime agresive mund të priten në Gjeorgji, Siri, nga Koreja e Veriut, mercenarët rusë në Afrikë, nga Cuba dhe Venecuella, etj.
Qëllimi thjeshtë: Hapja e shumë konflikteve ushtarake, në mënyrë që NATO dhe SHBA të shpërndahen në hapësirë dhe kështu të kalojë shumë më qetë agresioni ushtarak rus në Ukrainë”, deklaroi ai.
Më tej, profesori u shpreh se ky skenar i shtetit rus është në zhvillim dhe se po bëhet parapërgatitje për luftë special.
“Ky skenar është në zhvillim dhe shpejtë mund të priten veprime konkrete në vendet e përmendura. Këtu e ka bazën deklarata qesharake dhe fare jo reale e Lavrovit në drejtim të Kosovës dhe Shqipërisë. Lavrov dhe Putin e dijnë se nuk ka shqiptarë si mercenarë në Ukrainë. E megjithatë bëjnë deklarata të tilla. Kjo është një parapërgatitje dhe luftë speciale për veprime ushtarake”, nënvizoi Kelmendi.
Në fund, ai potencoi se kërcënimet serbe do të rriten, derisa paralajmëroi aksione të rrezikshme.
Kelmendi tha se me këtë skenar serbo-rus “lufta e armatosur po troket te porta!”
“Kërcënimi shovinist serb do të intensifikohet, më siguri edhe veprime kriminale do të kemi në veri të Kosovës. Priten aksione të rrezikshme në këtë drejtim. Natyrisht se organet e shtetit të Kosovës do të veprojnë kundër veprimeve kriminale dhe me këtë hapet mundësia për agresion serb mbi Kosovë.
Këtu fillon një luftë e përmasave të gjera shqiptaro-serbe. Ky skenar është në Moskë dhe në Beograd. Dhe mbi këtë po punojnë këto dy qendra kriminale, tepër luftë nxitëse dhe armiqësore. Lufta e armatosur po troket te porta!”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.