Lufta në Ukrainë ka vënë në lëvizje elemente të errëta destabilizuese ruso-serbe në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë.
Një gjë e tillë u pa edhe me rastin e arrestimit të tre shtetasve serbë nga Policia e Kosovës, të cilët kishin ardhur në Kosovë për të blerë uniforma të UÇK-së me qëllim të inskenimit të një sulmi mbi serbët në Kosovë. Në këtë rast ishin të përfshirë edhe dy shqiptarë të cilët ndihmuan shtetasit serbë në planin e tyre, deri në momentin kur të njëjtit u kapën nga Policia.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/February/27/auto_enver-bytyci1646000587.jpg)
Lidhur me këtë temë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Rusia qëndron në anën e Serbisë kundër Kosovës dhe shteteve të tjera të dala nga ish-Jugosllavia.
“Sulmi i Vladimir Putin kundër integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës është i paprecedentë. Ai po kërkon shtrirjen e hegjemonisë ruse në Evropën Lindore dhe Juglindore dhe Ballkani është dhe mbetet synimi parësor I tij. Kjo sepse Kremlini ëndërron që të stacionohet me baza ushtarake në Adriatikun Lindor. Kjo bazë ushtarake i duhet Vladimir Putin që Rusia të kërcënojë gjithmonë Bashkimin Evropian ose Evropën Perëndimore.
Për këtë arsye Rusia qëndron në anën e Serbisë kundër Kosovës dhe shteteve të tjera të dala nga ish-Jugosllavia. Putin nuk është pajtuar me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe e ka thënë hapur se dëshiron të rikthejë lavdinë dhe fuqinë e kohëve të shkuara, madje edhe të carëve rusë. Po ashtu presidenti I Serbisë, Aleksandër Vuçiq, prej vitesh pati deklaruar se do të bëhej një Tito i Ri dhe se për këtë do të angazhohej për rithemelimin e Jugosllavisë, të cilën Milosheviçi e shkatërroi”, ka thënë ai.
Bytyçi ka theksuar se të dy liderët autoritarë e diktatorë, Putin dhe Vuçiq, punojnë me të njëjtën strategji, të përfitojnë territore e të vendosin hegjemoninë e tyre përmes luftës, sulmeve ushtarake dhe destabilizimit të rajonit të Evropës Lindore dhe Juglindore, ku bën pjesë edhe Ballkani Perëndimor.
“Të dy këta kanë shpallur të njëjtën strategji motivuese, e cila njihet me emrat "bota ruse" dhe "bota serbe'! Por në ndryshim nga Putin, Vuçiq nuk është ende i bindur në suksesin e tutorit të tij në Moskë. Nëse do të ishte i bindur për këtë ai me kohë do të kishte ndez ndonjë shkëndijë konflikti diku në rajonin tonë. Qëndrimet e presidentit të Serbisë janë ende ekuivokë, të dyzuara. Edhe me Rusinë edhe me BE-në. Edhe me Putinin, edhe me Biden e Macron. Mezi si nëpër dhëmb u shpreh për të drejtën sovrane të Ukrainës, por refuzoi të përkrahë sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, ka thënë profesori.
Ai ka theksuar se mjafton një betejë e izoluar midis serbëve dhe myslimanëve të Bosnjës dhe bota do të zhvendoste vëmendjen në Bosnjë-Hercegovinë. Njësoj sipas tij, mund të ndodhë edhe në veriun e Kosovës.
“Mjafton një konflikt i veçuar në veriun e Kosovës që mund ta inskenojnë agjentët rusë me terroristët e kriminelët serbë aty, që të tërhiqej vëmendja. Po nëse Vuçiq pajtohet për të destabilizuar Malin e Zi. Kjo do të ndodhte brenda disa orësh, sidomos në këto kohë kur konflikti është gati për shkak të rrëzimit të qeverisë pro-ruse në Podgoricë”, ka thënë Bytyçi.
Ai ka potencuar se në këto kushte shqiptarët janë në epiqendër të goditjeve që mund të vijnë, sidomos shqiptarët në Kosovë, por edhe ata që jetojnë në Serbi, në Maqedoni e në Mal të Zi.
“Megjithëse këto nuk janë iluzione, por realitete që i shohim përditë në praktikë, qeveria shqiptare vazhdon bashkëpunimin me presidentin e qeverinë serbe dhe nuk ka ndërmend të ndalet në këtë bashkëpunim. Edhe në kushtet kur Rusia ka marrë armët kundër vlerave evropiane dhe Serbia nuk distancohet nga kjo, kryeministri i Shqipërisë vazhdon të deklarojë se "Ne do të vazhdojmë me Open Balkanin" serb”, ka nënvizuar ai.
Bytyçi ka përmendur edhe politikanët që përkrahin politikat ruso-serbe.
“Duke analizuar përçarjen e faktorit politik shqiptar si në Shqipëri edhe në Kosovë dhe gjetkë. Duke patur parasysh se jo pak politikanë e përkrahin Edi Ramën në politikat e tij pro-serbe, përfshirë dhe Ali Ahmetin, atëherë me duhet të them se përçarja brenda nesh është rreziku kryesor yni. Nuk është as Serbia dhe as Rusia. Presidenti ukrainas, Velensky është modeli i rezistencës dhe i forcës së patriotizmit të një lideri. Imagjino nëse ai do të ishte dorëzuar që në ditën e parë! Por jo. Velsnsky refuzoi ofertën amerikane për t'u evakuuar nga vendi I tij. Madje tha se "Nuk kam nevojë për shëtitje, por për armë e municion që të luftoj kundër armikut okupator"! Politikanët tanë zgjedhin shëtitjen përpara sakrificës. Nuk është çudi që t'i shohim të bëjnë ndonjë xhiro andej nga Beogradi. U bë shumë kohë që nuk janë argëtuar Rama me Vuçiqin dhe Daçiqin”, ka përfunduar Bytyçi.