Anëtarësimit të Kosovës në NATO i është hapur një derë e re. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia e ka lëkundur gjeostrategjinë në Europë.
Tash mundësitë që Kosova ta arrijë këtë synim janë të mëdha. Kjo gjë mund të arrihet duke u bazuar në faktin se NATO-ja vazhdon të jetë e shqetësuar me rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkan.
Për mundësinë e anëtarësimit të shtetit tonë në NATO, ka filluar të shqetësohet edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Ai thotë se Kosova mund të bëhet anëtare e NATO-s.
“Nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-s, do të ushtronte presion shtesë mbi vendet e Evropës, të cilat nuk e kanë njohur atë, pra ta njohin atë si shtet të pavarur”, thotë Vuçiqi. “Kjo do ta vinte vendin tonë në një pozitë shumë të keqe”, u shpreh më tej ai.
Ekspertët e sigurisë në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” u shprehën se nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në NATO do t’ia pamundësonin Rusisë ndërhyrjen në rajonin e Ballkanit.
Shala: Ballkani është shndërruar në arenën e konfrontimit në mes Lindjes dhe Perëndimit
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” u shpreh se pas shpërthimit të krizës në Ukrainë janë vënë re edhe tendencat e mëdha ruse në Ballkan.
Drizan Shala
Ai thotë se këtë e ka vërejtur edhe NATO-ja.
“Situata në Ukrainë është shqetësuese dhe këtë gjë është duke e vërejtur edhe NATO-ja dhe mbi këtë vërehet një shtim më i madh i tendencës së aktiviteteve ruse në Ballkan. Dhe kjo mund të krijoj pasiguri në të cilën kanë investuar bashkësia ndërkombëtare gjatë 20 viteve të fundit”, deklaroi eksperti i sigurisë.
Krahas kësaj, Shala pyeti nëse NATO-ja dhe BE-ja janë duke e parë aktivitetin e shtuar të Rusisë në Ballkan, ku po synon destabilizimin e situatës në Evropë.
“Por, pyetja me legjitime është:
NATO-ja dhe BE-ja a janë duke e vërejtur aktivitetin rus në rajonin e Ballkanit duke tentuar që të krijojë një vrimë, e cila mund ta destabilizoj edhe Evropën meqë Ballkani është shndërruar në arenën e konfrontimit në mes Lindjes dhe Perëndimit”, theksoi ai.
Në fund, eksperti i sigurisë thotë se vetëm përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO do t’iu pamundësohet Rusisë ndërhyrja në Ballkan.
“Një anëtarësim i Kosovës në NATO do ta pamundësonte që Rusia dhe Serbia të përdorin Kosovën si alibi për të ndërhyrë përmes Ballkanit Perëndimor në Evropë e tutje”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Tërnava: FSK-ja po tregohet e përgatitur
Hajrullah Tërnava
Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava në prononcimin e tij për “Bota sot” komentoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Fillimisht, ai lavdëroi punën e Ushtrisë së Kosovës, e cila po vazhdon stërvitjet e nevojshme për mbrojtjen e territorit të vendit.
“Situata e Kosovës që pas Shpalljes së Pavarësisë e deri më tani e që e kishte policinë si pjesë të ruajtjes dhe të jetësimit të ligjeve te Kosovës, e sidomos pasi që u krijua armata e saj FSK-ja, dhe bashkë me Policinë e Kosovës janë këto forcat në shërbimin e popullit të saj.
FSK-ja si ushtri e që llogaritet se është në formim e sipër duke u furnizuar me armatimin modern, dhe duke u stërvitur që të jenë sa më të përgatitur në rast nevoje për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Si e tillë me angazhimet e saj, FSK-ja po tregohet e përgatitur, prandaj po merr pjesë edhe në stërvitje të përbashkëta si në vendin tonë ashtu edhe në shtete të tjera, me ushtritë më të përparuara sikur që janë aleate me NATO-n”, deklaroi eksperti i sigurisë.
Duke u bazuar në këtë, Tërnava potencoi se në bazë të situatës së krijuar në Ukrainë, pritet një anëtarësim i shpejt i Kosovës në NATO.
“Nga këto stërvitje të përbashkëta disa herë është lavdëruar si një ushtri mirë e organizuar dhe me nivele të larta stërvitore nga ana e NATO-s, dhe në bazë të situatës tani të krijuar, është reale që të pritet një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kjo gjë mund t’i kontribuonte ruajtjes së qetësisë në rajon dhe të shtetit të Kosovës, por edhe angazhimit aty ku ka nevojë që angazhohet NATO-ja, si ndihmë kontributdhënëse, e që i merr detyrat nga ky institucion për angazhimin e FSK-së aty ku e vlerëson dhe e cakton NATO-ja si institucion ndërkombëtar, për ruajtjen e qetësisë ndërkombëtare apo të mbrojtjes së interesave të shteteve të tjera anëtare të NATO-s, si institucion që është i dedikuar për ruajtjen e tërësive territoriale të shteteve mike, prandaj marrë në tërësi tani janë krijuar kushtet për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, theksoi ai.
Kosova sa më parë të anëtarësohet në NATO
Më tej, eksperti i sigurisë thotë se duke e parë krizën në Ukrainë dhe provokimet e Serbisë, duhet sa më shpejtë Kosova të anëtarësohet në NATO.
“Kriza e Ukrainës, dhe qëndrimet konfliktuoze në mënyrë permanente e tani të mbështetura nga Rusia janë argumente që tani Kosova të anëtarësohet në NATO, e cila u krijua si shtet dhe si produkt i NATO-s, që kontribuuan në çlirimin e Kosovës nga shteti okupues i Serbisë, prandaj sa më parë t’i bashkëngjitet kësaj aleancë, dhe duhet gjithherë të angazhohet dhe ta jap kontributin aty ku i merr detyrat nga kjo aleancë, qoftë si intervenim ushtarak si pjesë e NATO-s, që do të jetë së shpejti”, nënvizoi Tërnava.
Krejt në fund, ai vlerësoi se anëtarësimi në NATO do t’i jepte fund shpresave të Serbisë për marrjen e veriut të Kosovës, gjë të cilën e pretendon qe një kohë të gjatë.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte fundi i shpresave të Serbisë se do të mund t’ia merr Kosovës ndonjë pjesë, e sidomos veriun, që deri më tash i kishin ato pretendime qoftë edhe nëpërmjet ndihmës të Rusisë, prandaj këtë situatë edhe vetë Vuçiqi si kryetar i shtetit të Serbisë po e pranon se për anëtarësimin e Kosovës në NATO, vendos Amerika dhe me këtë anëtarësim do të shkëputen ëndrrat e Serbisë për përfitim të ndonjë pjese të Kosovës”, përmbyll Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.