Çfarë kërkon emisari i Putinit në Serbi? A do të sjellë ndonjë kob të ri për Kosovën? Çfarë mund të ndodhë me ne? Janë disa nga pyetjet që vazhdojnë të parashtrohen, në kërkim të zgjidhjes së fatit tonë.
Për ta bërë situatën edhe më komplekse, diktatori Putin, vazhdon thuajse në çdo fjalim ta përmend edhe Kosovën.
Në njërën anë duke e përdorur për qëllime propagandistike në favor të Rusisë, dhe në anën tjetër, duke provuar, që t’i bindet Serbia, që të mos e pranojë Kosovën, si shtet, dhe në këtë kohë lufte, duket se po e inkurajon për konflikt.
Presidenti rus Putin, që tashmë e ka filluar një pushtim në të gjitha anët të Ukrainës, tha të martën se bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si “pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokal”, duke e krahasuar atë me Pavarësinë e Kosovës.
“Gjëja e parë që duhet ta bëjnë të gjithë, është të pranojnë shprehjen e vullnetit nga njerëzit që jetojnë në Sevastopol dhe Krime.
Pse është më keq kjo shprehje e vullnetit - dhe e kam thënë shumë herë – nga ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë? Nuk është.
E vetmja gjë është se vendimi atje është marrë nga parlamenti, dhe këtu ishte një referendum popullor”, ka thënë diktatori Putin.
“Kush mund t’i jap fund pretendimeve territoriale të Serbisë?”
Lidhur me këtë flet analisti Gani Qarri, i cili në një prononcim për “Bota sot”, thekson se është e papranueshme që Rusia e cila ka një shtrirje të gjerë, t’i lejohen pretendimet territoriale.
Gani Qarri
Tutje shtoi se paralajmërimi i vizitës së Patrushevit është sinjal alarmues, në veçanti për Kosovën, duke e pasur parasysh që Rusia dëshiron të bëj konflikte edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Në fakt është shumë e padrejtë, tepër cinike dhe tërësisht e papranueshme që Rusia, me vetëm rreth 144.3 milionë banor, përveçse sundon mbi 17 milionë kilometra katrorë dhe gjeografikisht është vendi më i madh në gjithë botën, shtrirja e të cilës përfshin mese një të nëntën e gjithë sipërfaqes së planetit Tokë, të lejohen në heshtje okupime dhe pretendime territoriale edhe ndaj shteteve të lira e të pavarura fqinje, si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia etj, deri tek pretendimet për influencë edhe në vet Ballkanin Perëndimor, kjo është jo vetëm shumë e padrejtë, por edhe tërësisht e papranueshme. Prandaj, paralajmërimi i vizitës së oficerit të parë të inteligjencës ruse Nikolai Patrushev, me 28 shkurt në Serbi, i cili nga vitit 1999 deri më 2008, ishte shef i sigurimit të fshehtë rus FSB (“Federalna Sluzhba Bezopasnosti”) dhe njihet edhe si bashkëpunëtor i ngushtë dhe shumë i dëgjueshëm i Putinit, në kohën kur konflikti Rusi-Ukrainë po përkeqësohet përditë e më tepër, duhet të jetë një sinjal alarmues, sidomos për Republikën e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, në Kosovë, për faktin se Rusia dëshiron ta shtrijë konfliktin edhe në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që t’i dezorientojë NATO-n dhe SHBA-të, për realizimin me sa më pak probleme, të planeve të veta pushtuese, ndaj territoreve të Ukrainës, apo edhe më gjerë”, thotë ai.
Qëllimi i emisarit rus?
Më tej Qarri ka deklaruar se emisari rus mund të kërkoj nga Vuçiqi, që ta njohë pavarësinë e “Republikës Serbe”, pastaj edhe asociacionin serb.
Sipas tij, deklarata e Putinit që të njihet aneksimi i Krimesë, lë të kuptohet se SHBA-të dhe Perëndimi e pranojnë këtë, dhe në këmbim të kësaj, Putini ta pranoj Pavarësinë e Kosovës.
“Madje, meqenëse Putini më 21 shkurt, ka nënshkruar dekretin për njohjen e rajoneve separatiste Donetsk dhe Luhan të Ukrainës, si shtete të pavarura, emisari rus, me rastin e vizitës në Beograd, mund të kërkojë nga Aleksandër Vuçiqi, që edhe ai të veprojë njëjtë apo ngjashëm me presidentin rus-Vladimir Putin dhe ta njoh fillimisht pavarësinë e ngrehinës së njohur si "Republika Serbe" në Bosnje e Hercegovinë, e pastaj edhe autonominë e asociacionit kundër kushtetues të komunave serbe, të nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa në Bruksel. Kështu që deklarata e Putinit të martën e kaluar se bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke e krahasuar atë me Kosovën, lë të nënkuptohet në dy drejtime: E para se nëse SHBA-ja dhe Perëndimi, eventualisht pranojnë aneksimin e Krimes nga Rusia, Putini mund të jetë i gatshëm që në këmbim, ta pranojë pavarësinë e Kosovës, e nëse Perëndimi nuk e miraton aneksimin e Krimes, atëherë Rusia mund t’i shkaktojë kokëçarje NATO-s, jo vetëm në Bosnje, por edhe në veri të Kosovës, duke nxitur trazira atje dhe duke e shtyrë Vuçiqin, që njëjtë si Rusia në kufijtë e Ukrainës edhe Serbia, ta vendos përsëri ushtrinë në kufijtë verior të Kosovës, për të imponuar ndryshimin e rregullimit të brendshëm shtetëror, në forma të papranueshme politike, për Kosovën, ose nxitur luftë të re, ndërmjet dy shteteve”, shtoi Qarri.
Tutje thotë se duke e pasur parasysh që Thaçi e zhvlerësoi vendimin e GJND-së, madje duke e zbritur Kosovën në pozicion krahine,.
“Për aq më tepër, përkundër faktit që rasti i Kosovës ishte rast "sui-generis" ngase Kosova historikisht ka qenë gjithmonë e banuar me shumicën dërmuese shqiptare dhe pikërisht ky ishte argument jetik, që Pavarësia e saj, me të drejtë, të legjitimohej nga GJND-ja, si organi më i lartë juridik i OKB-së, duke pasur parasysh se, ende pa kaluar asnjë vit i plotë, kuislingu Thaçi e zhvlerësoi vendimin e GjND-së, për Pavarësinë e vendit tonë dhe e neutralizoi statusin shtetëror të Kosovës, me vendosjen e fusnotës shtetit tonë të ri, duke e zbritur Kosovën në pozicion krahine dhe vend me status të pa rregulluar”, thotë ai.
Rreziku për veriun e Kosovës
Qarri shtoi se nuk janë të mjaftueshme veprimet e Perëndimit që okupimit rus t’i përgjigjet me sanksione kundër bashkëpunëtorëve të Putinit.
Sipas tij, pretendimet e Putinit rrezikojnë edhe veriun e Kosovës.
“Veprimet e Perëndimit që okupimeve të Rusisë t’u përgjigjet vetëm me sanksione kundër bashkëpunëtorëve të Putinit dhe udhëheqësve të rajoneve separatiste në Ukrainë, po shihet qartë se nuk janë të mjaftueshme dhe nuk mund ta ndalojnë vazhdimin e agresionit të Rusisë ndaj vendeve fqinje. Dhe nëse vazhdon ky avaz i aftë, pretendimet gjithnjë në rritje të Putinit rrezikojnë jo vetëm ekzistencën e Bosnjës e të Hercegovinës si shtet, por kërcënojnë hapur edhe veriun e Kosovës, po qese nuk plotësohen kërkesat e tij, përfshi edhe krahasimin e rastit të Kosovës me atë të Krimes, në mënyrë që të imponohet një "pajtueshmëri" sipas metodave ruse të forcës, ndërmjet të dy superfuqive botërore”, u shpreh Qarri.
Tutje theksoi se vendosja e trupave shtesë të NATO-së, si dhe deklarimet e SHBA-së dhe BE-së për asociacionin serb, do u jepnin fund pretendimeve territorial të Serbisë, si dhe Vuçiqi do të ishte i detyruar ta pranonte Kosovën.
“Prandaj vetëm vendosja e trupave shtesë të NATO-s, në vendet që kufizohen me Rusinë dhe deklarimi i qartë i SHBA-ve dhe BE-së, sidomos pas okupimeve më të reja ruse, se në Kosovë definitivisht nuk do të ketë kurrfarë ngrehine serbe, qoftë edhe asociacion pa kompetenca ekzekutive, në të cilin Serbia, herëdokur do të zinte shkas për intervenim ushtarak dhe okupimin me forcë të kësaj pjesë të territorit të Kosovës, sipas shembullit dhe metodave aktuale të përdorura nga Rusia, duke vendosur urgjentisht të paktën dy kazerma me rreth 1000 ushtarë të Republikës së Kosovës në veri të vendit tonë, do tu jepte fund pretendimeve territoriale të Serbisë hegjemoniste dhe detyronte Vuçiqin, ta pranonte pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që pas 11 vitesh bisedime pa rezultate konkrete, përfundimisht të arrihej marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve, që do të ishte akt i mirëseardhur jo vetëm për Kosovën, por edhe për NATO-në dhe paqen e qëndrueshmërinë në gjithë rajonin”, përfundon Qarri.
“Fundi formë hipotetike”
Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka deklaruar se nuk duhet të lejohet që të legjitimohet ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë duke i pranuar edhe dy republika të reja.
Drizan Shala
“Në lidhje me situatën e krijuar dhe tendencës së krijimit të një narracioni jo real në lidhje me raportet Kosovë /Serbi me ato Ukrainë/Rusi, unë mendoj që bashkësia ndërkombëtare assesi nuk bënë të tolerohet që të asociohet dhe legjitimohet ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainën Lindore duke pranuar 2 republika të reja dhe ky intervenim të shitet si mision "paqeruajtës". Mund të themi tani se gjendja se si do të përfundojë, kjo situatë nuk mund ta dijë askush në këtë kohë, sepse kemi procese në zhvillim dhe fundi është vetëm në formën hipotetike”, thotë ai.