Në kulmin e tensionit në Ukrainë/ Njeriu i Putinit në Beograd, ndizet alarmi për Kosovën

Politika

Në kulmin e tensionit në Ukrainë/ Njeriu i Putinit në Beograd, ndizet alarmi për Kosovën

Nga: P.R Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 19:05
Vladimir Putin dhe Nikolai Patrushev

Shefi i shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev gjatë kësaj jave do ta vizitoj kryeqytetin e Serbisë, Beogradin.

Kjo vizitë sipas analistit Agon Maliqi është presion për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon dhe mundësi për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës.

“Në kulmin e tensioneve në Ukrainë, shefi i shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Patrushev, njëri ndër njerëzit më të afërt të Putinit, këtë javë vjen në Beograd. Synimi, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e Dodikut për zhbërjen e Bosnjës, por edhe mundësia për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës”, ka shkruar Maliqi.

Se ky duhet të jetë edhe një alarm për Kosovën, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, sipas të cilit, prezenca ruse në Ballkan vazhdon të jetë e madhe.

Image
Drizan Shala

“Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev vizitoi Beogradin në vitin 2016, 2017, 2018 si dhe në vitin 2019 ku Shërbimi Inteligjent serb diktojë një aktivitet të shërbimit rus brenda territorit të saj, respektivisht brenda ushtrisë Serbe. Pra kjo tregon që Rusia që nga viti 2016 , përjashto vitin 2019 dhe 2020 si pasoje e Covid që zyrtarisht nuk dihet që ka patur vizitë të nivelit të tillë në Beograd apo në Moskë, kjo është një indikacion që strukturat e sigurisë së Rusisë janë tejet prezente për të forcuar bashkëpunimin e dy vendeve për interesat e tyre ekspansioniste të Serbisë në territoret e ish shteteve të RSFJ-së, si dhe Rusia të mund të jetë brenda orbitës së teorisë së lavjerrësit ku me një këmbë është në pengimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE dhe zgjerimit të NATO-s në vendet e Ballkanit si dhe të bëj presion ndërkombëtar për interesat e saja në pjesën e Detit të Zi”, thotë Shala.

Sipas tij, duke parë zhvillimet në shtetet e Ballkanit, shërbimet ruse më shumë se kurrë kanë rritur aktivitetin e tyre në Ballkan.

“Nëse merret për bazë fakti që kemi një destabilizim në aspektin politik në Bosnje me Republike Serbe , në Mal të Zi me një qeveri të pakicës dhe shtimit të presionit të subjekteve pro Serbe/Ruse , një Maqedoni e Veriut cila ka një pengese quajtur Bullgari në rrugëtimin e saj drejt BE-se dhe në fund procesi ende i pa përfunduar ri raporteve shtet me shtet të Kosovës me Serbin len hapësirë që probabiliteti të jete i lartë të aktiviteteve të shërbimeve informative të Rusisë në hapësirën e Ballkanit duke shfrytëzuar infrastrukturën e shërbimit serb”, shprehet Shala.

Më tej, ai deklaron se kriza e Ukrainës, padyshim që ndikon edhe në zhvillimet në Kosovë dhe vendet e rajonit.

“Institucionet e Kosovës ato politike kanë ngritur shqetësimin e tyre në arenën ndërkombëtare sa i përket interferimit të krizës se Ukrainës në nivelin e sigurisë në nivel rajonit, me theks të veçantë të Kosovës në procesin e dialogut”, nënvizon Shala.

Për fund, ai deklaron se Shërbimi Inteligjent i Kosovës duhet të ketë sa më parë një bashkëpunim me Qendrën e Inteligjencës dhe Situatës së BE-së.

“Ndërsa mekanizmi i sigurisë së Kosovës që për fushë veprimtari ka dedektimin e çdo aktivitet të mundshëm të shërbimeve armike kundër sigurisë nacionale të vendit, të iniciojë nëse nuk e kanë bërë deri me tani një bashkëpunim me Qendra e Inteligjencës dhe Situatës së BE-së ( EU INTCEN) , ku dihet që shtetet antare të BE-se janë pjesë e kësaj qendre duke shkëmbyer informacione që për synim kanë sigurinë e shteteve anëtare të BE-së por edhe të Evropës në përgjithësi dhe një anëtarësim/bashkëpunim i mekanizmit të sigurisë së Kosovës në këtë institucion, do kishte me sjell informacione tejet të rëndësishëm të strukturave ruse qoftë në Evropë siç ishte rasti me aktivitetet në Suedi të SVR- ruse dhe mënyrës së veprimit të tyre, apo edhe në Ballkanin perëndimor duke luftuar dhe penguar çdo tentativë të mundshme përmes bashkëpunimit reciprokë në shkëmbim të informacioneve”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat