Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur gjatë kësaj jave në kudër të pakos Pakos së Ringjalljes Ekonomike ndau 10 milionë euro të tjera si shtesë për rezervat shtetërore dhe 3.5 milionë të tjera për 5 masa nga kjo pako.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se ky vendim vjen pas situatës në tregjet globale dhe luhatjes së çmimeve.
“Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tashmë është programi për rezerva shtetërore, mirëpo marrë parasysh ndryshimin e situatës dhe gjendjen në tregjet globale dhe çmimeve, luhatjes së tyre, e kemi pa të nevojshme që në kuadër të Ringjalljes Ekonomike ta shtojmë edhe masën 3.8 që ka të bëjë me rritjen e rezervave shtetërore, e për këtë pastaj do ta kemi edhe pikën e ndarjes së shumës, pra 10 milionë euro shtesë”, deklaroi Murati.
Pavarësisht kësaj, gazeta “Bota sot” nuk ka marr përgjigje nga Qeveria e as nga Ministria e Financave lidhur me shifrën totale të rezervave aktuale shtetërore.
Në kohën kur lufta në Ukrainë ka nisur dhe po ashpërsohet ditë e më shumë, njohës të rrethanave politike e të sigurisë po e konsiderojnë si shumë të rëndësishme për vendin tonë rritjen e kapaciteteve ekonomike e ushtarake.
Kjo nevojë po arsyetohet me ndikimin që ka Rusia në rajonin e Ballkanit, përkatësisht në Serbi.
Tërnava: Të gjitha shtetet duhet të përgatiten në shumë lëmenj
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë për gazetën “Bota sot” se situatat kërcënuese e luftarake që janë krijuar ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, tani janë shqetësuese për tërë botën.
Hajrullah Tërnava
Kjo pasi siç thotë ai, edhe në të kaluarën këto situata kanë eskaluar edhe në luftëra botërore.
“Na kujtohet Lufta e Dytë Botërore e vitit 1945, kur u mobilizuan forcat progresive të botës sikur SHBA-ja, Rusia, Franca, Britania e të tjera shtete aleate që luftuan kundër Gjermanisë deri në kapitullimin e regjimit të Hitlerit.
Por, në ato luftëra e në krah të Gjermanisë ishin të përfshira disa shtete më të vogla e në pakicë, që me kapitullimin e disfatën gjermane, edhe aleatet e tyre e pësuan humbje dhe iu nënshtruan kapitullimit të tyre”, thotë ai.
Andaj sipas tij, në situata të tilla të gjitha shtetet duhet të përgatiten në shumë lëmi, sidomos me rezerva shtetërore ku përfshihen rezervat ushqimore, derivatet, armatim i llojeve të ndryshme për teknikat taktiko-luftarake etj.
“Në situata të tilla konfliktuoze-luftarake ku pritet eskalimi i situatës në luftëra aktive, shtetet fqinje apo shtetet tjera gjithandej ku gjinden, gjithsesi duhen të përgatiten dhe të mobilizohen për situatat e krizave në shumë lëmi, e sidomos me rezerva shtetërore ku përfshihen rezervat ushqimore, derivatet, armatim i llojeve të ndryshme për teknikat taktiko-luftarake etj.
Po ashtu, gatishmëria e stërvitjeve ushtarake, përgatitja dhe ngritja e stafit mjekësor si mundësi të kontributit që lidhen me ndihma në rast të luftës për popullatën etj. Me një fjalë duhet të jetë gatishmëria e popullatës për situatat e jashtëzakonshme luftarake si mundësi e mos befasive. Kështu, sefat-arkat shtetërore duhet të jenë të mbushura me valuta”, theksoi Tërnava.
Tërnava: Duhet të ndahet shumë më e madhe për rezerva shtetërore
Ai është shprehur se vendimi i Qeverisë për ndarjen e 10 milionë eurove shtesë për rezervat shtetërore i përgjigjet situatës aktuale.
“Vendimi i Qeverise për ndarjen e 10 milionë eurove është vendim që i përgjigjet kohës së tanishme, dhe ky vendim tregon që duhet të ecet në hap me kohën, e që kishte pasur mundësi edhe shuma më të mëdha të ndahen si rezerva të nevojshme për çdo eventualitet. Kjo do të ishte edhe më e mirë, por meqenëse ne jemi shtet i vogël dhe jo aq materialisht i fort, edhe kjo rezervë e të hollave është për tu respektuar”, përfundon ai.
Hoxha: Që nga Pavarësia, më së paku kemi staf profesional në institucione të sigurisë së shtetit
Kurse, ish komandanti i njësitit Policor –Ushtarak të UÇK-së, Hafir Hoxha, për gazetën “Bota sot” ka folur mbi gjendjen e Kosovës sa i përket armatimit.
Hafir Hoxha
“Kosova nuk ka, depo të municionit, e as fabrika ushtarake që Serbia t’i bombardojë, prandaj do ti bombardonte kazermat e mbetura ku tani gjinden forcat e FSK-së, postat, e objektet qeveritare”, thotë Hoxha.
Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka kapacitet as staf njerëzor të aftësuar mjaftueshëm për këto situata.
“Nuk kanë njohuri të mjaftueshme dhe nuk janë serioz në aspektin ushtarak dhe luftarak. Paaftësia komanduese e forcave supreme të presidencës Vjosa Osmani u pa me 17 Shkurt për ditën e pavarësisë kur një paradë të vogël simbolike ushtarake nuk patën aftësi për ta organizuar si duhet. Nuk kanë njerëz profesionistë, andaj që nga Pavarësia e Kosovës më së paku kemi staf profesional në institucione të sigurisë së shtetit”, thotë Shala.
NATO do ta mbrojë hapësirën ajrore
Ai ka shprehur besimin se forcat e NATO-s do ta mbrojnë hapësirën ajrore të Kosovës dhe do të kujdesen edhe për veprimet e FSK-së në detyra të nevojshme të koordinuara me forcat tokësore.
Hoxha theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë mjete dhe pajisje që të kujdeset për njerëzit që dislokohen nga regjionet e konflikteve eventuale.
“Për detyra më të komplikuara nuk shoh përgatitje e as njohuri të tyre që munden me ndërmarr diçka, pasi tani kur nuk jemi në gjendje lufte nuk kanë unitet, edhe më hiq nuk do të kishte në rast lufte, kjo Qeveri dhe Presidenca.
Mendoj se Presidentja Vjosa Osmani si Komandante supreme do të ndërrohet shumë shpejt. Besoj se vet do të largohet nga kjo përgjegjësi në rast të luftës eventuale edhe Qeveria po ashtu pasi nuk kanë staf as njohuri t`i prijnë vendit në situata të jashtëzakonshme dhe situata lufte pasi aty duhet unitet i gjerë politik dhe të jenë staf i ushtarakëve profesional që ata nuk i kanë”, ka nënvizuar ai.
Duhanaj: Rusia ka bërë përgatitje afatgjata për këtë ditë
Kurse, analisti Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se situata e krijuar pas agresionit luftarak të hapur të Rusisë kundër shtetit të Ukrainës, nëse jo deri tani, atëherë duhet tash të shërbej si kambanë alarmi për Kosovën dhe shqiptarët gjithandej.
Leon Duhanaj
“Vetë mënyra se si e ka sulmuar Ukrainën nga të gjitha anët, tregon qartë se Rusia ka bërë përgatitje afatgjata për këtë ditë.
Në këtë kontekst, jam i bindur se në kuadër të përgatitjeve nuk është kufizuar vetëm ne misionin pushtues mbi Ukrainën, por edhe mbi paqen, stabilitetin dhe rendin botërorë.
Në këtë kontekst, mendoj që Rusia ka vite që ka filluar të ndërtojë mekanizma destabilizues gjithandej Europës.
“Putin, në radhë të parë e ka shfrytëzuar ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder, për të mbledhur informacione mbi Europën dhe NATO-n. Pastaj ka financuar partitë e majta gjithandej Europës dhe botës për të krijuar klimë antiamerikane. Ka ndikuar që edhe vende anëtare të NATO-s, siç është Turqia nëpërmjet Erdoganit t'i largoj nga bashkëpunimi i sinqertë dhe t'i shfrytëzoj si satelit për interesa të veta. Kjo u dëshmua edhe në krizën e Sirisë”, thotë Duhanaj.
Kufijtë, problemi më i madh për shqiptarët
Megjithatë, Duhanaj thotë se për ne si shqiptarë problemi më i madh qëndron rreth kufijve tanë.
“Kemi një Serbi, e cila nuk e ka pranuar humbjen e Kosovës dhe ka qëndrim të hapur agresiv karshi Kosovës.
Pastaj kemi Republikën e Bosnjës, e cila është nën kërcënimin e luftës së hapur përmes "Republika Serbska" dhe po ashtu kemi potencialin e madh destruktiv dhe destabilizues përmes agjenturave ruse e serbe në gjithë rajonin, të cilat mund të shërbejnë në ngritjen e tensioneve gjithandej.
Rusia do të bëj përpjekje të shpërndarjes se konflikteve edhe në vende të tjera, prandaj është me rëndësi jetike që të kemi edhe masa urgjente.
Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët gjithandej, duhet të jenë sy çelë dhe të përgatitur për më të keqen”, thekson ai.
Mirëpo, Duhanaj e quan qesharake, ndarjen e 10 milionë eurove nga ana e Qeverisë për rezervat shetetërore.
“Në këtë kontekst, prioritet mbi prioritetet duhet të jetë sigurimi i rezervave shtetërore të nevojshme për një krizë më të gjatë dhe ndarja e 10 milionë eurove nga Qeveria për këtë çështje, për mendimin tim duket shumë qesharake dhe lë hapur të kuptohet mënyra e papërgjegjshme e Qeverisë për t'u përballur me sfidat e kohës”, përfundoi ai.