Rusia tashmë ka filluar pushtimin e Ukrainës. Në orët e hershme të ditës së mërkurë, Rusia filloi pushtimin e Ukrainës nga të gjitha anët, duke e goditur po ashtu nga toka, ajri dhe deti.
Pas pushtimit që i bëri Ukrainës, kanë reaguar shtetet e fuqishme botërore, si SHBA-ja, Britania, e gjithë BE-ja, Gjermania e të tjera, por edhe Aleanca Veriatlantike – NATO.
Kur e gjithë bota sytë i ka kah Ukraina, në rrezik është edhe destabilizimi i situatës në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Serbia, e cila është e përkrahur nga Rusia dhe ndikimi i saj, mund ta destabilizojë situatën në Kosovë e Bosnje.
Por, a është e mbrojtur Kosova, nga një rrezik serb, në formë të luftës speciale, që mund ta bëjë Rusia me Serbinë së bashku?
Gjithashtu pyetja e radhës mund të shtohet se, a duhet të përgatitemi vërtetë për mundësinë e një lufte në veri apo lufte diversive fillimisht?
Lufta hibride ruse në Ballkan
Për këtë çështje, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thekson se NATO-ja është e shqetësuar për situatën në Ballkan e në veçanti në Kosovë.
Drizan Shala
“Situata ende e pa përfunduar në Ukrainë, e cila është në progres mund të themi që frika për një përhapje të situatës edhe në Ballkanin Perëndimor mund të prodhojë situatë, e cila nuk mund të parashihet tani. Shtimi i numrit të EUKFOR në BiH prej 500 personave tregon që NATO-ja është e shqetësuar për situatën në Ballkan respektivisht: Kosovë, BiH, Mal të Zi dhe Maqedoni”, thotë Shala për gazetën “Bota sot”.
Ai shton se, institucionet e Kosovës kanë marrë veprime konkrete.
Sipas tij, Rusia po përdorë një luftë hibride në Ballkan.
“Si do të reflektoj kjo në Kosovë, unë mendoj që institucionet relevante kanë marr veprime konkrete duke bashkërenduar veprimet e të gjithë akterëve institucional në rast të përshkallëzimit të situatës. A po e përdorë Rusia një luftë hibride në Ballkan? Këtë fakt të gjithë ne e dimë dhe mbi këtë fakt ne është dashur të reagojmë me kohë duke vepruar me partnerët tanë strategjik në përmbushjen e nevojave tona për shtet të sigurt”, përfundon Shala.
KFOR-i të vendoset në kufirin me Serbinë
Ndërsa juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani thotë se, është detyrë e NATO-s ta vlerësoj saktë sigurinë në rajon dhe në Ballkan.
Blerim Burjani
“Siç e dini, KFOR-i është forcë multinacionale, NATO-ja duhet të pozicionoj qartë forcat e saja dhe hapësira ajrore duhet të kalojë mbi NATO-n. Kurse, forcat e KFOR-it që vijnë nga shtetet anëtare duhet të pozicionohen në veri në kufirin me Serbi. Pra, forcat monitoruese dhe ushtarake duhet të jenë të gatshme për çfarëdo përpjekje të Serbisë”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.
Sipas tij, lufë speciale ka, por edhe mundësitë e ndërhyrjes sikurse që janë shërbimet sekrete që përgatisin terrene intervenuese ushtarake.
“Syçeltësia e perëndimit është shtuar dhe NATO-ja duhet të vëzhgojë hapësirën ajrore të Serbisë, përderisa pozicionimi ushtarak i NATO-s, po vjen duke u zgjeruar dhe duke rrethuar hapësirën gjeografike të Rusisë. Rusia është e frikësuar edhe nga aspekti i bllokimit ekonomik dhe financiar”, pohon ai.
Sipas tij, Kosova është jashtë rrezikut për momentin.
“Mirëpo, kjo nuk do të thotë se është plotësisht e sigurtë. Çfarëdo përpjekje e diversioneve të mundshme në veri të Kosovës duhet të ketë përgjigje imediate dhe efektive. Më së miri do të ishte që trupat e NATO-s që janë pjesë e KFOR-it të pozicionohen përgjatë kufirit me Serbinë. Arkitektura e sigurisë është lëkundur seriozisht, andaj BE-ja me Britaninë e Madhe në Evropë duhet të jenë të gatshme për reagim”, përfundon Blerim Burjani.
Rusia është në ofensivë në Ballkan
Ndërsa, Doktori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, thotë se, pa dyshim që Rusia jo vetëm në këtë kohë, por edhe më herët, gjithmonë ëndërr e ka që të përgatisë një ofensivë në Ballkan, në mënyrë që presioni të shtrihet edhe më tepër rreth Ballkanit, sidomos në fokus është Kosova që të mund të tërheq një paralele mes Ukrainës dhe Kosovës.
Avni Islami
“Grumbullimi i trupave ushtarake në Ukrainë dhe deklaratat e politikanëve rusë se siç kishte të drejtë Perëndimi të ndërhyjë në Kosovës, mundohet të justifikoj që të neutralizoj dhe të mos reagojë Perëndimi për sulmin ushtarak në Ukrainë. Nuk është vetëm çështja e ndikimit në mënyrë të tërthortë, kjo tërheqje e paraleles është e papranueshme dhe e pajustifikueshme me vet faktin se ditët në vijim do të qëndroj shefi i sigurisë kombëtare të Rusisë në Serbi, dhe kjo tregon se Rusia është në ofensivë në Ballkan në mënyrë që të tërhiqet vëmendja e Perëndimit dhe të shpërqendrohet bashkësia ndërkombëtare, e cila është e koncentruar plotësisht në çështjen e Ukrainës”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.
Ai shton se, jo vetëm tash, por edhe në të kaluarën Serbia ka qenë minisatelit i vogël që përdoret nga ana e Rusisë që shteti rus të shtrijë ndikimin e vet në Ballkan.
“SHBA dhe aleatët e saj iu kanë kundërpërgjigjur pretendimeve të Rusisë”
“Kemi parë kohën e fundit që Bosnja është një vend jo stabil ku Republika Serbe dhe udhëheqësi i saj Dodik është duke u përdorur nga ana e Serbisë dhe Rusisë, e i cili po i kundërshton vendimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kërcënon se pjesa ku është Republika Serbe mundet shumë lehtë t’i bashkohet Serbisë. Këtu është duke u luajtur një kartë që të bëhet e tensionuar situata në Kosovë dhe për fat të mirë këto tentativa të Serbisë nuk kanë rezultuar me sukses, sepse në Kosovë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit është mandatuar KFOR-i, dhe kësisoj Kosovës i garantohet sovraniteti dhe integriteti territorial dhe se kjo tregon se Kosova nuk rrezikohet nga ndonjë invazion prej shtetit serb, pasi do të përballej me NATO-n, dhe këtë e din edhe Serbia edhe Rusia, mirëpo Serbia nuk përton që bashkë me Rusinë që të mbajë të tensionuar herë pas here çështjen e Kosovës”, potencon ai.
Sipas Islamit tendenca e Rusisë do të vazhdojë edhe më tutje që ta shtijë aktivitetin e saj dhe të jetë faktor i barabartë me vendet e perëndimit që mos ta humbas influencën e vet në Ballkan.
“Unë besoj që sikurse deri më sot që SHBA-të dhe aleatët e saj iu kanë kundërpërgjigjur pretendimeve të Rusisë dhe Serbisë edhe në të ardhmen do t’i neutralizojnë dhe Kosova nuk do të bie pre e provokimeve të Rusisë e Serbisë, dhe Kosova me institucionet e sigurisë do t’ia dalin duke bashkëpunuar me faktorët relevant, pra me SHBA-në dhe aleatët e saj”, përfundon Avni Islami.
Kurse, ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, pohon se, problemi në Bosnje është shumë më i madh sesa i Kosovës.
Naim Miftari
Sipas tij, në Bosnje janë disa faktor, serbët kroatët dhe boshnjakët.
“Konferenca e Dejtonit ka gabuar kur atyre tri kombësive u ka dhënë fuqi ekzekutive. Prandaj, Kosova nuk duhet as të bisedojë për asociacionin e komunave serbe me fuqi ekzekutive pasi serbët do ta luajnë të njëjtën lojë sikurse Republika Srbska në Bosnje, ku po e sfidon hapur shtetin”, thotë Miftari.
Ai thekson se, në Kosovë ka më pak se 3% serb, dhe se gjatë bisedimeve duhet të përdorën krimet dhe të bëmat e luftës në dobinë e shtetit tonë.
“Këtu garantues është NATO-ja dhe nuk varet Kosova me votat e Listës serbe. Prandaj nëse në Bosnje eskalon situata, Milorad Dodik do të kërkojë ndihmë nga Beogradi e ndoshta edhe nga Rusia. Prandaj, Kosova duhet të punojë ditë e natë që të anëtarësohet në NATO. Por, mbi të gjitha vendi ynë duhet të ketë ushtri dhe armatim, që në rast nevoje ta mbrojë shtetin si një komb, pasi interesat strategjike edhe të miqve tanë një ditë mund të ndërrojnë kahet për arsye strategjike dhe politike, andaj duhet shteti ynë të mbrohet vet në këto rrethana që jemi të domosdoshme”, thotë Miftari.
Sipas tij, inkuadrimi në NATO dhe armatimi për t’u mbrojtur është jetik.
“Kjo duhet të ndodhë pasi që Serbia ka shumë tanke aktive, më shumë sesa që ka Gjermania dhe po thuasje sa ka Franca. Serbia armatim të blerë nga Rusia, Kina dhe Franca. Prandaj, politika serbe e nxitur nga kisha serbe nuk ka pushuar kurrë së punuari dhe këtë po e shohim në Mal të Zi, prandaj vendi ynë nuk duhet ta pranoj asociacionin serb, si dhe as kishat të ketë ekstraterritorialitet, pasi kjo direkt nënkupton se një ditë do të jenë kancer për shtetin e Kosovës”, përfundon Naim Miftari.