“Serbia po pret momentin që Moska t’ia jap dritën për të vepruar”/ Juristi: Shqiptarët do të veprojnë si një trup i vetëm

Politika

“Serbia po pret momentin që Moska t’ia jap dritën për të vepruar”/ Juristi: Shqiptarët do të veprojnë si një trup i vetëm

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Situata ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka alarmuar gjithë botën.

Madje, shtetet perëndimore dhe SHBA-ja, kanë filluar vendosjen e paralajmëruar të sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë.

Por, në mes të kësaj krize që ka kapluar botën, përfaqësuesi i lartë evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka tërhequr vërejtjen për mundësinë e shpërbërjes së Bosnje e Hercegovinës.

Ai madje ka kërkuar nga ministrat e BE-së që ta ndalin këtë dinamikë sepse Bosnja dhe Hercegovina mund të shpërbëhet në disa copa.

“Ministrat e BE-së do të duhet të marrin vendim se si ta ndalin këtë dinamikë në Bosnje e Hercegovinë dhe të evitojnë që shteti të shpërbëhet në disa copa. Kjo është një situatë kritike dhe ministrat duhet të miratojnë disa vendime për këtë gjë”, ka thënë Borell.

Lidhur me këtë, jurisiti Muhamet Kelmendi thotë se situata është përkeqësuar dhe po shkon drejt shpërthimeve.

Sipas tij, është Rusia ajo e cila me ndihmën e Serbisë, po tenton një destabilizim të gjendjes në Bosnje e Hercegovinë, në Malin e Zi dhe në Kosovë.

“Situata në Ballkanin Perëndimor, pas gjendjes së krijuar në Lindje, midis Ukrainës dhe Rusisë, është keqësuar dukshëm dhe po shkon drejt shpërthimeve. Rusia po punon me të madhe për destabilizimin e gjendjes në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Kosovë. Mikja e ngushtë e Rusisë, Serbia, është vënë në lëvizje për të vepruar në shpërbërjen e Bosnjes dhe të Hercegovinës dhe në copëtimin a pushtimin e Kosovës. Më e mirë nuk është gjendja as në Malin e Zi. Me forcat shoveno - serbomëdha në këtë shtet po punon Serbia dhe Rusia për të ribashkuar një jugosllavi. Në Bosnje e Hercegovinë veç sa nuk është ndarë Republika Serbe nga konfederata e Bosnjes dhe në Kosovë do të provojë t’i vë në veprim minoritarët serbë, kriminelët në veri dhe më gjerë, kuptohet për të krijuar gjendje për intervenim serb, në kohën kur këtë e sheh të nevojshme mikja e sigurt e serbëve, Rusia. Veprimet e tilla do ta dërgojnë Ballkanin Perëndimor në luftë të gjerë”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se gjithë këtë tension mund ta ndalë vetëm BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja.

“Konfliktet nuk do të kufizohen vetëm në BH dhe në Kosovë. Lufta do të zgjerohet dhe do të kalojë edhe në Maqedonin e Veriut, prej nga implikimi i shteteve të Ballkanit është i domosdoshëm. Në flakë do të ndizet tërë rajoni. Duhet domosdo të theksohet se kjo gjendje mund dhe duhet të ndalohet nga BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja. Forcat e NATO-s në Kosovë nga 3 mijë e 500 veta sa janë, kërkohet të rriten dhe kryesisht ushtria e SHBA-së duhet ta shtojë prezencën. Serbia vetëm po pret momentin që Moska t’ia jap dritën për të vepruar”, shprehet ai.

Kelmendi në fund shton se, po qe se ndodhë lufta, shqiptarët do të veprojnë si një trup i vetëm sepse përtej shtëpisë nuk ka vend.

"Kuptohet se nuk do të kalojë shteti serb lehtë. Humbjet do të jenë të larta, kuptohet, për të gjithë, në Ballkan. Shqiptarwt dhe të tjerët në BH do të luftojnë. Gjendja nuk është si në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar. Gjendja është përmirësuar në fushën e mbrojtjes edhe në Kosovë. Shqiptarët do të veprojnë si një trup i vetëm. Nuk kanë ku të shkojnë. Përtej shtëpisë s’ka vend”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat