“Shpërthen konflikti i brendshëm në Rusi”/ Paralajmërohet fundi i Vladimir Putinit

Politika

“Shpërthen konflikti i brendshëm në Rusi”/ Paralajmërohet fundi i Vladimir Putinit

Nga: P.R. Më: 1 mars 2022 Në ora: 08:12
Vladimir Putin

Për të gjashtën ditë me radhë, po vazhdojnë luftimet në Ukrainë, pasi më 24 shkurt Rusia nisi pushtimin e këtij shteti.

Ani pse vazhdimisht nën sulme, ushtrua ukrainase ka arritur që të rezistojë deri më tani.

Negociatorët nga Kievi dhe Moska kanë zhvilluar bisedime në Bjellorusi me qëllim të dhënies fund të konfliktit. Ndërkohë deri më tani janë raportuar mbi 350 viktima civile, prej tyre 14 fëmijë, si dhe mijëra të plagosur e dëme të mëdha materiale.

Tashmë kur luftimet nuk kanë të ndalur, e gjithë bota pothuajse është bashkuar me sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin. E aleati i saj në Ballkan, Serbia, ka refuzuar që t’i bashkohet botes perëndimore për sanksionet ndaj Putinit e Rusisë.

E profesor, doktor Enver Bytyçi thotë për “Bota sot” se agresioni i Vladimir Putin kundër lirisë dhe pavarësisë së Ukrainës është ngjarja më e rëndë e pas Luftës së Dytë Botërore.

Image
Enver Bytyçi

Në dy dekadat e fundit aty ku ka qenë Rusia aty kanë ndodhur tragjedi të vërteta. Ndodhi kjo në Gjeorgji në vitin 2008, plot para tetë vitesh në Krime dhe po kundër Ukrainës, në vitin 2015 në Siri etj. Por kësaj radhe agresioni i datës 24 shkurt kundër integritetit territorial për pushtimin e kryeqytetit të Ukrainës është një akt i paprecedentë. Prej se kur u vendos rendi i ri botëror pas Luftës së Dytë Botërore në Jaltë të Krimesë, pikërisht në Ukrainën e sotme, bota nuk ka pasur precedente si ky i fundit që ndodhi para pesë ditësh. Presidenti rus urdhëroi pushtimin e Ukrainës bazuar në një argument qesharak “për të denazifikuar dhe demilitarizuar Ukrainën”! D.m.th për të larë hesapet me kundërshtarët e politikave autoritariste të Moskës dhe për ta vënë këtë vend nën varësinë e Kremlinit”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Putin synon krijimin e një qeverie kukull në Ukrainë, andaj po kërkon vrasjen e presidentit aktual, Volodymyr Zelenski.

Në fakt një Ukrainë demokratike, e pavarur, një Ukrainë e vlerave në kufi me Rusinë është dhe do të ishte rrezik i madh për diktatorin rus, Putin. Kjo është arsyeja kryesore pse Vladimiri kërkon kokën e presidentit ukrainas, Zelenski dhe krijimin e një qeverie kukull në Kiev. Vladimir Putin është i paparashikueshëm. Ka kërcënuar dhe me përdorimin e armëve bërthamore. Mendon se Ukraina është marionetë e Perëndimit. Madje besoi se ushtrinë ruse ukrainasit do ta prisnin me tufa lulesh! Por ndodhi e kundërta. Ukrainasit bashkë me presidentin e vëllezërit Klicko në krye dëshmuan se janë modeli i patriotizmit në Evropë e në botë. Ata qëndruan, po luftojnë, nuk u larguan nga vendi. Kanë marrë armët dhe luftojnë rrugicë më rrugicë kundër pushtuesve”, shprehet profesor Bytyçi.

Por, sipas Bytyçit sulmi rus ndaj Ukrainës ka edhe anët pozitive, pasi sipas tij, Evropa u bashkua në qëndrimet e veta.

Për hir të së vërtetës edhe shumë ushtarë rusë nuk janë sjellë me forcën e armëve, i kanë devijuar vrasjeve dhe dhunës së shfrenuar. Kjo tregon se edhe në Rusi ka forca të shumta kundër dhunës dhe kjo do të thotë se lufta në Ukrainë është një luftë e Vladimir Putin! Edhe kjo nuk pritej të ndodhte. Por ky sulm ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës pati gjithashtu anët pozitive. Evropa u bashkua në qëndrimet e veta. Iu bashkuan sanksioneve ekonomike e financiare të gjitha vendet, edhe ato që udhëhiqen nga ndonjë autokrat. Vetëm Serbia në Evropë nuk i ka përkrahur sanksionet e BE-së dhe SHBA-ve. Edhe kjo është shenjë e mirë, sepse Evropa sheh në praktikë se konstatimet e shqiptarëve dhe të tjerëve në Ballkan për Serbinë janë të sakta, të vërteta dhe të sakta”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Por si ndikon lufta në Ukrainë në Kosovë dhe a mund të jetë Kosova së shpejti në NATO?

Unë pres që kjo situatë të prodhojë edhe një efekt tjetër pozitiv. Pres që pesë vendet evropiane ta njohin shtetin e Kosovës, që të fillojnë sa më shpejt procedurat për integrimin e saj në NATO e në BE. Pres që institucionet dhe politikanët e Kosovës të bëhen të përgjegjshëm për situatën që kalon Evropa dhe t’i përgjigjen pozitivisht kërkesave të kohës. Nuk duhet të ndodhë që klasa politike shqiptare të jetë pasive me mendimin se “punët tona na i zgjidh Evropa dhe Amerika”! Mjaft më me këtë lloj mentaliteti! Është koha për veprim, për të qenë aktiv”, deklaron Bytyçi.

“Normalisht që agresioni ushtarak i Vladimir Putin kundër Ukrainës do të duhej ta kishte detyruar Edi Ramën të dilte nga iniciativa e Open Balkan. Habitem me iluzionet që ai vazhdon të ushqejë për këtë lloj iniciative pro-serbe e pro-ruse!”, shton profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai shton se Putin të urdhërojë kapacitete të reja ushtarake kundër Ukrainës.

Vladimir Putin ka pranuar të ulet në bisedime dhe dje është zhvilluar një raund i tillë. Por nuk besoj se konflikti do të përfundojë aq shpejt. Ka shumë mundësi që nga trishtimi i humbjeve që janë shkaktuar këto pesë ditë, Putin të urdhërojë kapacitete të reja ushtarake kundër Ukrainës. Kjo do të shkaktonte tragjedi të reja dhe viktima të reja te popullsia ukrainase. Mund ta pushtojë Ukrainën. Por Putin nuk do të mund ta nënshtrojë atë. Një pushtues që nuk e nënshtron popullin e një vendi që pushton, nuk mund ta fitojë luftën”, thekson Bytyçi.

Për fund, Bytyçi paralajmëron edhe fundin e Vladimir Putinit, i cili sipas tij do të vije me humbjen e luftës në Ukrainë.

Humbja e kësaj lufte do ta bëjë presidentin rus të nisë teposhtën e tij politike. Kjo luftë e ka vënë atë në konflikt të brendshëm në Rusi, madje edhe me gjeneralët dhe politikanët rusë, të cilët nuk guxojnë ta kundërshtojnë, por që nuk janë dakord me të. Evropa për herë të parë është bashkuar. Megjithatë ka ende dallime. Nëse do jetë e bashkuar ajo do ta fitojë këtë sfidë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat