“UÇK-ja e shtab-istëve të “Rogner-it” u pensionua në Tiranë ende pa hyrë në luftë”, publicisti numëron të bëmat e Thaçit

Politika

“UÇK-ja e shtab-istëve të “Rogner-it” u pensionua në Tiranë ende pa hyrë në luftë”, publicisti numëron të bëmat e Thaçit

Nga: A.ZH Më: 1 mars 2022 Në ora: 14:03
Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli

Publicisti i njohur në Gjermani Idriz Zeqiraj, ka komentuar deklaratën e deputetit nga Partia Demokratike e Kosovës Hisen Berisha se "Hashim Thaçi e solli Pavarësinë e Kosovës".

Zeqiraj në një prononcim për "Bota sot", ka përmendur pesë gjëra, të cilat demantojnë Berishën. Ai ndër të tjera thotë se ish-presidenti nuk ishte pjesë e themelimit të UÇK-së dhe ai ishte "larg frontit të luftës".

"Sipas gjeneral Berishës, "Hashim Thaçi e solli Pavarësinë"!

Image
Idriz Zeqiraj

"Nxirr një kashtë, e dalin gjashtë", - thotë urtësia.

1) "Hashim Thaçi solli Pavarësinë", ndërkohë që të gjitha veprimet e tij, dëshmojnë të kundërtën, sepse filloi me sabotimin e unifikimit të faktorit ushtarak, rrjedhimisht, të luftës për çlirim!

2) "Hashimi themelues i UÇK-së", - thonë tellallët e tij. 4 (katër) nga themeluesit e UÇK-së të LPK-së, e demantojnë, publikisht, duke faktuar bindshëm, se ai nuk ka qenë pjesë e themelimit të UÇK-së.

3) "Hashimi drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së"! Asnjë forum partiak apo ushtarak, brenda apo jashtë Kosovës, nuk e ka zgjedhur apo emëruar atë, në atë post.

4) "Hashimi kryetar i Delegacionit të Kosovës në Rambuje", rrenë e kulluar. Sipas dëshmive nga Rambujeja, po të dëgjohej Hashimi, lamtumirë Kosovë! Pra, nuk do të kishte as liri dhe as Pavarësi të Kosovës. Në mes tjerëve, këtë e thotë, zëshëm, edhe delegati në Rambuje, Veton Surroi. Mujëshoria dhe rrugaçëria e kuqaloshëve lëpëkeistë, e lënë pa kryetar Delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Amerikanët ngulmonin për aprovim të marrëveshjes, por, Thaçi kundërshtonte, ngaqë i bënte presion miku i tij freng, Arnaud Danjear, kuadër i Shërbimit sekret francez, DGSE, njëherësh, dhëndërr i Serbisë.

5) "Në Hagë po gjykohen krerët e UÇK-së, po gjykohet UÇK-ja vet!" Realisht, nga katër të izoluarit në Hagë, tre prej tyre nuk kanë qenë as koka dhe as bishti i UÇK-së, sepse nuk kanë qenë fare pjesë e luftës. Këtë të vërtetë absolute, e ka pranuar, madje publikisht, edhe vet Hashim Thaçi: "Unë kam qenë larg frontit të luftës"", ka thënë Zeqiraj për "Bota sot".

Ai thekson se 4 nga themeluesit e UÇK-së të LPK-së, kanë akuzuar Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin dhe Kadri Veselin për sabotim të luftës në Kosovë.

Sipas tij, 18 themeluesit e UÇK-së së LPK-së, kanë thënë se UÇK-ja e SHTAB-istëve të "Rogner-it", u pensionua në Tiranë ende pa hyrë në luftë.

"4 (katër) nga themeluesit e UÇK-së të LPK-së, akuzojnë SHTAB-istët e "Rogner-it", "Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin, Kadri Veselin, se, "në koordinim me Shërbimet Informative, të disa shteteve armike të Kosovës, sabotuan luftën në Kosovë". Dy javë më parë, është transmetuar (reprizë), në televizionin - T7 - Pressing, deklarata e Jakup Krasniqit, i cili e akuzonte Hashim Thaçin me shokë, për sabotim të luftës dhe tradhti kombëtare.

Katër nga themeluesit e UÇK-së së LPK-së publikisht, por edhe 14 të tjerë privatisht, e pranojnë se UÇK-ja e tyre, kurrë nuk arriti të futet në luftë, me formacione ushtarake, sepse u sabotua nga katërshja e SHTAB-istëve të "Rogner-it". Rrjedhimisht, kjo UÇK-e u pensionua në Tiranë, ende pa hyrë në luftë! Dhe, më kujton një UÇK-në e grupit tonë ilegal, të kryesuar nga veprimtari dhe burgaxhiu politik Kadri Os(Mani), në vitet `60-a, e cila mbeti në letër, pa u provua në luftë. Por, ne nuk sabotuam, nuk tradhtuam. E shumta, e humbëm një pjesë të jetës burgjeve", është shprehur më tej analisti politik.

Por, ai vlerëson faktin që Kosova kishte UÇK-në e themeluar nga presidenti Ibrahim Rugova, FARK-un.

"Fatmirësisht, Kosova pati një UÇK tjetër, UÇK-në e themeluar nga Dr. Ibrahim Rugova, më 1991, me emërtesën plotore e kuptimore - Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës - (FARK), që realizuan betejën e suksesshme të Loxhës, të udhëhequr nga Kolonel Tahir Zemaj; Luftën profesionale ushtarake në Koshare dhe guerilen aktive, të prirë nga Sali Çekaj në Dukagjin; Adem e Hamëz Jashari në Drenicë; Zahir Pajaziti në Llap e Gollak; Ahmet Hoxha në Anamoravë e Karadak. Për të vazhduar me luftën legale çetanike, anekënd Kosovës", ka thënë Idriz Zeqiraj.

Megjithëkëtë, publicisti thotë se këshillat e gjeneral Berishës për Kurtin, duhet marrë si mirëdashëse, për të bërë diçka të madhe, që kryeministri të mbetet në memorien e historisë për vlera.

"Këshillat e Gjeneral Berishës, për kryeministrin Albin Kurti, duhet marrë si mirëdashëse, nisur nga personaliteti i një komamdanti të suksesshëm, në luftën për çlirim dhe të Gjeneralit komandues profesional dhe edukues aktiv në paqe. "Albin, bëjë diçka të madhe, të mbetësh në memorien e historisë për vlera", - këshillon ai", thotë Zeqiraj.

Megjithatë, Zeqiraj vlerëson se deputeti i PDK-së, është dashur ta këshillonte kryeministrin Kurti, që të mos i "bëjë krimet që i ka bërë Thaçi".

"Duhej të shtonte edhe këtë: Të mos bësh kurrë krimet që bëri Hashim Thaçi:

1. Eleminimin e kundërshtarëve politikë, për të marrë pushtetin me dhunë e përgjakje;

2. Pazaret e pista, me francezët dhe serbët në veriun e Mitrovicës, për rrjedhojë dëbimin e 12.000 shqiptarëve nga vatrat e tyre dhe premtimin e rrejshëm se "do t`ju kthej në shtëpitë tuaja".

3. Pranimin e 6 pikëshit të Baki Munit:

4. "Fusnota";

5. Heshtja për 15 hektarët, të uzurpuar nga Manastiri i Deçanit, duke e lakuar rrugën - kodra pas bregut -, për të cilën Vuçiq thotë se "jemi dakorduar me Thaçin, duke vijëzuar rrugën tjetër".

6. Dhënia e 2.500 hektarëve tokë FYROM-it;

7. Faljen e 8.200 hektarëve tokë Malit të Zi;

8. Nënshkrimin e "Zajednicës;

9. Blerja e deputetëve, duke u dhënë poste diplomatike dhe privilegje të tjera, për të realizuar zgjedhjen banditeske president të vendit;

10. Hapja e çështjes të kufijëve, deri në kulmoren - lobimin e paguar për ndarjen e Kosovës, duke e kthyer çështjen e Kosovës në parapavarësi!", ka thënë Idriz Zeqiraj për gazetën.

Deputeti Hisen Berisha, në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës, të mbajtura së fundmi, ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të përmbyllë dialogun me Serbinë./BS

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat