Humbja e Rusisë në Ukrainë do të jetë edhe humbje e Serbisë në Ballkanin Perëndimor

Politika

Humbja e Rusisë në Ukrainë do të jetë edhe humbje e Serbisë në Ballkanin Perëndimor

Nga: A.Z Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 11:12
Foto ilustrim

Në një takim të brendshëm të OSBE-së në Vjenë për luftën në Ukrainë, të mbajtur më 24 shkurt, Rusia ka këmbëngulur në interpretimet e saj për pushtimin e Ukrainës, pas të cilit veprim përfaqësuesit e vendeve perëndimore janë larguar nga takimi.

Ndërsa Përfaqësuesit e Serbisë kanë qëndruar në sallë, dhe ndonjë shtet tjetër satelit i Rusisë. Kjo sjellje e diplomacisë serbe ka bërë, që të interpretohet si përkrahje ndaj Rusisë, përkatësisht pushtimit të Ukrainës.

Shteti serb, ka reaguar duke mos e dënuar pushtimin e Rusisë nga Ukraina, edhe pse kanë deklaruar se ajo duhet të mbetet një shtet i pavarur.

Lidhur me këtë, analisti politik Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se historikisht dihet, madje nuk është as habitëse, që Serbia është vëllai i vogël i Rusisë, prandaj sipas tij, “përfaqësuesit serbë kanë qenë prezent brenda OSBE-së me rusët për shkak se e dobët është Serbia pa ndikimet ruse në Ballkan”.

“S'është aspak për t'u habitur se pse përfaqësuesit e Serbisë nuk u larguan nga salla gjatë takimit të OSBE-së në Vjenë, më 24 shkurt, në momentin kur vendet perëndimore në mënyrë protestuese lëshuan sallën e OSBE-së për shkak qëndrimeve këmbëngulëse luftarake ruse ndaj pushtimit të Ukrainës. Historikisht dihet se Serbia ka qenë e është vëllai i vogël i Rusisë në Ballkan dhe të gjitha sukseset politike, luftarake e pushtuese serbe në vendet e Ballkanit Perëndimor janë bërë nën dirigjim politik e ushtarak të Rusisë, prandaj përfaqësuesit serbë kanë qenë prezent brenda OSBE-së me rusët për shkak se e dobët është Serbia pa ndikimet ruse në Ballkan”, thotë ai.

Ai potencoi më tej se në sallë ishin edhe disa shtete të tjera siç janë Bjellorusia, Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat po ashtu janë në ndikimin rusë.

Dhe e gjithë kjo, sipas Mehazit, tregon se të gjitha këto shtete e përkrahin luftën ruse që po ndodhë në Ukrainë.

“Përveç Serbisë në sallën e OSBE-së në Vjenë kanë qenë edhe disa shtete të ish-Bashkimit Sovjetik të cilët dhe sot e kësaj dite njësoj si Serbia janë nën ndikimet ruse, përveç Serbisë në sallë kanë qenë prezent së bashku me rusët edhe shtetet kukulla të Rusisë: Bjellorusia, Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Taxhikistani dhe Turkmenistani. Vetë prezenca e Serbisë dhe e këtyre ish-shteteve të Bashkimit Sovjetik tregojnë hapur se janë në anën e përkrahjeve agresive luftarake ruse në Ukrainë. Humbja e Rusisë në Ukrainë do të jetë edhe humbje e Serbisë në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat