Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për gjatë dy ditëve e gjysmë morën pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Me këtë rast, kryeministri Kurti njoftoi se bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla, kanë zhvilluar 17 takime bilaterale e biseda me liderë e përfaqësues politikë nga Evropa dhe bota.
“Si pjesë e panelit të titulluar “Humbur në tranzicion: Sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale”, ritheksova domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë. Kurse në panelin “Rezistenca e fushëbetejës? Forcat rezervë si mbështetje e nevojshme për Forcat e Armatosura” fola për buxhetin tonë të rritur për Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe për përkushtimin e Qeverisë për modernizimin e Ushtrisë. Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte tema e takimit me Presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer”, ka thënë mes tjerash kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas përmbylljes së konferencës.
Takimet e shumta të delegacionit të Kosovës me përfaqësues nga Evropa dhe gjithë bota nga përfaqësues të opozitës janë konsideruar si të pamjaftueshme për avancimin e çështjes së Kosovës në instancat ndërkombëtare.
Lama: Takimet që u zhvilluan nuk ishin aq të rëndësishme/Opozita është shumë e dobët
Alma Lama
Kështu, Alma Lama, ish ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se konferenca të tilla si ajo e sigurisë në Mynih që mbahen çdo vit kanë një rëndësi të veçantë për nga dimensionet dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të shteteve, si dhe kanë rëndësi për temat që diskutohen.
Për këtë arsye Lama vlerëson se delegacioni i Kosovës do të duhej të shkonte më i përgatitur në këtë konferencë.
“Pra, është një forum i jashtëzakonshëm që duhet shfrytëzuar nga shtete të vogla e me probleme në arenën ndërkombëtare për sa u përket njohjeve, siç është Kosova. Por, kjo nuk bëhet sipas një metode ad hoc, siç duket se është bërë këtë radhë, por pas një përgatitje disamujore të MPJ-së dhe rrjetit diplomatik. Është detyrë e MPJ-së të kërkojë takime me liderë të botës, sipas një strategjie që i përfshin objektivat e politikës së jashtme të Kosovës”, është shprehur ajo.
Ish-deputetja dhe ish diplomatja Lama hodhi kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke thënë se takimet që u zhvilluan nuk ishin aq të rëndësishme.
“Mirëpo, si duket MPJ-ja nuk ka as strategji, as objektiv dhe as dijeni se si t`ju qaset forumeve ndërkombëtare. Prandaj, edhe krerët e shtetit të Kosovës nuk realizuan takime të rëndësishme, dhe nuk ishin pjese e paneleve me rëndësi. Për sa i përket opozitës, ajo është shumë e dobët dhe nuk ka asnjë impakt në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë, tani për tani”, përfundon Lama.
Ahmeti: Opozita duhet të jetë konstruktive në kritika
Hidajet Ahmeti
Hidajet Ahmeti njohës i shkencave politike, thotë për gazetën “Bota sot” se konferenca e Mynihut ishte një mundësi ideale për shtetin e Kosovës, e cila sipas tij u shfrytëzua racionalisht nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, opozita bën kritika destruktive që nuk i ndihmojnë Kosovës në diplomaci.
“Çdoherë ka vend për kritika, por mendoj se kjo konferencë ishte një mundësi e mirë, pasi Kosova dha një imazh të mirë me takimet konstruktive me disa nga liderët e shteteve të fuqishme, edhe nga ato shtete që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Opozita duhet të jetë konstruktive në kritika, por jo të shfrytëzoj rolin opozitar me kritika destruktive, të cilat nuk i ndihmojnë Kosovës në rendin ndërkombëtar”, thekson Ahmeti.
Qarri: Në konferencë u shpalosën çështjet jetike për Kosovën
Gani Qarri
Sipas analistit Gani Qarri, ndonëse vëmendjen kryesore të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, e mori kriza Rusi-Ukrainë, delegacioni i Kosovës, arriti të takohej me përfaqësues të BE-së me të cilët diskutoi lidhur me mbarëvajtjen e dialogut.
“Megjithëse vëmendjen kryesore të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, e mori kriza Rusi-Ukrainë, kryeministri i Kosovës z. Kurti, ashtu siç deklaroi edhe pas takimit me ndërmjetësuesin e BE-së, në bisedimet Kosovë-Serbi, Lajçak, marrëveshja ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me Serbinë, si shtet fqinjë, në qendër duhet ta ketë njohjen reciproke, si zgjidhje demokratike, paqësore dhe evropiane”, përndryshe nuk mund të konsiderohet si marrëveshje përfundimtare dhe as zgjidhje e përhershme e problemeve, ndërmjet të dy vendeve. Madje, siç pati deklaruar edhe vet i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar, marrëveshja gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të forcojë paqen, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike në rajon, siç duhet që edhe vet Ballkani Perëndimor të jetë mundësi dhe jo rrezik për Bashkimin Evropian, akt që pa përmbylljen e çështjeve të hapura Kosovë-Serbi, nuk mund të konsiderohet i tillë”, është shprehur Qarri për gazetën “Bota sot”.
Kështu sipas Qarrit, delegacioni i Kosovës me në krye kryeministrin Kurti shpalosi kërkesat më të rëndësishme të qytetarëve të Kosovës që nga paslufta.
“Kështu që shpalosja publike e kërkesave më të rëndësishme, të cilat që nga përfundimi i luftës, e preokupojnë me të madhe Kosovën dhe mijëra familje të prekura në vend, të paraqitura nga kryeministri Kurti në Konferencën e Sigurisë në Mynih, si çështja e të pagjeturve, moskthimi dhe moszbardhja tash e mbi dy dekada, e fatit të shqiptarëve të rrëmbyer e të kidnapuar nga forcat okupatore serbe në Kosovë, trupat e të cilëve tash e gati 23 vite me radhë Vuçiqi i mbanë peng në Serbi, janë çështjet më të rëndësishme që preokupojnë shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj e veçanërisht mijëra familje të prekura nga krimi dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, të cilat presin një lajm për bijtë e tyre, tash e 23 vite me radhë, ndaj SHBA-ja dhe BE-ja, duhet të bëjnë çdo gjë, që kjo edhe të sqarohet deri në fund, deshi apo jo, Serbia.
Me parashtrimin e kësaj çështjeje të rëndë dhe kërkesave tjera me rëndësi për Kosovën, nga përfaqësuesit e shtetit tonë në Konferencën e Mynihut, si dhe në takimet e veçanta që patën Kryeministri dhe Ministrja e Punëve të Jashtme me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian, mund të thuhet se për momentin, u arrit përafërsisht, gjithë ajo që nën kushtet aktuale në të cilat u mbajt konferenca e Sigurisë, mund të arrihej, sidomos kur të kihet parasysh kriza Rusi-Ukrainë, që vijon ta preokupojë 24 orë në ditë mbarë botën, dhe konsiderohet se është në prag të shpërthimit të një lufte në përmasa të gjera, që mund ta përfshijë edhe vet Evropën, apo pjesë të konsiderueshme të saj”, u shpreh ai.
Pjesëmarrja dhe përfaqësimi më i mirë i mundshëm
Sipas tij, përfaqësimi dhe pjesëmarrja e krerëve të shtetit në këtë konferencë, ishte mjaft e denjë dhe u arrit maksimumi i të mundshmes, që nën këto rrethana mund të arrinin përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në një konferencë të tensionuar sigurie si kjo e Mynihut.
“Kurse sa u takon kritikave të opozitës, mbi aferat e udhëheqësve të të cilës, pothuajse nuk ka ditë që nuk flitet e diskutohet publikisht me injorim të thellë nga qytetarët e gjithë vendit dhe zbardhen gjithnjë e më tepër inkriminime korruptive e kriminale të saj nga organet e rendit e të ligjit gjithandej Kosovës, një pjesë e opozitarëve lënë përshtypjen se janë në shërbim të plotë të Aleksandër Vuçiqit, prandaj përkundër kritikave të tyre sa për të përmbushur protokollet e tyre partiake, nën kushtet aktuale nuk ishte e pritshme dhe as që mund të arrihej më shumë.
Ndërsa, lajmi se bisedimet Kosovë-Serbi po rifillojnë serish, që ishte edhe kërkesë parësore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, sado që pritjet për marrëveshje të shpejt ndërmjet të dy vendeve, para zgjedhjeve në Serbi, janë të vogla, për të mos thënë të pamundshme fare, përderisa tanimë janë caktuar edhe katër emisar dhe përfaqësues special nga vendet më të fuqishme evropiane dhe botërore, si SHBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, mund dhe duhet të konsiderohet si një nismë e mirë dhe e qëlluar, e cila urojmë të përfundojë me një marrëveshje të drejtë e të pranueshme për Republikën e Kosovës, pa rrezikimin e territoreve, as bosnjëzimin e saj, dhe me njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve”, përfundoi ai.