Më 1 dhe 2 mars po shënohet 30-vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, i cili ishte mbajtur në Preshevë.
Edhe pas 30 vite shqiptarët e Kosovës Lindore po vazhdojnë të jetojnë nën pushtetin e Serbisë.
Profesori Refik Hasani, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë kishte ndodhur para 30 viteve në komuna e Kosovës Lindore.
“Me rastin e 30-vjetorit jubilar të mbajtjes së Referendumit të 1 e 2 Mars-it 1992, popullata me shumicë shqiptare të Komunës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, shpalli këtë krahinë si Autonome, duke themeluar edhe Kuvendin për Autonomi Territoriale-Politike të shqiptarëve të tri komunave. Më datën 1 e 2 Mars 2022, po bëhen tri dekada, që kur më datën 1 e 2 Mars 1992, u mbajtën për dy ditë rresht, shprehja e vullnetit dhe ishte përcaktimi politik e Juridik i së ardhmes duke marrë përgjegjësinë për ta shtruar-ngritur për zgjidhje çështjen e kësaj krahine-duke respektuar aspiratën e shprehur në formë plebishitare të Referendumit”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, ai ka shpjeguar se çfarë kishte pasuar pas referendumit.
“I pasuar pas Referendumit është edhe kryengritja e armatosur ku përmes Ushtrisë Çlirimtare Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, është sakrificë e kësaj krahine për realizim të drejtës së këtij Referendumi. Përpjekjet e rëndësishme e popullit shumicë për liri e barazi qytetare të kësaj Krahine është edhe gurthemeli tjetër siç është Marrëveshja e Konçulit. Referendumi, është kontribut i gjithë forcave politike e intelektuale, ishte një akt më i lartë historik, ishte një unitet dhe veprim i përbashkët i gjithë subjekteve politike shqiptare në ish-RSFJ, Republikën e Shqipërisë dhe Diasporë”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Po ashtu, ai ka parashtruar këto kërkesa për dy parlamentet shqiptare.
“Po kalojnë tri dekada të Referendumit, statusi politik i shqiptarëve të kësaj krahine nuk është zgjidhur, dhe vazhdohet të dominohet nga diskriminimi në të gjithë fushat e jetës.
Legjislatura e re e Parlamentit të Kosovës që ka dalë nga zgjedhjet e datës 14 Shkurti 2021, përkatësisht Legjislatura e re e Parlamentit të Shqipërisë nga zgjedhjet e datës 25 Prillit 2021,d o të duhej të vizitojnë në realizim të projekteve nga investimet për Krahinën Shqiptare dhe të presin përfaqësues të subjekteve politike, institucione e veprimtar që organizuan Referendumin.
Në këtë përvjetor jubilar, Parlamenti i Kosovës dhe Parlamenti i Shqipërisë do të duhej të deklarohen në mënyrë zyrtare në mbrojtje të Referendumit. Për tri dekada të gjitha qeveritë e Tiranës dhe e Prishtinës zyrtare, shumë pak kanë ndihmuar këtë krahinë shqiptare”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.