Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian ishte cilësuar si një ndër marrëveshjet më të rëndësishme për Kosovën.
Kjo marrëveshje ishte nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg.
Kurse, dje u mbajt mbledhja e katërt me radhë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), ku u miratua në parim Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2022-2026.
Opinionisti Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se Kosova është njëra nga kandidatet e mundshme për anëtarësim në BE.
“Në fakt Kosova qysh në nëntor të vitit 2002 ka vendosur marrëdhëniet zyrtare me Bashkimin Evropian dhe përveç Mekanizmit Përcjellës të Stabilizimit (STM) në prill të vitit 2005, Komisioni Evropian ka miratuar edhe një komunikatë mbi të ardhmen evropiane për Kosovën.
Madje siç dihet tanimë publikisht, përveç konsolidimit të marrëdhënieve me BE-në, sidomos gjatë procesit të pavarësisë, Kosova merr pjesë rregullisht edhe në Procesin e Stabilizim Asociimit në Ballkan dhe është njëra nga kandidatet e mundshme për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.