Nuk janë të rralla mungesat apo largimet e deputetëve të opozitës nga seancat e Kuvendit. Kështu në seancën e sotme plenare, deputetët e LDK-së kanë lëshuar sallën e Kuvendit.
Deputetët opozitarë shprehen vërejtjet e tyre për mosrespektim të rregullores së Kuvendit, në momentin e tejkalimit të pikave të rendit të ditës për shkak të mungesës së paraqitjes së dy projektligjeve nga ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku dhe ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se kjo mënyrë e bartjes së pikave nuk ka funksionuar asnjëherë në Kuvend.
Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se depuetët dhe ministrat duhet t’i arsyetojnë mungesat gjatë seancave, sepse si shkak i tyre po bëhet edhe tejkalimi i pikave të rendit të ditës.
“Është gabim lëshimi i sallës së kuvendit të Kosovës nga deputetët, pavarësisht lëshimëve që bëhen me qellim apo pa vetëdije. Edhe ministrat duhet të arsyetojnë mungesën e tyre dhe të jenë më të kujdesshëm, e jo të bëhet tejkalimi i pikave të rendit të ditës për shkak të mungesës së tyre, siç ishte rasti më Ministrin Çeku dhe Nagavci.”, tha ai.
Krasniqi potencoi se mungesat nuk janë problem, por duhet të qëndrojnë në Kuvend duke e pasur parasysh që marrin edhe pagesa bazë për këtë.
“Nuk është ndonjë problem mungesa e tyre, por duhet të kemi parime në jetë dhe punë, të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë procedurat duke qëndruar në seance, sepse për ata janë të thirrur dhe për pagës bazë marrin edhe mëditje për atë seancë. Në legjislaturat tjera ke pasur raste të ndryshme, por nuk duhet të mbrohet ky kuvend apo kjo qeveri duke u bazuar në të kaluarën, sepse këta janë thirrur se do të jenë ndryshe tejkalimit të rendit të ditës”, shtoi Krasniqi.