Shqipëria komuniste me në krye diktatorin Enver Hoxha kishte dekoruar me dekorata të veçanta përfaqësuesit e Jugosllavisë me qëndrime anti-shqiptare si Aleksandër Rankoviçin, Dushan Mugoshën, Svetozar Vukmanoviç Tempon, Milladin Popoviçin etj.
Këto dekorata nuk u tërhoqën asnjëherë nga shteti i Shqipërisë, as në kohën e komunizmit dhe as të demokracisë.
Kështu ka deklaruar, ditë më parë Driton Tali, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai madje ka pyetur qeverinë e Shqipërisë se kur do t`i tërheqë këto dekorata që u janë dhënë personaliteteve antishqiptare.
Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka biseduar me prof. dr. Enver Bytyçi, se të dërguarit e Titos në Shqipëri bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore që politika e PKSH-së të zbatohej brenda interesave jugosllave.
“Nga historia tashmë ne e dimë se Partia Komuniste e Shqipërisë është krijuar nën patronazhin e Partisë Jugosllave dhe të dërguarve të Josip Broz Titos. Duke qenë patronazhistët e komunistëve shqiptarë, të dërguarit e Titos në Shqipëri bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore që politika e PKSH-së të zbatohej brenda interesave jugosllave. Ndaj u prish Marrëveshja e Mukjes e vitit 1943, sipas të cilës u pranua kërkesa e Ballit Kombëtar për të marrë pjesë në luftën kundër fashizmit, me kusht që në përfundim të luftës Kosova tëishte e bashkuar me Shqipërinë”, tregon Bytyçi.
Ai shprehet se edhe pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1948, Shqipëria ndoqi politikat jugosllave të zhvillimit dhe të aleancave politike e ideologjike.
“U unifikuan doganat dhe po nënshkruhej marrëveshja e shpalljes së Shqipërisë si Republikë e Shtatë e Federatës Jugosllave. U firmos madje prania e ushtrisë jugosllave në territoret e shtetit shqiptar! Derisa më 28 qershor 1948, ditën e Shën Vidovdanit serb, Stalini shpalli letrën e Informbyrosë, me të cilën dënonte publikisht Partinë Komuniste Jugosllave dhe Titon si subjekte të lidhura me perëndimin “borgjez”! Në këtë moment udhëheqja komuniste e Enver Hoxhës mbajti krahun e Josif Stalinit, duke e shpallur Titon „armik“ të kampit të socializmit me Bashkimin Sovjetik në krye.
“Gjatë periudhës 1945-1948 Enver Hoxha bëri disa vizita në Beograd. E shpalli Jugosllavinë dhe popujt e saj, veçanërisht serbët si “popull vëlla” i shqiptarëve. Shpalli aleancën e ngushtë me Beogradin. Madje mori në mbikëqyrje edhe masakrën e Tivarit, gjatë kohës kur shqiptarët e masakruar po kalonin në territorin e Shqipërisë. Për merita të shquara lideri komunist i Shqipërisë, Hoxha, u dekorua në Beograd me dekoratën më të lartë të Heroit të Popujve të Jugosllavisë. Po ashtu edhe Tito me dekoratën e Heroit të Popullit nga ana e Shqipërisë. Shqipëria dekoroi asokohe gjithashtu terroristin anti-shqiptar, Aleksandër Rankoviçin, DushanMugoshën, MiladinPopoviçin, VelimirStojniçin, Svetozar Vukmanoviç Tempon dhe të tjerë komunistë të ish-Jugosllavisë, të gjithë serbë dhe malazezë, të cilët kishin shërbyer në Shqipëri si ndërmjetës të Komitetit Qendror të PKJ-së në udhëheqjen e PKSH-së”, tregon Bytyçi.
Sipas tij, dekoratat e larta të ndërsjella midis ish-Jugosllavisë së Tito-Rankoviçit dhe Shqipërisë së Enver Hoxhës u dhanë nga ana e Jugosllavisë për kontributet e Enver Hoxhës, Koçi Xoxes e të tjerëve liderëve shqiptarë në shërbim të saj.
Ndërsa, udhëheqja shqiptare i dekoroi udhëheqësit dhe përfaqësuesit e Jugosllavisë të lartpërmendur me motivacionin e ndihmës dhe kontributeve që ata kishin dhënë për mbajtjen në pushtet të Hoxhës dhe të tjerëve.
“Askush nuk u kujtua t’i kthejë dekoratat që ishin marrë më parë”
“Marrëdhënia Shqipëri-Jugosllavi ishte e kushtëzuar me mbrojtjen e pushtetit të ish-diktatorit shqiptar.
Për këto arsye të dyja palët dekoruan njëri-tjetrin. Kryesore ishte ndihma që ushtria e partizanëve shqiptarë ia dha Jugosllavisë së AVNOJ-t dhe Serbisë për të eliminuar nacionalizmin shqiptar në Kosovë. Janë të njohura ndikimet dhe implikimet direkte të brigadave partizane të Shqipërisë për të eliminuar rezistencën e Shaban Palluzhës dhe mbështetësve të tij. Janë të njohura këto kontribute për të farkëtuar “bashkim-vëllazërimin” shqiptaro-serb, ose për të mobilizuar shqiptarët e Kosovës në luftën kundër nazizmit gjerman. Gjithçka ishte në favorin e politikave serbe në Kosovë dhe kundër çdo përpjekjeje të shqiptarëve për liri e mëvetësi”, nënvizon Bytyçi.
Edhe pse nga qershori 1948 udhëheqja komuniste shqiptare u shkëput nga lidhjet e saj të mëparshme me Jugosllavinë e Serbinë, madje në një lloj armiqësie publike me të, Bytyçi thotë se askush nuk u kujtua të kthejë dekoratat që ishin marrë më parë.
“As politikanët serbo-malazezë të dekoruar nga Tirana zyrtare, as vetë diktatori Hoxha nuk e bënë gjënë e duhur për t’i kthyer dekoratat e dhëna. Autoritetet shqiptare nuk i tërhoqën gjithashtu dekretet që kishin lëshuar për dhënien e këtyre dekoratave për liderët serbo-jugosllavë, përfshirë Rankoviçin. Madje disa figura si Miladin Popoviçin, i morën në mbrojtje edhe pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave.
Kjo do të thotë se lidershipi shqiptar bëri njëfarë kujdesi në marrëdhëniet me Jugosllavinë edhe pas prishjes së këtyre marrëdhënieve më 28 qershor 1948. Me siguri kishte një marrëveshje sipas së cilës ishte përcaktuar vija e kuqe. Ndryshe, pala shqiptare kërcënohej me nxjerrjen e dokumenteve demaskuese për udhëheqjen e saj në shërbimet ndaj Jugosllavisë e Serbisë”, ka shpjeguar profesori.
“Kosova mund të kërkojë kthimin ose ç’ dekretimin e dekoratave që u janë dhënë politikanëve serbë e jugosllavë në vitet 1945-1948”
Bytyçi potencon se ndonëse kanë kaluar gati 80 vite nga koha e këtyre marrëdhënieve, në Beograd nuk janë deklasifikuar plotësisht dokumentet e kohës për këto lidhje shqiptaro-jugosllave.
“Kjo ndodh edhe për faktin se politikanët e Beogradit nuk duan të dekurajojnë bashkëpunëtorët e sotëm në Tiranë dhe kudo në territoret shqiptare. Nëse do të denoncoheshin marrëveshjet dhe marrëdhëniet sekrete të asaj kohe midis të dyja palëve, atëherë bashkëpunëtorët e sotëm shqiptarë do të demotivoheshin për bashkëpunim të ngushtë me shërbimet serbe.
Kosova mund të kërkojë kthimin ose ç’ dekretimin e dekoratave që u janë dhënë politikanëve serbë e jugosllavë në vitet 1945-1948. Por ka dy probleme: Së pari, duhet t’i kthejnë këto dekorata edhe të dekoruarit shqiptarë në Kosovë, përfshirë dhe Rexhep Qosjen. Së dyti, nuk do të pranohet një kërkesë e tillë në Tiranë. Si mund të ndodhë kjo, kur kryeministri i sotëm i Shqipërisë është i lidhur me Beogradin shumë herë më ngushtë sesa ishte para70-80 viteve themeluesi i partisë së tij, Enver Hoxha?!”, thekson Bytyçi.