Me 22 shkurt, në Bruksel do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku kjo gjë do të bëhet në nivel të kryenegociatorëve.
Këtë e konfirmoi Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri.
“Takimi i ardhshëm në nivel të krye negociatorëve do të zhvillohet në Bruksel me 22 shkurt, mikpritës i të cilit do të jetë i dërguari i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak. Ky rund i takimeve do të shërbejë për të vazhduar diskutimet e lidhura me implementimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.
Mirëpo, vlen të theksohet se ky takim po mbahet në kohën kur situata në Ukrainë është tensionuese dhe në çdo moment pritet pushtimi i Rusisë.
Kësisoj, gjithë vëmendja ndërkombëtare është fokusuar në këtë çështje.
Njohësit e çështjeve politike në prononcimet për gazetën “Bota sot” treguan se si mund të ndikojë situata Ukrainë-Rusi në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.
Vlerësohet se propaganda ruse në Bruksel do të jetën ende e pranishme, pavarësisht zhvillimet të fundit.
Shahu: Takimet Kosovë-Serbi në Bruksel, fragment i një telenovele
Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se nuk pret diçka konkrete nga takimi në Bruksel.
Rexhep Shahu
Ai u shpreh se negociatat do të jenë të suksesshme vetëm kur Amerika të thotë si presidenti Bush: “mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”.
“Asgjë nuk besoj se pritet nga takimi i kryenegociatorëve shqiptarë e serbë në Bruksel, veç do kalojnë radhën. Nuk ka mbetur gjëja në dorë kryenegociatorësh. Bisedimet apo takimi do të jetë i suksesshëm kur të thotë Amerika siç tha presidenti Bush në Tiranë për Kosovën që “mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”, deklaroi analisti.
Sipas Shahut, negociatat Kosovë-Serbi janë shndërruar në një telenovelë, ku pjesëmarrës të saj janë Rusia dhe Evropa.
“Çdo seancë tjetër negociatash apo bisedimesh është një fragment i telenovelës që duhet shfaqur. Kaluan dy dekada kur Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe një dekadë e gjysmë kur ajo edhe formalisht e shpalli pavarësinë dhe ende Serbia, Rusia dhe Evropa xhirojnë seri rutinë telenovelash në Bruksel mes Kosovës e Serbisë”, theksoi Rexhep Shahu për “Bota sot”.
Preqi: Për t’i kuptuar më mirë takimet e dialogut në mes palëve, duhet t'i analizojmë edhe takimet e kaluara
Ndërsa, oponionisti Dedë Preqi u shpreh se për t’i kuptuar takimet mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht duhet të analizohen takimet e mëparshme, ku marrëveshjet e arritura nuk morën një epilog përfundimtar.
Dedë Preqi
Në një prononcim për “Bota sot” përmendi disa nga temat më të ndjeshme të diskutuara në bisedimet në Bruksel.
“Për t’i kuptuar më mirë takimet e dialogut në mes palëve, duhet t’i analizojmë edhe takimet e kaluara, të cilat fare pak e kanë marrë epilogun e tyre të duhur dhe formën e një marrëveshje që i dërgojnë palët në dukuritë elementare për të cilat gjëra flitet dhe dialogohet dhe të realizohet një qëllim i mundshëm, që prek realitetin e këtij procesi shumë të rëndësishëm në mes këtyre dy popujve dhe dy shteteve.
Veçanërisht mbetet me rëndësi se çështjet e ndjeshme dhe të rëndësishme që i paraqet Kosova në dialog me Serbinë, siç janë përveç tjerave edhe çështja e të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo i refuzon dhe nuk dëshiron të diskutojë për çështje të tilla, të cilat kanë shumë peshë për popullin e këtij vendi, duke i futur në dialog çështjet e veta të një natyre të ndjeshme dhe të rrezikshme që prekin edhe cenojnë sovranitetin territorial të shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.
Po ashtu, Preqi përmendi edhe Konferencën e Mynih-ut, në të cilën shteti serb refuzoi të marrë pjesë.
Sipas tij, Serbia nuk mori pjesë, pasi nuk dëshironte të ballafaqohet me miqtë e shqiptarëve.
“Duhet të përmendim Samitin e fundit që u mbajt në Munih të Gjermanisë, në të cilin ishin të ftuar edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ishte e ftuar edhe Serbia, me ç’rast nuk merr pjesë, për shkakun se, kinse Serbia nuk dëshironte të ballafaqohet me njerëzit dhe miqtë e shqiptarëve, të cilët lobojnë dhe i kanë krijuar favoret e tyre dhe kundër shtetit të Serbisë, të cilët po tentojnë që përveç se ta pranojmë shtetin e Kosovës, njëherësh edhe shumë shpejtë këtë vend për ta futur në NATO, ishte ky një «trik» i Vuçiqit, të cilin e kishte shpikur si të tillë këto ditë”, theksoi opinionisti.
Kriza në Ukrainë e ka heshtur Serbinë
Gjithashtu, ai vlerësoi se rreziku nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe shpërthimi i një lufte të mundshme e ka heshtur Serbinë,
“Kriza e shkaktuar në Ukrainë, e cila është e rrezikuar nga një pushtim i mundshëm nga Rusia nën regjimin e Putinit, sikur e ka heshtur Serbinë dhe Vuçiqin, jo që kjo krizë e shqetëson shumë Serbinë, por ngjarjet e tilla, apo lufta që mund të shkaktohet në këtë vend, do të ndikojë edhe në vendet ballkanike e më gjerë edhe në Evropë, që Serbia, e ka një ndjesi dhe ëndërr për të realizuar qëllimet dhe apetitet e veta”, nënvizoi Preqi.
Krahas kësaj, opinionisti konsideroi se heshtja e Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, ka të bëjë me diçka më shumë. Ai beson se me kundërshtimin e SHBA-së, shtetit serb do t’i ndalet hovi i armatimit të saj nga Rusia.
“Mirëpo, ajo që e ka heshtur në këtë rast Serbinë dhe Vuçiqin, është edhe diçka më shumë, nëse këtu kemi të bëjmë me mbështetjen e ngushtuar dhe të munguar të Serbisë, nga BE-ja, dhe SHBA- të, të cilat janë në kundërshtim të pushtimit të Ukrainës. Po ashtu Serbisë, do i ndalet hovi i armatimit të saj nga Rusia, së cilës mund t’i dështojnë planet në një mënyrë, dhe nga kjo krizë e shkaktuar në Ukrainë, mund të jetë edhe fundi i mbështetjes së Serbisë, nga SHBA-të, dhe BE-ja”, tha ndër të tjera ai.
Më tej, Preqi paralajmëroi se kriza që po shkaktohet në shtetin ukrainas, do të përfshijë edhe vendet e tjera të Evropës, përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë.
Ndërsa, ai beson se kriza Rusi-Ukrainë mund të ndikojë në bisedimet Kosovë-Serbi.
“Kriza të cilën po e shkakton Rusia e Putinit në Ukrainë, mund të shkaktojë krizë të thellë edhe në vendet tjera, nuk duhet përjashtuar Kosovën dhe Shqipërinë, duke përfshirë Evropën e më gjerë, me ç'rast reagimet e SHBA-ve dhe aleatëve të saj janë të mëdha në tërë botën. Por, nëse do e marrim ndikimin e kësaj krize edhe në bisedimet e tanishme në mes palës së Kosovës me Serbinë, nuk mund të jemi pesimistë dhe as optimistë, edhe pse në njërën anë, propaganda e Rusisë depërton edhe më gjerë, se pushtimet e saj nuk do ndalen vetëm në Ukrainë, por do të ndikojnë edhe më larg, në një mënyrë do t’i rriten brirët edhe më shumë Serbisë, e cila në këtë rast po i lëpin buzët si «dhelpra për pula»”, potencoi opinionisti.
Në fund, ai tha se pavarësisht kësaj krize, Kosova ka mbështetjen e Amerikës dhe se ajo duhet të vazhdojë me qëllimet e saj zhvillimore.
Madje, opinionisti beson se kryeministri Kurti është i përkushtuar në çështjet e rëndësishme të vendit, ku nuk cenon asnjëherë kufijtë e Kosovës.
“Mirëpo, Kosova dhe populli i saj, si gjithherë në mbështetje të SHBA-ve dhe aleatëve të saj, nuk ka arsye që të hezitojë në qëllimet e veta zhvillimore dhe integruese dhe të trajtojë ekzistencën e vet si shtet sovran dhe demokratik, dhe integrimin e këtij vendi në organizatat ndërkombëtare dhe vendet e zhvilluara demokratike të botës, ndërsa me Serbinë, është e hapur për negociata si dy vende dhe shtete të barabarta, me ndërmjetësimin e BE-së, dhe garantimin e SHBA-ve.
Qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, edhe pse nuk e ka mbështetjen e opozitës, janë dhe mbeten të përkushtuar si asnjëherë tjetër në çështjet madhore për popullin dhe vendin, të cilat i merr me një seriozitet dhe shfaqje të një pushteti «hyjnor», që përveç tjerash, kufijtë e këtij populli dhe shteti i konsideron të shenjta dhe të pa prekshëm, në çfarëdo negociatash që i kryeson dhe udhëheq”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.